Festohet me poezi dhe me vargje plot mishërim, sepse çdo ditë është 8 mars

7 Mars, 2019 - 7:10 pm

Alberina Haxhijaj

Mbrëmë në Librarinë Dukagjini në kryeqytet u lexuan poezi të autorëve të ndryshëm, të cilat në fokus të tyre kishin fuqizimin e grave.

Poezitë e shkruara nga shkrimtare e shkrimtarë të njohur sollën para të pranishmëve copëza të përditshmërisë së grave, ëndrrat e tyre dhe fuqinë që ato kanë për tu ngritur përsëri pas çdo sfide e pas çdo goditjeje, ashtu siç thotë edhe poetja e njohur Maya Angelou, në një prej poezive të saja ikonike.

“Mund të më qëllosh me fjalët e tua,
Mund të më copëtosh me sytë e mprehtë,
Mund të më vrasësh me urrejtje,
Por përsëri, ashtu sikurse ajri, do të ngrihem”.

Ky aktivitet u realizua nga Qendra për Art dhe Komunitet-Artpolis për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke lexuar për fuqinë e grave dhe fuqizimin e tyre. Poezitë u lexuan nga Ilire Zajmi, Shpëtim Selmani, Nora Prekazi, Melihate Qena, Anisa Ismajli, Denis Galushi, Daniela Markaj dhe Qëndresa Kajtazi. 

Aktorja e njohur Melihate Qenë në kuadër të këtij aktiviteti solli fjalët e Nënë Terezës përmes poezisë “Gjallërohu”.

“Pas çdo pikarritje, ka një pikënisje.
Pas çdo suksese, një zhgënjim.
Përderisa je gjallë, gjallëro!

Venera Ismaili nga ArtPolis tregoi për KultPlus se qëllimi prapa kësaj nate ishte që të jepet mesazhi që çdo ditë është 8 mars, pa marrë parasysh datat.

“Edhe këtë herë, Artpolis organizoi një mbrëmje artistike, poetike, për ti dhënë  fuqi grave përmes vargjeve të bukura të thurura nga poetët tanë dhe të huaj. Ideja e kësaj nate ishte të krijohet një natë e qetë, e bukur, me atmosferë intime duke performuar dhe lexuar poezi inspiruese dhe fuqizuese nga vetë poetët e këtyre vargjeve por edhe nga artistët e nderuar kosovarë.  E mbi të gjitha, të përcillen përmes tingujve muzikorë të performuar ‘live’ mu aty pranë skenës së artistëve dhe poetëve.  E qëllimi ishte që përmes vargjeve inspiruese, me shumë dashuri, respekt dhe vëmendje të veçuar ti fuqizojmë gratë dhe të japim një mesazh se çdo ditë është 8 mars e jo vetëm një ditë në vit”, tha ajo për KultPlus.

Gruaja është krahët e mi, këmbët e mia
foshnjë, nëna, gruaja, motra ime,
është shoqja e jetës time…

Poezitë e kësaj mbrëmje janë përzgjedhur nga poeti dhe aktori Shpëtim Selmani, e që u përqafuan me shumë dashamirësi nga të pranishmit. Kjo mbrëmje ishte edhe për dashurinë, për përqafimet, për puthjet sepse ashtu siç thotë edhe poetja Alda Merini, dashuria është art.

Mandej bëni dashuri.
Jo seks, veç dashuri.
Dhe me këtë nënkuptoj
puthjet në gojë,
në qafë,
në bark,
mbi kurriz…

Sipas Ismajlit, e bukura e këtij organizmi është se pas leximit të poezive të zgjedhura edhe të pranishmit patën mundësinë që të lexojnë poezitë e tyre apo të poetëve të tjerë. Kështu Artpolisi edhe këtë mbrëmje ja arriti që përmes fuqisë së kulturës ti bëjë të rinjtë që të jenë nxitës për ndryshime dhe të shfaqin zërin e tyre.

“E bukura ishte se për disa prej tyre, ishte hera e parë që i lexonin para publikut dhe i shfaqnin krijimet e tyre dhe kjo falë performancës së poetëve dhe artistëve edhe të muzicientëve, por edhe falë poezive të bukura e të fuqishme. Kjo do të thotë se arti e kultura, e në këtë rast poezia, ndikoi fuqishëm dhe i bëri me të guximshëm pjesëmarrësit e sidomos gratë e vajzat që të dalin në skenë dhe të iu dëgjohet edhe zëri i tyre. Dhe po, kjo u arrit përmes poezisë” theksoi ajo.

Dalëngadalë vdes ai që nuk udhëton,
që nuk lexon,
që nuk dëgjon muzikë,
që nuk zbulon hijeshi te vetja e tij.

Ky aktivitet implementohet nga Artpolis dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe cfd– Zvicër./ KultPlus.com

Të ngjajshme