Fragment nga libri “Kujtime” i shkrimtarit Rexhep Hoxha

30 Maj, 2020 - 6:00 pm

Nga: Rexhep Hoxha

Në vitin 1979 kisha botuar veprën “Urithi i verbët i Ezopit”. Më ishte bërë e mundshme ta botoja gati si ilegalisht në shtypshkronjën e Këshillit Krahinor. Këtë ia dija për nderë të dashturit, Ismail Muharremit, drejtor i shtypshkronjës. Mirëpo, kur del në opinion ç`tronditje ngjanë në do qarqe, sidomos ato të larta.
Për ta thënë të vërtetën, i pata qethur mirë me rend Azem Shkrelin, Rrahman Dedajn, Fahredin Gungën, Ali Aliun, Rexhep Qosjen, Ali Sutajn, Bedri Hysën, Anton Pashkun, Rifat Kukajn e të tjerë e sidomos drejtorin e përgjithshëm të Rilindjes, anëtar i Komitetit Qëndror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, Rexhep Zogajn.
Vepra jehon aq shumë sa kalon si ilegalisht prej dore në dorë.
Më fton Asllan Fazliu, Kryetar i Komitetit Komunal i Lidhjes së Komunistëve të qytetit, i cili më pret mirë.

– Rexhep, – më thotë, – ke botuar këto ditë një broshurë të vogël.
– Po.
– A ke marrë leje?
– Prej kujt?
– Prej organeve.
– Jo.
– Ke fyer faktorë udhëheqës.
– Unë?
– Ti.
– A më kishit dhënë ju leje?
– Kurrë.
– Së pari po ju them, ata si kam fyer, por i kam cilësuar ashtu si janë. Mandej, unë jam ushtar, që s`e dëgjoj komandantin kur s`ka të drejtë. Dhe po të them edhe një gjë!
– Çka?
– Kurrë kultura jonë nuk mund të shkojë përpara me njerëz të tillë.
– Mos u bë kokëfortë!
– Nuk jam kokëfortë, por i vendosur.

S`e bëjmë as një gjysëm ore bisedë dhe e thërrasin Asllanin në një mbledhje.
– Asllan, unë kisha dashur të flas gjysëm dite me ty, për gjithë çka mendoj.
Por Asllani kishte qëllim vetëm ta çojë në vend për çka i kishin thënë si Kryetar Komiteti. Ai më njihte mirë dhe s`kishte gjë që s`mund të pajtohej me mua. U ndava prej Asllanit dhe tjetër s`më ra kurrë të bisedoj me të. Ma bënte vetëm me dorë nganjëherë prej veture.
Për aq sa kishte mundësi Asllan Fazliu ishte i mirë. Njerëzit gjithë çka mund të flasin.

(Marrë nga Shpend Hoxha. Libri së shpejti do të ribotohet nga Shtëpia Botuese ‘Lugjet e Verdha’, Prishtinë) /KultPlus.com

Të ngjajshme