Filatelia shqiptare, nderim ndër vite anëtarëve të Akademisë së Shkencave

27 Gusht, 2021 - 1:22 pm

Akademikët Aleks Buda, Dritëro Agolli, Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Mahir Domi, personalitete të shquara në fushën e shkencës dhe krijimtarisë janë vlerësuar ndër vite nga Filatelia Shqiptare.

Emrat dhe portretet e tyre vit pas viti janë propozuar që të vendosen në pullat postare.

Akademik Aleks Buda është një personalitet i shkencës historike shqiptare dhe i albanologjisë në tërësi. Aleks Buda ishte një nga themeluesit e katedrës së historisë dhe të kursit të historisë së Shqipërisë në këtë universitet. Në vitin 1972 u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në mbledhjen e parë të asamblesë (1973), të çelur nga akademiku Eqrem Çabej, Aleks Buda u zgjodh kryetar i Akademisë, detyrë që e mbajti deri në fund të jetës, pasi u rizgjodh dy herë. Ai vuri themele të forta në këtë insititucion duke i shërbyer Shqipërisë, historisë, shkencës e kulturës shqiptare.

Aleks Buda është vlerësuar me tituj dhe dekorata: “Mësues i Popullit”, “Çmimin e Republikës” të shkallës së parë”, “Urdhrin e Lirisë” të kl. I, etj., ndërsa Presidenti i Republikës së Austrisë e ka dekoruar atë me “Medaljen e madhe të artë” (1990), medalja më e lartë që jep Austria për shtetasit e huaj. Këshilli i qarkut të Elbasanit e ka nderuar pas vdekjes me titullin “Qytetar Nderi”. Aleks Buda u nda nga jeta më 7 korrik 1993.

2- Dritëro Agolli është një personalitet i shquar i letërsisë shqipe, një nga gazetarët më të shquar, por edhe një personalitet me rol të madh ndikues e përparimtar në jetën politike të vendit. Ka punuar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera.

Krijimtaria letrare e Dritëro Agollit është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme dhe e përkthyer në dhjetëra vende të botës.

Veprat e tij më të njohura janë “Në rrugë dolla” 1958; “Hapat e mia në asphalt:, 1961; “Zhurma e erërave të dikurshme”, 1964; “Shtigje malesh dhe trotuare”, 1965; “Mesditë”, 1968; “Komisari Memo”, roman, 1969; “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, roman 1973; “Nënë Shqipëri”, 1974; “Njeriu me top, 1975”; “Fjala gdhend gurin”, 1977; “Trëndafili në gotë”, roman, 1980; “Fytyra e dytë”, dramë; “Mosha e bardhë”, dramë; “Udhëtoj i menduar”, 1985; “Njeriu i mire”; tregime; “Arka e djallit”, roman, 1997; “I përndjekuri i dashurisë”, poezi , 2013; “Prit edhe pak”, poezi, 2016., “Pelegrini i vonuar”, 1993; “Kalorësi lakuriq”, roman, 1996; “Vjen njeriu i çuditshëm”, poezi, 1996; “Teshtimat e lirisë : njeriu, politika dhe kultura”, 1997; “Fletorka e mesnatës”, 1998; “Prit edhe pak”, poezi, 2016’ “ E bukura, lozonjarja, tokësorja Grua”, poezi, 2017; “Nulla dies sine linea”, aforizma, 2017, etj. Dritëro Agolli është dekoruar me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Ai u nda nga jeta më u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.

Dhimitër Shuteriqi (1915–2003) është shkrimtar dhe historian i letërsisë, profesor, akademik. Lindi në Elbasan në familjen e Simon Shuteriqit. Është ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë (tetor 1945), kryetar i saj në vitet 1954–1973, drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik në vitet 1947–1950, deputet i Kuvendit Popullor në vitet 1950–1974. Dhimitër Shuteriqi e nisi veprimtarinë letrare në mes të viteve ’30 me vjersha, tregime dhe artikuj kritikë. Ka botuar, në atë kohë, përmbledhjet poetike “Kangët e rinisë së parë” (1935) dhe “Kangë” (1936), kurse në revistën “Bota e Re” të Korçës artikullin e gjatë “Drejtimet e reja letrare”, ku përkrahen prirjet realiste në krijimtarinë e autorëve të rinj të kohës. Botoi përmbledhjet me tregime “Gurnecka” (1957), “Fyelli i Marsiasit” (1963), “Kënga dhe pushka” (1972), “Maratonomaku ynë” (1977), “60 tregime në një” (1979); vëllime me poezi “Kroje kam et” (1998), “Kangë” (1981); “Buka e thika” (2002), romanin në “Sytë e Simonidës” 1998, etj.

