Fëmijët në fshatin Fishtë, mbjellin pemë në 146 vjetorin e lindjes së poetit Gjergj Fishta

23 Tetor, 2017 - 3:18 pm

Në përvjetorin e 146 të lindjes së Gjergj Fishtës, u zhvillua një aktivitet përkujtimor të organizuar nga biznesi i Agro-Turizmit “Mrizi i Zanave” dhe komuniteti i fshatit Fishtë.

Fëmijët mbollën vullnetarisht pemë, në komunitetin e tyredhe në këmbim Agrobiznesi “Mrizi i Zanave” u dhuroi libra dhe mjete të tjera shkolle. Fëmijët e shoqëruan aktivitetin përkujtimor me vjersha të poetit, me këngë e valle të zonës ku lindi at Gjergj Fishta, shkruan atsh.

Gjergj Fishta u lind më 23 tetor 1871. Studimet e para i kreu ne Seminarin françeskan të Shkodrës dhe më pas në seminarin e Troshanit, ku u shfaqen edhe shkëndijat e para të talentit të tij poetik. Studimet e mëtejshme i mori në Bosnje, ku studioi filozofi dhe teologji.

Fishta është themelues i shoqërisë Bashkimi në Shkodër (1899), që punoi për shqipen e përbashkët,fjalorin, alfabetin dhe botoi libra me vlerë kombëtare:kryetar i Komisionit të alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit(1908). Fishta u bë drejtori i parë shqiptar i Shkollës Françeskane në Shkodër , ku futi shqipën si gjuhë mësimi,pra një akt i tij madhorë.

Më 1913, ai themëloi revistën zëmadhe, “Hylli i Dritës”, (një nga revistat më të njohura të kulturës shqiptare), më të cilën bashkëpunoi deri në vdekje. Fishta ishte deputet i Shkodrës në Parlamentin e parë shqiptarë dhe nënkryetar i tij; përfaqësoi Shqipërinë në Konferencën e Parisit(1909) dhe në Konferencën Ndërballkanike më 1930-1931.

Poetin e madh e nderuan në shumë veprimtari: Më 1931 Greqia i dha dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bëri anëtar të Akademisë së saj. Atë Gjergj Fishta vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940. /KultPlus.com

Të ngjajshme