Fiksioni mimetik i poetikës narrative

18 Janar, 2020 - 5:00 pm

Duke lexuar romanin “Lavjerrësi i qytetit”, lexuesi në hapësirën shqiptare sot e vuan zvetënimin shpirtëror pas çdo faqeje rrëfimi, pas çdo fjalie, e ndien sa brengën krijuese të Zija Çelës, sa ngasjen për vetëdijesim që bart rrëfimi, sa drojën nga humbja e udhës, po aq edhe besimin se sëmundja mund të shërohet

Romani më i fundit i Zija Çelës, “Lavjerrësi i qytetit”, sjell reflekse shumështresore me boshtin qendror satirizues ndaj shoqërisë aktuale shqiptare. Përmes reflekseve ironike e satirike, rrëfimi romanor i vë në llupë të ligën, arrogancën, brutalitetin, hipokrizinë, grykësinë, mëtim në fakt i përhershëm në tërë opusin letrar të Zija Çelës, autor që nuk resht së besuari se e mira është gjithnjë e pranishme, edhe atëherë kur është e vënë në margjina e nuk ka zë përballë dhunës, dhe se ligësia, ndërsa, edhe mund të mposhtet.

Është lloj i satirës që ka brenda besimin, shpresën, përmes së cilës përtej saj, përtej besimit, nga larg, mund të ndihet shqetësimi konstant i shkrimtarit nga rreziku i përmbysjeve, i apokalipseve, si një kanosje që qëndron pezull në ajër. Duke lexuar romanet, në të vërtetë kryeveprat e sagës romanore të Çelës, si: “Sos një buzëqeshje”, “Apokalipsi sipas Shën Tiranës”, “Arkipelagu Spiritus”, “Goja e Botës”, “Ora e Zooparkut” dhe romanin e radhës “Lavjerrësi i qytetit”, lexuesi në hapësirën shqiptare sot e vuan zvetënimin shpirtëror pas çdo faqeje rrëfimi, pas çdo fjalie, e ndien sa brengën krijuese të Zija Çelës, sa ngasjen për vetëdijesim që bart rrëfimi, sa drojën nga humbja e udhës, po aq edhe besimin se sëmundja mund të shërohet.

Shtresa satirike romanore në këtë sens mëton të përcjellë edhe një si “terapi” të llojit se, në hapësirën dhe shtrirjen narrative të romanit, marrosja kolektive mund të jetë ventil çlirues, një si ato flamat sezonale shqiptare, që nuk merren seriozisht. /KultPlus.com

Të ngjajshme