Flamur Maloku publikon librin “Plagët e Luftës”

28 Nëntor, 2023 - 12:52 pm

Sapo është publikuar libri “Plagët e Luftës” nga Flamur Maloku, libër ky me poezi i cili ka bërë bashkë disa poetë shqiptarë të cilët kanë shkruar për dhimbjen e popullit shqiptar, shkruan KultPlus.

KultPlus ju sjell edhe parathënien e këtij libri që poashtu është përgatitë nga Flamur Maloku, i cili i mundëson lexuesit që të njoftohet në pika të shkurtra se në çfarë ujëra letrare është krijuar ky libër.

Plagët e Kosovës, të popullit shqiptar të saj, janë të mëdha, janë të llojllojshme, janë të paharrueshme. Dërrmuese. Gjurmët e tyre janë sot kudo në Kosovë. I kanë shkaktuar serbët. Sot nuk ka qytet në Kosovë, nuk ka fshat, nuk ka lagje që nuk ka një plagë të luftës. Edhe njëzet e katër vjet pas luftës përkujtohen masakra, vrasje, dhunime. Foshnja, fëmijë, gra shtatzëna, pleq, plaka, të vrara, pastaj të masakruara. Do të përkujtohen përjetë sepse plagët e luftës janë të pashërueshme dhe të pafalshme.

Edhe pse krimet serbe janë dokumentuar, Serbia ka mbetur pa ndëshkuar. Kam parë një regjistër të gjatë të librave të ndryshme për krimet e saj. Janë shkruar qindra monografi për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar dhjetëra romane për krimet serbe në Kosovë. Janë shkruar mijëra poezi për krimet serbe në Kosovë. Pra, autorë të ndryshëm, të rinj dhe të vjetër, kanë mbledhur plagët e luftës nga qytetet, fshatrat, lagjet dhe familjet e Kosovës dhe i kanë shtrirë dhe shkrirë në vepra shkencore dhe artistike.

Edhe unë, duke mbledhur krijime të tyre për plagët e luftës, duke i rikujtuar tmerret që edhe vetë i kam përjetuar në luftë si një djalë i ri, i bëra bashkë disa poetë shqiptarë në këtë përmbledhje dhe përzgjedhje poezish, në shenjë nderimi dhe kujtimi për të gjithë martirët e Kosovës. Fragment nga parathënia./ KultPlus.com

Të ngjajshme