Dhimitër Shuteriqi është bashkautor dhe redaktor i veprës “Historia e letërsisë shqipe” I, II (1959, 1960); kryeredaktor i veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i Akademisë së Shkencave; autor i monografisë “Naim Frashëri – Jeta dhe vepra” (1982); i traktatit “Metrika shqipe” (1947) dhe i përmbledhjeve me studime “Nëpër shekujt letrarë” (1973), “Gjurmime letrare” (1974), “Autorë dhe tekste” (1977), “Mbi Barletin dhe shkrime të tjera” (1979), “Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera” (1987), etj. Ai është një ndër themeluesit e shkollës historiografike letrare në Shqipëri. Dhimitër Shuteriqi është dekoruar “Mësues i Popullit”, me “Urdhrin e Flamurit”; ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë.

Ismail Kadare është shkrimtari më i mirë i letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më të mirë të letërsisë botërore bashkëkohore, dhe autori më i përkthyer jashtë vendit, fitues i disa çmimeve letrare ndërkombëtare dhe i nominuar me dhjetëra herë për çmimin Nobel.

Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) , ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore.

Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit me “Frymëzimet djaloshare” (1954); “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin “Shekulli im” (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: “Përse mendohen këto male” (1964), “Motive me diell” (1968) dhe Koha (1976). Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Botoi romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1964) ; “Kështjella” (1975); “Kronikë në gur” (1970); “Nëntori i kryeqytetit”, 1974; “Emblema e dikurshme”-tregime e novella (1977), “Ura me tri harqe” (1978); “Gjakftohtësia”; “Kështjella”; “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”, “Dimri i vetmisë së madhe”; Ura me tri harqe”; “Koncert në fund të dimrit”; “Aksidenti” ; “Mosmarrëveshja”; “Dosja H.”; Eskili, ky humbës i madh”, “Çështje të marrëzisë”; “Kamarja e turpit” “Vajza e Agamemnonit”; “Spiritus”; “Lulet e ftohta të marsit”; “Darka e gabuar”; “E penguara”; “Dantja i pashmangshëm”, “Përballe pasqyrës së një gruaje”; “Mëngjeset në Kafe Rostand”, etj.

Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”. Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias per Letersi”, nje nga çmimet me prestigjoze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabuçhi. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Akademik Mahir Domi (1915–2000) është gjuhëtar, profesor, akademik,

Lindi në Elbasan. Studimet e mesme i nisi në Normalen e Elbasanit dhe i vazhdoi e përfundoi në Liceun Kombëtar (francez) të Korçës (1937).  Është një ndër anëtarët themelues të ASHSH dhe anëtar i Presidiumit të saj. Veprimtaria shkencore e Mahir Domit shtrihet në shumë fusha të shkencave filologjike: në gramatikë (sintaksë e morfologji), histori e gjuhës, histori e albanologjisë, dialektologji e onomastikë, gjuhësi normative dhe kulturë e gjuhës, kritikë shkencore, histori e letërsisë etj.

Ai drejtoi punën për ngritjen e kartotekës së gramatikës dhe për hartimin e veprës “Gramatika e gjuhës shqipe” (në dy vëllime, është kryeredaktor, redaktor e bashkautor i vëll. II “Sintaksa”. Ka hartuar tekstet universitare “Morfologjia historike e shqipes” (1961) dhe “Sintaksa e gjuhës shqipe”, pjesa I (1968), pjesa II (1969).

Ka qenë anëtar i komisioneve për hartimin e projekteve të drejtshkrimit (1956, 1967) dhe të veprave “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), “Fjalori drejtshkrimor” (1976), “Rregullat e pikësimit në gjuhën shqipe” (1981, 2002). Anëtar i komisionit organizues dhe delegat i Kongresit të Drejtshkrimit (1972). Ka marrë pjesë në komisionet hartuese të një vargu fjalorësh terminologjikë, ndër të cilët edhe “Fjalori i termave të gjuhësisë” (1975). Mahir Domi është edhe autor i veprave Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”; përmbledhjen “Dialektologjia shqiptare”; ishte gjithashtu nismëtar i mbledhjes së lëndës onomastike dhe i themelimit të një kartoteke të veçantë, bashkautor i pyetësorit për mbledhjen e toponimisë dhe autor i disa artikujve nga kjo fushë. Mahir Domi është autor i pjesës për letërsinë e vjetër shqiptare dhe letërsinë me alfabet arab në veprën “Historia e letërsisë shqipe”, vëll. I (1959), botim i UT, si dhe një ndër redaktorët e veprës “Historia e letërsisë shqiptare” (1983), botim i ASHSH. Mahir Domi është dekoruar “Mësues i Popullit”; ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të shkallës së parë./atsh/KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme