Gashi: Qosja qe 10 vjet nuk ka shkuar në mbledhjet e Akademisë, por merr pagë

25 Shtator, 2018 - 10:16 pm

Shkëlzen Gashi në Rubikon të KTV-së ku bashkë me Kushtrim Koliqin lansuan raportin “Kriza në Akademi” – Vlerësim i shoqërisë civile për akademinë e shkencave dhe të arteve, foli edhe për akademikun Rexhep Qosja.

Ai përmendi rregulloren, sipas se cilës, nëse nuk marrin pjesë në mbledhjet e Akademisë deri në gjashtë muaj, atëherë anëtari duhet të përjashtohet mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur me Rexhep Qosjen, i cili, sipas tij, ndonëse vazhdimisht e kritikon këtë institucion, ai ka kohë që nuk ka qenë në këto mbledhje.

“Sipas rregullores së Akademisë, nëse një anëtar nuk shkon në mbledhjet e saj për gjashtë muaj atëherë ai përjashtohet e profesor Qosja po besoj që ka një dekadë që nuk ka shkuar dhe po ashtu përjashtohet nëse dikush e denigron akademinë”, ka thënë ai.

Ndërsa, i pyetur nëse Qosja vazhdon të merr pagë nga Akademia, Gashi ka thënë se beson që po mirëpo më mirë që të pyetet edhe vetë ai.

“Me paratë e Akademisë botohen memoaret e kryeakademikut Daci”

Shkëlzen Gashi ka pohuar të ketë dëgjuar që Nexhat Daci, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me paratë e institucionit që drejton, ka publikuar memoaret e veta.

“Duke ardhur këtu [në Rubikon] dëgjova që kryetari me para të akademisë ka financuar publikimin e memoareve të tij personale. Është botim luksoz dhe u kushton taksapaguesve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Memoaret nuk janë kategori e veprave shkencore”, ka shtuar ai.

Gashi: Akademia është politizuar nga LDK-ja

Një ndër qëllimet kryesore të AshAK-ut është realizimi i projekteve shkencore me interes në zhvillimin e vendit. Mirëpo sipas Shkëlzen Gashit, deri tash as edhe një projekt shkencor në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, nuk është realizuar.

“As edhe një projekt shkencor me interes për vendin nuk është bërë. Ata janë shumë të mbyllur, po iu bëjmë thirrje publike t’i publikojnë, ata është mirë m’i publiku buxhetet, raportet e auditimit, qëllimet e tyre, projektet shkencore, sa janë realizu dhe çka ka ndodh me to”, ka thënë Gashi.

“Nuk ka. Janë të mbyllur edhe ndaj gazetarëve e anëtarëve të shoqërisë civile. Natyrisht që kur kanë me promovu diçka, do të vijnë. Mirëpo kur i thirr t’i sfidosh, lere që nuk do të vijnë, po nuk kanë me kthyer fare përgjigje”.

Sipas Gashit, pika që është zbatuar në listën e qëllimeve të kësaj akademie, është ajo e 11-a me renditje.

“Asnjë akademi nuk ka objekt dhe kushte më të mira. Nuk është problemi të objekti po edhe te honorarët dhe mëditjet që i marrin. Nuk duhet me harru që Kosova është vendi më i varfër në Evropë”, ka thënë ai.

“Objekti është shumë i bukur po duket se po hyn në një objekt të fantazmave sepse nuk është askush. Ai objekt është bërë për me punu po aty gjen veç disa punëtorë të administratës, nuk është askush”, ka thënë Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra”.

Autori i këtij raporti, Shkëlzen Gashi ka thënë se politizimi i Akademisë filloi nga vitet ’90 dhe kjo nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, pak më shumë se gjysma, 12 prej tyre, kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike. 8 tetë në LDK dhe prej tyre më vonë dy në Lidhjen Demokratike të Dardanisë, dy në PFK, një në LBD dhe një në ORA”.

“Kurse nga 16 anëtarë korrespodentë, gati gjysma, shtatë prej tyre, kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike, katër në LDK, dy në PDK dhe një në PSD”.

“Prej viteve të 90-ta është politizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë tutje Gashi.

Në Rubikon të KTV-së, Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi lansuan raportin “Kriza në Akademi” – Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe Artëve të Kosovës, me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike– i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe e organizatës Integra.

Autori Shkëlzen Gashi bëri të ditur se për realizimin e këtij raporti përveç metodave tjera provuan të intervistonin edhe anëtarët e akademisë mirëpo nuk morën përgjigje pozitive.

“Diku 10 prej tyre, udhëheqës të seksioneve, kryetarët, ish udhëheqësit, të gjitha janë përgjigje negative. I vetmi prej anëtarëve që ka kthyer përgjigje pozitive është Fetah Podvorica. Jo rastësisht është përgjigj pasi studimet master dhe PHD nuk i ka në universitetet shqipfolëse por në Paris. Prej që ai është udhëheqës i seksionit të shkencave natyrore dhe redaktor i revistës ‘Kërkimet’, numri i fundit i saj ka dalë në anglisht”, ka thënë Gashi.

“Anëtarët si ata të rregullt dhe korrespodent të Akademisë së arteve i kanë të publikuara biografitë e tyre goxha të detajuara mirëpo nuk i kanë në ndonjë format të CV-së”, ka thënë ai./KultPlus.com

Të ngjajshme