30 Korrik, 2025 - 6:15 pm
Romani “Tundimi i fundit i Krishtit”, i konsideruar si kryevepër nga kritikët në mbarë botën, është një interpretim laik i Ungjillit. I botuar për herë të parë në vitit 1955, në të rrëfehet jeta e Jezu Krishtit nga perspektiva e vetë Jezuit. Kazantzakis, ky gjigand i letërsisë moderne rrëfen dashurinë dhe pasionin e një njeriu çfarëdo: Jezuit të Nazaretit. Teza qendrore e librit është që Jezui, megjithëse i lirë nga mëkati, ishte i prekur nga frika, dyshimi, depresioni, ngurrimi dhe epshi.
KultPlus ua sjell në vijim një fragment të pjesës përmbyllëse të veprës, që në njëfarë forme, e rrënon edhe vetë rrënimin që i bën Kazantzakis figurës hyjnore kristiane:
Pjetri u ngrit:
-Ejani të ikim! – bërtiti. – Dil në ballë, Judë; prina!
Pleqtë u ngritën duke gulçuar; zgjasnin grushtet drejt Jezuit, që, rënë përmbys, me krahët hapur, zinte gjithë oborrin.
-Burrec! Dezertor! Tradhtar! – i bërtisnin një nga një. – Burrec! Dezertor! Tradhtar! – derisa u zhdukën me radhë.
Jezui zgurdullonte sytë me ankth, vështronte; kishte mbetur vetëm; qenë zhdukur oborri dhe shtëpia, pemët, portat e katundit, katundi, vetëm nën këmbë kishte gurë të përgjakur; gurë, kurse tutje, më poshtë, me mijëra krerë njerëzish.
Mblodhi gjithë forcat, për ta parë ku ndodhej, kush ishte, pse ndiente aq dhimbje; donte ta shpinte klithmën deri në fund, të bërtiste Lama sabakthani…, bëri të lëvizte buzët, nuk ia doli dot; iu morën mendtë, po rrëzohej e po humbiste brenda mendjes së vet…
Por, papritmas, tek rrëzohej dhe humbiste, dikujt, poshtë, në tokë, iu dhimbs, siç duket; përpara tij u zgjat një kallam, në majë kishte një copë sfungjer të zhytur në uthull, i preku buzët dhe flegrat. Mbushi mushkëritë me erën e thartë, u përmend; i gufoi kraharori, vështroi qiellin dhe klithi me një britmë të thekshme:
–Lama sabakthani!
dhe, menjëherë, vari kokën i rraskapitur.
Ndiente dhimbje të tmerrshme në duar, në këmbë dhe në zemër; sytë iu qartësuan, pa kurorën më gjemba, gjakun, kryqin; nëpër diellin e errësuar, shndrinë dy vathë të artë dhe dy radhë dhëmbësh të bardhë e të mprehtë; u dëgjua një e qeshur e freskët, qesëndisëse, vathët dhe dhëmbët u tretën; Jezui mbeti varur në ajër, krejt fillikat.
Tundi kokën dhe, në çast, u kujtua ku ndodhej, kush ishte dhe pse kishte dhimbje; e rrëmbeu një ngazëllim i egër e i harbuar; jo, jo, nuk ishte burrec, dezertor, tradhtar; jo, jo, gjendej i gozhduar në kryq, kishte qëndruar ndershmërisht deri në fund, e kishte mbajtur fjalën; në çastin kur bërtiste Eli! Eli!, kishte rënë rrufe dhe ai kishte humbur ndjenjat, pastaj e kishte rrëmbyer Tundimi dhe e kishte mashtruar; gëzimet, martesat, fëmijët, të gjitha këto qenë të gënjeshtërta; të gënjeshtërt edhe plakaruqët e rrënuar që e quanin burrec, dezertor, tradhtar; të gjitha, të gjitha qenë shajni të të Paudhit! Dishepujt e tij janë shëndoshë si molla, morën tokën dhe detet, po shpërndajnë Lajmin e Mirë. Gjithçka ndodhi sikundër duhej të ndodhte, lavdi Zotit!
Lëshoi një britmë ngadhënjimtare:
–U krye!
dhe ishte njëlloj sikur thoshte: Tani fillon gjithçka./KultPlus.com