“Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”, promovohet në Shkup

23 Nëntor, 2022 - 9:30 am

Më 29 nëntor mbahet promovimi i librit “Fëmijëri të rrëmbyera: Rrëfime mbi përvojat e fëmijëve në luftë”, që do të mbahet në hapësirat e asociacionit JADRO në Shkup, duke filluar nga ora 18:00.

“Fëmijëri të rrëmbyera” është libër i rrëfyer nga 10 prindër e familjarë të fëmijëve të vrarë apo të zhdukur në luftë, dhe nga 2 fëmijë të rritur pa prindër si pasojë e luftës së fundit në Kosovë. Përmes eksplorimeve të historive gojore, ky vëllim mëton pluralizimin e historisë dhe përfshirjen e përvojave të fëmijëve në luftë në kujtesën kolektive, për të lehtësuar adresimin e heshtjes sistematike dhe përgjithësimet në tregimin për luftën e fundit në Kosovë.

Ngjarja do të hapet me shfaqjen e intervenimit audio-muzikor dedikuar të pagjeturve nga lufta të titulluar ‘The Vanished’ (prodhuar nga forumZFD programi në Kosovë) – me regji të Lum Çitaku, kompozim dhe performim nga Liburn Jupolli, me përcjellje të Arta Jashari në Soprano dhe Edita Pozhegu në recital të poezisë ‘The Vanished’ nga Hans Magnus Enzenberger.

Promovimi i librit do të nis me fjalë hyrëse nga ogranizuesit e ngjarjes.

Diskutimi me titull ‘Fëmijët dhe konflikti: histori të heshtura’ do të realizohet me panelistë nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ekspertë të fushave të psikologjisë dhe shkencave sociale. Fokus të diskutimit do të jenë temat rreth përvojave të fëmijëve në luftë, impakti afatgjatë psikologjik i luftës tek fëmijet, të mbijetuarit dhe familjaret, rëndësia e ballafaqimit me të kaluarën si formë e angazhimit dhe tejkalimit të traumës, etj.

Libri ‘Fëmijëri të rrëmbyera’ është realizuar nga forumZFD programi në Kosovë dhe Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, me mbështetje përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe Ambasada Zvicerane në Kosovë.

Promovimi i librit në Shkup realizohet në bashkëpunim ndërmjet forumZFD (Kosovë dhe Maqedoni e Veriut) dhe Asociacioni JADRO. / KultPlus.com

Të ngjajshme