Fragment nga libri ‘Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën’ i shkrimtarit Amos Oz

4 Maj, 2022 - 9:20 am

“Ndoshta hëngrëm mollën e gabuar në Kopshtin e Edenit? Ndoshta mes pemës së jetës dhe pemës së njohjes së të mirës nga e keqja, ka qenë ndonjë pemë tjetër që rritej atje në Kopshtin e Edenit, ndonjë pemë helmuese që nuk përmendet në shkrimet e shenjta, ‘pema e djallit’ dhe ndoshta kjo ishte ajo çka hëngrëm ne?

Ai gjarpëri faqezi e mashtroi Evën, i premtoi se ajo ishte pa dyshim pema e njohjes, por, në të vërtetë, e çoi te pema e djallit. Ndoshta po të kishim ngecur te pema e jetës dhe tek ajo e njohjes së të mirës nga e keqja, nuk do të na kishin nxjerrë kurrë nga kopshti.’

Po çfarë është ferri? Ç’është parajsa? Patjetër që është brenda nesh. Në shtëpitë tona. Ferrin dhe Parajsën mund t’i gjesh në çdo dhomë. Pas çdo dere. Poshtë çdo batanije. Ja! Pak ligësi dhe njerëzit bëhen të gjithë ferr me njëri – tjetrin. Pak dhembshuri, pak zemërgjerësi dhe njerëzit gjejnë parajsën te njëri – tjetri.

Thashë pak zemërgjerësi dhe dhembshuri, nuk thashë dashuri: Unë nuk besoj shumë tek dashuria universale. Dashuria e secilit për secilin – ndoshta është më mirë t’ia lëmë Jezusit këto.

Dashuria është krejt tjetër gjë. Nuk është fare as si zemërgjerësia e as si dhembshuria. Përkundrazi. Dashuria është një përzierje interesante e të kundërtave, një përzierje e egoizmit ekstrem me përkushtimin total. Një paradox! Dashuria, dashuria.

Të gjithë flasin rreth saj sikur dashuria të ishte diçka që njeriu mund ta zgjedhë, por dashuria nuk zgjidhet, ajo të kap si sëmundje dhe të zë si fatkeqësi. Atëherë, ç’është kjo që ne e zgjedhim? Çfarë duhet të zgjedhin qeniet njerëzore çdo minutë të ditës? Zemërgjerësinë dhe koprracinë. Çdo fëmijë e di këtë, e prapëseprapë ligësia nuk mbaron. Si shpjegohet kjo? Më duhet se e gjitha vjen nga ajo molla që hëngrëm atëherë: hëngrëm mollën e helmuar.”

– Amos Oz“Rrëfim mbi dashurinë dhe errësirën”

Të ngjajshme