Poradeci: Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy

24 Shkurt, 2019 - 1:00 pm

Nga Marie Lasgush Poradeci

Tre soj janë gratë për njerës si ne të dy. Filloj nga soji më i errët dhe ngrihem gjer në dritën e vërtetë të diellit. Pik’së pari, janë gratë e trupit, të cilat i mjeri element animal i jetës s’onë, i ka nënë urdhër të tij me anë të një grushti banknotash. Këtyre s’mund t’u flasish për donjë gjë të bukur, sepse as shpirti i tyre s’është bërë për ashtu, as që kanë kohë për të humbur me të tilla marrëzi artistike. Me 5 minuta marrëveshje, trupi i tyre i rrëgjuar ngjitet pas trupit t’onë për 10 minuta dhe pastaj çqitet përnjëherësh në vetëm njëzë minutë. Në pikën e dytë vijnë ato soj çupash të paqme nga trupi po të prishura nga mendja, të cilat elementi animal së bashku me shpirtin e lumturuar i fiton jo me anë të një doze të hollash, po me një tufë fjalësh – desha të them lulesh dhe të ëmblash. Pas 5 pare dërdëllimi të hijëshmë krahët, sytë, buzët dhe gjiri i tyre i paqmë na falen për 1 minutë dhe nuk vijnë në vete përveçse pas 10 minutash psherëtimi të ëmbë ose zembrimi pa dashje… Në pikën e tretë dhe në atë më të lartën, dua të them në dritën e vërtetë të djellit, të jetës, dhe të së vërtetës qëndrojnë vashat e paqme nga trupi dhe nga shpirti. Këto janë të pakta. Një njohje me to bën prej një shtaze një njeri; një fjalim me to, bën prej një njeriu një talent; një miqësi me to bën prej një talenti një gjeni. Këto nuk bjenë, po JANË në zotërim d.m.th. në MIQËSI të shpirtit t’onë më një minutë, nuk ndahen as dhjetë jeta, dhe rrojnë në zemrën e botës një përjetësi. Lasgush Poradeci (fragment nga korespondencë e pabotuar). Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Lasgush Poradeci

Të fundit

Të ngjajshme