Fishta: Pa studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark

25 Maj, 2020 - 11:30 pm

Shkrimi i mëposhtëm është shkruar nga Gjergj Fishta në vitin 1913. Edhe pse kanë kaluar 105 vite, është aktual edhe sot për realitetin shqiptar. Shkrimi me titullin “Shqiptarët presin çfarë u jep Europa” flet për politikanët që mendojnë për interesat e tyre personale e jo të shqiptarëve. Tekstin e Fishtës mund ta lexoni të plotë më poshtë.

“Në Shkodër si një herë në herë, rrena, pluhun, balt, kuaj e ka tana, muzikë, peca e… Rrnoftë Shqipnia! – por punë pa të cilat Shqipnia nuk mundet me dalë në dritë pak e aspak. Njerëzit janë tuj ndejë hijeve pa punë, tuj pritë me gojë hapët, si zogj pëllumbash, pale se shka po u bjen nana-vida Europë. Por, për një herë prit zot veç… mizat, sepse me ç’andra po shihen vonë a vonë do t’ju bien gja në skjep.
E pra atdhetarët e shkretë plasën, plasën tuj folë për atdhe e tuj punu për vehte. Por ç’dobi! Për Shqipni s’po ka punë e për atdhetarë s’po ka pare. Pazari i Shkodrës asht ba klub me pi kafe e me ca llafe… politiket. Oh, po! Për politikë mos pyet. Këtu politikë sa të duash. Pa pasë studju kurr për politikë, çdo kopuk don me u shitë Bismark, pa i pasë ndie kurrë emnin strategjisë, çdo tuberkuloz i keq, ba prej sëmundjet që mos me u gjetë qen që ndigjon me e hanger, flet mor ti shok për punë luftet sikur të ishte Wellingtoni apo Napoleoni, e kaq e zgjat sa ta ban kryet për voe. Por me ba me pasë rrezik me ndejë me ndonjë asish që i asht mbushë mendja se asht i mendshëm, atëherë nuk i gjen maje vehtes; kaq dijen, filozofinë, e politikën e madhe e pështyn për goje; ta ban botën fele fele me ba se asht tuj nda ndonjë shalqi Stajket; i ngatrron i shkatrron krajlat shoq me shoq me të thanë mendja se atëherë po, kërcet lufta e po bahet nami; por kur fundi veç në i kriset zorra e tij prej së thatit se kurrkush s’lot vendit.
E tuj kenë se këtu rregullohet politika jo mbas interesash të atdheut por mbas interesash së gjithsecilit, çdo punë që ndodh kaq dredhet e shpërdredhet, e shtohet e zvogëlohet e zbukurohet sa nuk mundesh ma me e dijtë se shka asht rrenë e shka asht e drejtë.
Prandaj këtu tek e përkohëshmja e jonë këtë herë nuk po vëmë lajme Shkodret tuj drashtë fort se po shkruejmë rrena, çka nuk asht në natyrë të të përkohëshmes tonë”. /Telegrafi /KultPlus.com

Të ngjajshme