Franz Kafka novelën e gjatë ‘Vendimi’ e shkroi brenda një nate të vetme

4 Shtator, 2025 - 12:00 pm

Nga Milan Kundera

Franz Kafka, sipas asaj që ka thënë vetë, e ka shkruar novelën e gjatë “Vendimi” në një natë të vetme, pa ndërprerje medemek me një shpejtësi të jashtëzakonshme, duke e lënë veten të kaplohet nga një fantazi po kaq e jashtëzakonshme.

Shpejtësia, e cila u bë më vonë metodë programatike për surrealistët (“shkrimi automatik”), duke lejuar të çlirohej subkoshienca prej kontrollit të arsyes dhe të shpërthente imagjinata, ka luajtur për Kafkën pothuajse të njëjtin rol.

Kjo dalldisje e gjatë e imagjinatës pasqyrohet tek veçoria e sintaksës: në romanet e Kafkës ka thuajse një mungesë të dy pikave (me përjashtim të atyre rutinoreve, kur futet dialogu) dhe një prani jashtëzakonisht modeste të pikëpresjes.

Nëse kundrojmë dorëshkrimin (shiko botimin kritik, Fischer, 1982), vërehet që edhe presjet , të domosdoshme nga pikëpamja e rregullave sintaksoret, mungojnë shpesh. Teksti është ndarë në shumë pak paragrafë.

Kjo prirje për ta dobësuar lidhjen-pak paragrafë, pak pauza të rënda (duke rilexuar dorëshkrimin, shpesh vetë Kafka i ka ndryshuar pikat në presje), pak shenja që nënvizojnë organizmin logjik të tekstit (dy pikat, pikëpresjet)-është thelbësore për stilin e Kafkës; në të njëjtën kohë është një cenim i pareshtur i “stilit të bukur” gjerman (si edhe “stilit të bukur” të çdo gjuhe, në të cilën Kafka është përkthyer).

Kafka nuk e ka bërë një redaktim përfundimtar të “Kështjella” për të bërë përshtypje dhe, me të drejtë, mund të hamendësohet se ai mund ta bënte këtë, apo atë korrektim, duke përfshirë edhe pikësimin.

Në të vërtetë, edhe në vetë këtë botim të Brodit, karakteri i përgjithshëm i sintaksës së Kafkës mbetet qartësisht i dukshëm, dhe romani e ruan dalldinë e madhe.

Kthehemi tek fraza jonë e kapitullit të tretë: ajo është relativisht e gjatë, me presje, por pa pikëpresje (në dorëshkrim dhe në të gjitha botimet gjermane). Ajo çka më bezdis më shumë në versionin vialatien të kësaj fraze është, pra, pikëpresja e shtuar.

Ajo përfaqëson kufirin e një segmenti logjik, të një cezure që të fton të ulësh zërin, të bësh një pushim të vogël. Kjo cezurë (anipse e korrigjuar nga pikëpamja e rregullave sintaksore) e mbyt dalldinë e Kafkës.

Davidi e ndan frazën në tri pjesë, me dy pikëpresje. Këto dy pikëpresje bëhen më të pahijshme ngase Kafka, gjatë gjithë kapitullit të tretë (nëse kthehemi tek dorëshkrimi), nuk ka përdorur veçse një pikëpresje të vetme.

Në botimin e hartuar nga Maks Brodi ka trembëdhjetë sosh. Vialatte-i arrin në tridhjetë e një. Lortholary në njëzet e tetë, më shumë se tre dypikësha.

(Shkëputur nga libri ‘Testamentet e tradhtuara’ –ese, nga Milan Kundera)/KultPlus.com

Të ngjajshme