Filozofi shqiptar mik i burrështetasve, filozofëve dhe shkrimtarëve

2 Gusht, 2019 - 4:00 pm

Isuf Luzaj ligjëroi në universitete në Amerikë por njihet fare pak nga shqiptarët.

Kush është Isuf Luzaj? Ai është emër i madh i kombit shqiptar, intelektuali akademiku profesori, filozofi me renome botërore, mund ta themi me krenari. Atdhetari i orëve të para që luftoi për liri, antifashisti, antikomunisti numër 1 në Shqipëri.

Shqipëria ka fatin ta ketë një personalitet boteror si ai, por edhe fatkeqësinë e mosnjohjes së tij si duhet, sa duhet, nga rrethet zyrtare intelektuale, akademike, filozofike historike në vend.

Isuf Luzaj eshte nje nga njerëzit e shquar me influencë të shekullit 20, profesor i universiteteve më prestigjoze në Itali, Argjentinë, SHBA, filozof antikomunist që udhiqej nga filozofia euro-amerikane.

Drejtues i bibliotekes së Vatikanit gjate viteve 1945-1948, bashkëpunëtor i Nënë Terezes në Kalkuta, mik i Alcide De Gasperi, mik i presidentit francez Charles De Gaulles, dhe presidentit italian Sandro Pertini. I vlerësuar nga Joan Domingo Peron, Eugeniu Aramburo, Arturo Fondizi, tre ish presidentë të Argjentinës, i nderuar nga Parlamenti Argjentinës dhe Universiteti Nacional. Përfaqësues i Argjentinës në kongreset botërore të filozofisë. Hartues i programeve akademike ne universitete. Mik i Jorge Luis Borges, i Jean Paul Sartre, i Pablo Nerudës, i Gabriela Mistralit, i Alfonsina Stronit e shume personaliteteve të shquara të kulturës e politikës botërore të kohës kur ai jetoi e punoi.

Politikisht e ideologjikisht atë e kërkonte ta shtinte në dorë Stalini. Presidenti amerikan Ronald Reagan e ka dekoruar “Profesor i Amerikës” dhe ia pat dorëzuar vetë ai. Isuf Luzaj ka marrë titullin “Professor emeritus” në SHBA, pasi ka dhënë mësim në universitetet amerikane: Harvard, Columbia, Vox Hampshire, Indiana, Illinois, etj. Në vitin 1990 Universiteti i Illinois-it i dorëzon medaljen “Për shërbime të jashtëzakonshme akademike”. Ai ka mbetur mik i presidentit Georg H Bush dhe i presidentit Bill Clinton.

Në qarqet shqiptare prof. dr Isuf Luzaj ka qenë mik i Eqrem Bej Vlorës, Gjergj Fishtës, Fanolit, Mit’hat Frashërit Kol Bibë Mirakës. Për prof Luzajn fliste me konsideratë Ernest Koliqi, Maliq Beg Bushati e të tjerë.

Profesori Luzaj ka kontribuuar për zgjidhjen e cështjes shqiptare dhe të Kosovës. Ai është takuar në fillim vitet 90 me presidentin Ibrahim Rugova, të cilin e quante flokëgjati i Kosovës. Prof. Luzaj ka ndërruar jetë në vitin  2000 në Chicago dhe, sipas amanetit që la, u varros në fshatin e lindjes në Shqipëri. Duke qenë ortoped i fjalës, ai ia la amanet të bijës së tij Elizabeta Luzaj që kur të pavarësohet Kosova, të vijë te varri dhe t’ia jep këtë kumt të gjakuar. Profesor Isuf Luzaj për pasardhës ka lënë tre djem dhe një vajzë.  Rrugën e tij të letërsisë e ka vazhduar i biri i tij Dalan Luzaj.

Ai ishte një personalitet shumë dimensional, dhe këtë yll të kombit shqiptar pritet ta njohim në vitet e ardhshme duke ia lexuar veprat nga fusha e filozofisë dhe e letërsisë.

Veprat e botuara:

“Rrefimet” v. 1938, libri me vargjet lirike konfiskohet dhe ai dënohet me 94 ditë burgim;

Bashkëpunon me revistën “Përpjekja shqiptare” të Branko Merxhanit;

 “Ideologjia Falimentuese si interpretim materialist i historisë”, botuar nga Universiteti Gregorian në Romë,1946;

Ka qenë bashkëpunëtor i revistave “Mbrojtja Kombëtarë” dhe “Besa”, të cilat botoheshin në Kosovë.

Novela politike-shoqërore filozofike kundër komunizmit “Lumejt derdhen të kuq” në spanjisht (titulli origjinal Los Rios Bajan Rojos), shtëpia botuese Ultramar, 1954;

“Metodologjia për studimet e filozofisë” për shkollat e mesme, 1965;

Ndër vitet 1963-1990 boton artikuj pothuajse në të gjitha gazetat e Amerikës mbi filozofinë e Historisë së Markzizmit në teori dhe praktikë.

“Gloria e çmendjes”, Tiranë, 1995;

“Lamtumira e yjeve”, Tiranë 2001, Tiranë

 “Rindertimi i Fuqive Shpirterore:, Tirane, 2005;

Tragjedi me tri akte “Princesha Rugina”, Tiranë, 2015

 “Kujdesjet e Bletës”, essais ekzistencialistë, I, II, Tiranë, 2017;./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme