Fatos Kongoli ka një mesazh për të rinjtë që braktisin vendin

13 Janar, 2022 - 5:30 pm

Shkrimtari Fatos Kongoli është rikthyer sërish te lexuesi me një mesazh domethënës: “Kam një mesazh me gjithë zemër për të rinjtë që braktisin vendin: Duajeni Shqipërinë, duajeni këtë vend! Të duash është të mundesh dhe nëse e do vendin mundesh ta bësh atë”

Në një rrëfimi të tij për jetën, kujtimet dhe romanin e sapobotuar në italisht “Gënjeshtarë të vegjël” për televizionin News 24 ai ka folur edhe për romanin e sapo ka botuar në italisht “Gënjeshtarë të vegjël”. Libri i parë pas sëmundjes kur ai tha se “shkova deri te porta e Shën Pjetrit, por më thanë nuk ka ardhur koha”.

Në intervistën e gjatë mes të tjerash Kongoli thotë se folja në urdhërore për shqiptarët është “të duash”. Duke iu referuar braktisjes së vendit nga të rinjtë Kongoli pohon se “të duash është të mundesh” duke nënkuptuar se nëse e do vendin mundesh ta bësh atë.

Kujtimet e largëta të Kinës, ndikimi që pati Kina në botëkuptimin e të riut që deri atëherë besonte pa kuptuar çfarë po ndodhte, përbëjnë fillesën e një udhëtimi ndryshe. Duke u ndalur te mëkatet e falshme dhe të pafalshme ai flet sërish për “mea culpan” e vet dhe nevojën që ka shoqëria për kujtesën. Raporti me bashkëshorten mbetet kyç, raporti me letërsinë gjithaq, por në intervistë ai zbulon detaje të jetës së tij, mes nostalgjisë dhe dëshirës për ta parë veten në pasqyrë.

“Kam kaluar një mbrëmje të Vitit të ri në teatër. Festa ishte organizuar nga Lidhja e shkrimtarëve në aneksin e Teatrit Kombëtar. Në mos gaboj ka qenë viti 1964 dhe sapo isha kthyer nga Kina. Kam kërcyer gjithë natën dhe kam pasur kënaqësinë që më ka mbetur në mendje, të takoja për herë të parë Ismail Kadarenë. Sapo kishte botuar librin “Shekulli im” dhe për mua ai ishte një libër jastëku, e mbaja dhe e lexoja vazhdimisht”, tha ndër të tjera ai. / KultPlus.com

Të ngjajshme