“Flutura mes gjinjve” nga Mira Meksi

14 Nëntor, 2017 - 9:00 pm

“Flutura mes gjinjve” e kthen shkrimtaren Mira Meksi tek gjinia e tregimit dhe novelës. Në një intervistë për emisionin “Bibliotekë” nga Arta Marku, autorja rrefen dashurinë e saj për tregimin, këtë gjini të mënjanuar, por më e vështira dhe e këndshmja njëkohësisht.

Pas romanit “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë” dhe dy novelave të botuara vitin e kaluar shkrimtarja këtë vit ka vendosur ti dhurojë lexuesit tregime.

“Botuesit sot vrapojnë, ose japin direktivat e tyre për romanin. Unë jam shumë e favorshme ndaj tregimit për shumë arsye” spjegon Mira Meksi. “Është një nga gjinitë më të bukura të letërsisë, por edhe më e vështira” shton ajo.

Vëllimi me tregime “Flutura mes gjinjve” botuar nga Onufri sjell tregime mbi dashuritë e fajshme që trondisin nga themelet besimin te vetë dashuria. “Unë kam lëvruar dhe lëvroj tregimin analitiko hulumtues që është dhe tregimi që ka lëvruar Boresi i madh. Ka raste kur unë gjatë të shkruarit i shkoj pas një fenomeni, ngjarjeje, emri deri sa detyrohem të hap lexoj shumë”.

Sipas kritikeve, shkrimi i Mira Meksit është një nga shembujt e shkëlqyer të investigimit letrar, të tejkalimit të rrëfimit tradicional dhe të krijimit të një tregimi të ri në letërsinë shqipe ku gërshetohen elemente të esesë, realizmit magjik dhe tregimit neofantastik. “Flutura Mes gjinjve” është një nga titujt e rinj në Panairin e Librit.

Të ngjajshme