Fragment nga drama “Kallogjeri” të cilës iu ndalua transmetimi në Radio Televizionin e Prishtinës

2 Mars, 2019 - 5:51 pm

Fragment nga drama “Kallogjeri” – 1980 – e dramaturgut Hasan Dajaku. Radiodrama u ndalua pas transmetimit të parë në ish- Radio Prishtina.

Syri ngihet vetëm dhè!

Syri ngihet vetëm dhè! Vërtet urti, vërtet. Dola nga lëvozhga e anonimitetit. I shijova bardhësitë dhe shkëlqimet e saj. Prapa lashë copëra kolltuqesh vërtet të këndshme.

Syri ngihet vetëm dhè! Vërtet, urti madhështore! Të tjerët nuk kishin fjetur kur unë, krejt i përgjumur, nuk kisha shikuar asgjë. Asgjë s’kisha bërë për ardhmërinë lumturonjëse për bijtë dhe bijën time. S’kisha bërë kurrfarë zgjedhje. As për vete s’kisha menduar. Përse mund të krenohësha, përveç se me copëra kolltuqesh që kisha lënë prapa dhe me atë mbi të cilin qëndroja.

Syri ngihet vetëm dhè! Për Tonin, Fanin, Tinin s’kisha menduar fare. Për lumturinë e tyre nuk kisha bërë kurrfarë zgjidhje. Ata kishin nevojë për ajër. Kishin nevojë për argëtim, për diell kishin nevojë! Do të më akuzonin: – Nuk kemi pasur fat se kishim një baba të ngathët, që nuk diti të depërtojë. Ai nuk mendoi fare për ne, nuk u kujtua se edhe ne kishim nevojë për ajër, për diell, si shokët e shoqet tona! Vetëm dashuria e thatë atërore nuk i bën fëmijët e lumtur. Macja – macë, e ha pjellën e tepërt!… / KultPlus.com

Të ngjajshme