Flutura Açka për vdekjen e Moikom Zeqos: Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

15 Qershor, 2020 - 9:46 am

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh. Vdekja e tij ka lënë të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja Flutura Açka, përmes një statusi në Facebook ka shprehur dhimbjen e saj për humbjen e Zeqos e ku statusi t ja ka bashkangjitur edhe poezinë “Ka një mrekulli të vdekjes” të Moikom Zeqos.

“Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Pusho në paqe, Moikom! Ti mendje brilante.

Një i urtë i patëdytë, që i bëri shërbimin kombit deri në fund, ndër të paktët që nuk kërkoi kurrë, që dha shumë dhe që do t’i mbetemi borxh po aq shumë…

Një nga intervistat e tij të fundit e dha ne sallën e Teatrit Kombëtar, pak javë para shembjes.

Poezi e Moikom Zeqos:

Ka një mrekulli të vdekjes

Ka një mrekulli të vdekjes të sakte si ligjet
kur trupat tanë do të shpërbëhen në elemente
të natyrës,
ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,
si humus e kripëra te rrënjët e një bime,
që ajo të lulëzojë e të hapi petale
e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.
Do të na lulëzojë eshtrat…
Ajme! Po shpirtrat vallë?
Si krijesa ajri do të enden nëpër re,
përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!” / KultPlus.com

Të ngjajshme