Flokët e ngjyeme

15 Gusht, 2020 - 5:30 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Humbja e dendësisë dhe  shkëlqimit të flokëve, përtueshëm po shpresëplot, më çoi në derën e dermatologut, Sami Lahu. Ai mbante ordinancën private “Floku”. Duhej zbritur pesë shkallë betoni në bodrumin me erë e lagështirë myku, të ndërtesës pesëkatëshe në lagjen Ulpiana A/12, për ta takuar mjekun trupgjerë dhe buzagaz.

Punë e gjenit, më tha ai shkurt me autoritet doktori, sa ia tregova brengën.

Pse, pyeta i hutuar dhe sytë më mbeten në fotografinë në mur, ku ishte vetë ai me flokë të dendura, në një rrugë të zakonshme me blinj të Prishtinës.

Tashti koka rrumbullake pa flokë i rrezatonte si një top plastike.

Mos e shiko murin po mua, më qortoi.

Pasi lavdëroi kurajon që më solli aty, zgjati shpjegimin: Çrregullim i melaninës, pigmenti që rregullon ngjyrën e flokëve, të lëkurës dhe syve. Ky është problem yt.

Mjekut sikur iu kujtua ndërkohë tjetra dhe me zë ende më atribues vazhdoi: Gjeni është përgjegjës për ngjyrën. Por, thinjat mund të vijnë edhe nga stresi, faktorët mjedisorë, ndotësit e ajrit. A duhet të tregoj se në çfarë qyteti të ndotur jetojmë. E mira është se ato janë flokë, qoftë të thinjura apo të zeza.

Interpretime boshe mjekësh, mendova rrugës së kthimit për në banesë.

Konsultimet  nuk më liruan nga ankthi që më shtohej, sa shikohesha në pasqyrë.

Bojatisja e flokëve me të zezë mund të të shpëtoj, i dhashë kurajo vetes.

Brenga e keqkuptimit për ngjyrosjen e flokëve më detyroi në orar pune, në zyrë, të hulumtoja si shihej kjo në kryet e një burri. Fjalia këshillëdhënëse m’u shndërrua në fiksion:“Ngjyrosja lejohet sikur për gratë, po ashtu, edhe për burrat, sa do që, në të dy rastet, është mashtrim i këndshëm”. Thënë të vërtetën, lehtë vendosa  për ngjyrën e zezë, pasi me të personifikohej forca dhe besimi.

Ndërmjet markave, L Oreal  dhe Schwarzkopf , zgjodha të parën, paraprirë nga hulumtimi i kujdesshëm pesëditorë në internet. Nisa me lyemjen e fokëve me ngjyrë të zezë. Imazhi im ndryshoi. Kisha përshtypjen se ata që më njihnin me flokët e thinjura miratonin veprimin tim, si një akt shpëtues, i një të ngurosuri që e kishte gjetur më në fund kokën e tij reale.

Shikohesha në pasqyrë dhe thosha: Ja kjo është më në fund ajo që më duhet. Lin, më në fund, gjete rehatinë.

Pas tre muaj qetësie, e gjitha u thye si gotë qelqi. U mbylla në zyrë i dëshpëruar dhe i turpëruar, pasi dëgjova si pëshpërisnin prapa me ironi, kush jo, sa hyra në mëngjes në  holin e Ministrisë së Drejtësisë: Erdhi Boja, erdhi  ky Cool-i.

Nuk mund koncentrohesha. Doja të mos dilja fare jashtë, të mos shihja askënd brenda në zyrë.

Mes pendimit dhe trishtimit, thirra asistenten Arta dhe i tregova për gjendjen që më kishin shkaktuar fjalët poshtëruese të kolegeve të punës pas shpine.

Ke dëgjuar më herët të më thërrasin me nofka tallëse, pyeta duke e shikuar drejt ne sy.

Po, tha asistentja serbez, kaherë, por mos u merakos, nuk tallen, por argëtohen. Ne të rinjtë, nuk jemi tradicionalë, sikur ju të moshuarit, shtoi.

Është edhe kjo që thua një lloj poshtërimi, mendova.

Shih ti, mentalitet tjetër, u inatosa pse më foli aq shkurt e trup.

Nuk e them se kam të drejtë, por, nuk e kanë me sherr, më qetësoi, Arta. Desha të them, janë imunë nga paragjykimet e rrezikshme.

Nuk e kuptova, çfarë deshi të thotë me paragjykime të rrezikshme, por nuk e ngava.

Ajo nguli shikimin në kokën time apokaliptike.

Nuk jam këtu për askend, i thashë kur hapi derën të largohej.

Mendjen e kisha te ngjyra e zezë e flokëve dhe në leximin fshehur, të udhëzimeve në revistën Shneta: Si të lani bojën e zezë.

Askend, more vesh, përsërita. /KultPlus.com

Të ngjajshme