займ на карту онлайн потребительский кредит

Fundi pa lavdi i gjeniut rebel

30 Nëntor, 2020 - 1:08 pm

Vetëm shtatë persona e shoqëruan arkivolin me trupin e pajetë të Oscar Wilde për në banesën e fundit, atë ditë të bruztë fundnëntori në periferi të Parisit. Tre prej tyre ishin anglezë, nga ata lordi i shumëpërfolur si i dashuri i tij, Alfred Degllas, i cili vinte në Francë nga Suedia, që pagoi dhe varrimin. Vetëm kurora e hotelierit ishte me dedikim: “Qiraxhiut tim”, e cila u mbështet mbi pirgun e dheut, 117 vite më parë.

Më 30 nëntor 1900 shuhet në moshën 46-vjeçare, pas një agonie ferri, “gjeniu i së keqes”, mishëruesi i doktrinës, “Arti për hir të artit”, çjerrësi i maskës puritane në kapërcyellin e një epoke, Oscar Wilde.

Askush nuk do ta besonte se pena me e stolisur viktoriane do të gremisej asisoj në honin e thellë të përbuzjes dhe harrimit, mospërfilljes dhe nënçmimit. Fataliteti kish zgjedhur gjuhën më të helmët për të mëkuar vitet e agonisë së gjeniut të letërsisë. Asnjë mëkatar nuk u ndëshkua kaq rëndë sa ai. Askurrë zëri i ndjenjave nuk u dogja kaq pamëshirshëm në flakët e ferrit të anatemës, sa ai.

Oscar Wilde mbetet ndër personazhet më të jashtëzakonshëm të shtjellës viktoriane. Një karakter i pakapshëm nga çdo qasje fillimore për ta përcaktuar, si njeri, artist, shpirtëzim lirie apo një nismëtar kurajoz normash qytetarie. Ai mishëroi modelin më të stuhishëm dhe njëherësh, më të debatuar të kohës. Si në të përditshmen e ngasuar nga një jetë e shpenguar intime, ashtu dhe në kryeveprën e tij, mbetet maja më e kulmuar. Ky zotëri elegant, i hijshëm e plot sharm, i marrosur pas paradokseve dhe gjithçkasë të modeluar nga kodi i qytetarisë viktoriane, ngjiste nivelet e adrenalinës dhe ambrozit, duke thyer kangjellat etike ku mbahej mbyllur një nga vendet ku gëlonte civilizimi. Nuk u ndal, edhe pse u desh ta paguante fundin me çmimin e tragjikes dhe madhështinë e tij ta ngryste nën mykun mbytës të vetmisë. Ky rebel, ky “hero i së keqes”, skaliti mbi muret e mykura të Londrës, jo vetëm emrin e tij të patëdytë, por mëtoi një dritë më shkëlqyese në sytë e lenteve të avulluara të paragjykimit. Qiellgërvishtësit e tij të lirisë, edhe sot, çajnë retë e konformizmit dhe fanatizmit. Predikoi vetveten dhe personazhet me shenjtërimin. Promovoi doktrinën e artit-njeri. Thundra e rëndë e anatemës e vu përfundi shpirtin që “Mund t’i rezistoj gjithçkaje, përveç tundimit”. Buja e zëshme e gjithçkasë e veshi me famë dhe lavdi, por nuk u kursye ta çirrte përditë e më ethshëm portretin e parakohshëm që formësoi./ Albert Vataj / KultPlus.com

Të ngjajshme