Festë Poetike në Gjakovë/ ‘Poema e Lilit’ e Halil Matoshit shpallet libri më i mirë i Mitingut të 59 – të të Poezisë

21 Tetor, 2023 - 2:23 pm

Shkruan: Blerim Valla

Në Gjakovë, me organizim të Klubit Letrar  “Gjon Nikollë Kazazi”,  është përmbyllur edicioni i 59 – të, i Mitingut të Poezisë. Manifestimi letrar ky më i madhi dhe më i njohuri në hapësirën mbarëkombëtare. E që dikur – para luftës së fundit në Kosovë, ky festival i poezisë kishte edhe karakter ndërkombëtar, me pjesëmarrjen e poetëve të shumtë nga mbarë bota!

Ngjarja kryesore e këtij edicioni ishte prezantimi i “Antologjisë shqip – greqisht i poetëve të Gjakovës” përgatitur nga shkrimtari e përkthyesi Iljaz  Bobaj, e ku janë prezantuar 23 poet bashkëkohorë gjakovarë. Disa nga poezitë e kësaj antologjie përpara pubikut i deklamuan aktoret e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës – Vlera Pylla dhe Yllka Lota.

Ndërsa në orën e madhe të mitingut, poezitë e tyre i lexuan 15 poet – poetesha nga të të gjitha trevat shqiptare. Kurse i ftuari special ishte  poeti i njohur Agim Gjakova.

Në fund të këtij festivali poetikë juria e klubit letrar “Gj N Kazazi” ndau këto çmime:

Çmimin “Din Mehmeti” për librin më të mirë të këtij mitingu, iu nda poetit të njohur Halil Matoshi për librin “Poema e Lilit”.

Çmimi “Ali Podrimja” për poezinë më të mirë të lexuar në këtë edicion të 59 të, i takoi poetit Bekim Kelmendi për poezinë “Ëndërrime”.

Çmimi “Yllka Domi” për poeteshën më të mirë debutante, i takoi poeteshës së re shumë të talentuar, Fjolla Muhahaxhiri- Agusholli.

Dhe Çmimi Ndërkombëtarë “Nëna Terezë” që i ndahet poetit më të mirë të huaj që merr pjesë në mitingun e poezisë në Gjakovë, iu ndau poetit amerikan Bill Wollak.   

Ndërkaq krejt në fund kryetari i  Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës, Muharrem Kurti, një mirënjohje, iu  është akorduar nga Shoqata e Shqiptarëve të Patras ” Emigranti” dhe Shkolla Shqipe ” Naim Frashëri” Patra në Greqi. Mirënjohja iu nda nga kryetarja Kristiana Veliu dhe Iliaz Bobaj drejtor i shkollës shqipe në Patra të Greqisë./KultPlus.com

Të ngjajshme