Gazeta gjermane shkruan për botimin e romanit ‘E Penguara’ të Ismail Kadaresë në Gjermani

30 Gusht, 2017 - 1:30 pm

Mbylle Gojën, Kufomë!
Nuk ka kujtime pa interes dhe as moral pa siguri të rreme: Shkrimtari i madh shqiptar rrëfen në romanin e tij “E penguara” për vitet e fundit të sundimit të Enver Hoxhës.

Nga: Thomas Steinfeld
Përktheu nga gjermanishtja: Xhevat Ukshini

Jo për dashurinë bëhet fjalë në tregimin, në të cilin Orfeu zbret në skëterrë, për ta rikthyer në jetë Euridiken. Ai, për më tepër, bën fjalë për vdekjen. Dashuria mes të fejuarve bën të lind një rast, falë të cilit mund të hulumtohet se sa e shkurtër është jeta dhe sa e parevokueshme, në fakt, është vdekja. Ky mendim, me sa duket, ka qenë vështirë i durueshëm për grekët, aq torturues, saqë ata çdo hero të madh të tyre e dërgojnë në mbretërinë e hijeve: Tezeun, Heraklesin dhe Odisenë. Njerëz të gjallë janë këta tre heronj. Ata i bëjnë thjesht një vizitë hadit. Ndërkaq, Euridika është e vdekur. Ajo duhet të nxirret nga bota e nëndheshme. Dhe, kur Orfeu dështon në përmbushjen e kësaj detyre, për shkak të fajit të tij, ai mbetet i vetmuar në tokë, ulet mbi gur dhe këndon këngë pikëllimtare, kështu që ai shpejt i ngjan një të vdekuri mes të gjallëve.

Që romani “E penguara”, në origjinal i botuar në vitin 2009, i shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare duhet të jetë një variacion i historisë së Orfeut dhe Euridikes në vitet e vona të diktatorit Enver Hoxha, këtë gjë e vë re ndoshta edhe një lexues i vëmendshëm tek kah fundi i kësaj vepre. Që ky roman rrëfen për shtegtimin në një lloj skëterre, përkundrazi është e qartë që nga fillimi. Heroi, një dramaturg i suksesshëm me emrin Rudian Stefa, thirret për bisedë në godinën e Komitetit të Partisë. Arsyen ai nuk e di, por ai ka frikë nga më e keqja. Ndoshta __i ka shkelur rregullat e realizmit socialist për shkrimin e pjesës teatrore, nga se ai në aktin e dytë të veprës së tij të fundit lë të shfaqet një fantazmë. Ndoshta __ është denoncuar nga e dashura e tij, pasi që __ në grindje e sipër e kishte shtyrë atë me kokë kundër raftit të librave. Aq i shqetësuar është __, saqë ai flet e flet, ndërkohë që shokët që e marrin në pyetje pak a shumë heshtin.

Rudian Stefa është një njeri jo i këndshëm, ndoshta edhe një njeri i keq, por një shkrimtar impresiv. Tërësisht i përqendruar në vetvete, duket sikur pjesën me të madhe të ditëve e kalon, duke u përfytyruar se çka mendojnë për të njerëzit e tjerë (dhe para së gjithash hetuesit e shtetit komunist), si do te reagojnë ata, çka duhet të bëjë nëse ky apo ai dyshim vërtetohet- dhe, në fund, ai vije në këtë përfundim: “Ne jetojmë në botë të ndryshme”.

Shumë gjëra në këtë libër nuk duken reale për të gjithë pjesëmarrësit dhe as të liruara nga obsesioni i interpretimit: kafeja vietnameze në hotel Dajti, me të gjithë spiunët dhe çimkat, tabela e afisheve para teatrit, në të cilin nuk varen më pllakate për pjesën e Rudian Stefës, librat e rrëzuara nga rafti, kundër të cilit ai e kishte shtyrë kokën e të dashurës. Ajo quhet Migena (një anagram për “enigma”). Ajo hyn dhe del në shtëpinë e tij, e shtyrë nga interesa të paqartë dhe të ndërlikuar, dhe e vë në lëvizje historinë në atë mënyrë që merr prej tij një libër me nënshkrim për një shoqen e saj me emrin “Linda B.”.

Një shtegtar në mbretërinë e të vdekurve është ky Rudian Stefa dhe kështu, si parakalon si një hije nëpër libër, konturat e të cilit mbahen nga një materializëm i vogël i dalë boje, para së gjithash përmes logjikës së dyshimit, kështu duket se i shkojnë punët edhe vendit dhe udhëheqësit Enver Hoxha.

Nuk ka kujtesë pa interes dhe as moral pa siguri të rreme

Ky paraqitet në fund të këtij romani të vogël, si një burrë i sëmurë, i cili i hedh sytë e tij të përlotur mbi nusen e re të njërit prej funksionarëve të tij. Skëterra, kështu duket, e ka gëlltitur gjithë realitetin në vetvete. Ajo vazhdon të ekzistojë edhe kur udhëheqësi prej kohësh ka vdekur dhe kur shtatorja e tij zvarritet në sheshin Skënderbeu në Tiranë:

“Koka e shtatores ishte pikërisht poshtë dritares. Te kafka kishte një të çarë, pas së cilës nxinte zbrazëtia.
Ik trajtë e poshtëruar, tha me vete.
Ulërima e turmës ngjitej valë-valë që poshtë.
Syri i djathtë mbi bronz, i nxirë, i stërmadh e i panatyrshëm ngjante si me lot.”

Një Orfe është ky dramaturg, një had gjithë vendi dhe sidomos miniera e bakrit, ku do të zhvillohet ngjarja e pjesës më të re të Rudian Stefës, e cila përsëri përbën vetëm një metaforë të fatkeqësisë për shterimin ( apo mosekzistencën) e forcës krijuese të shkrimtarit. Por, nëse Orfeu i mitologjisë greke vetëm një herë të vetme e kthen kryet për të parë fejuarën tij që e ndjek pas dhe kështu përfundimisht e fundos në skëterrë, këtu Orfeu është një figurë që pa pushim shikon rreth e rrotull, në të gjitha anët dhe kështu ai gjithçka e kthen në hije.

Fundi i shtetit komunist nuk i ndriçon këto rrethana. Përkundrazi. Ç’është e vërteta duket se është e qartë kush ishte Linda B.: pra e internuara që i jep titullin e librit të përkthyer në gjermanisht, njëri nga mijëra njerëzit e padashur, të cilët regjimi i depërton në vende të largëta, shpesh me familjet e tyre. Por edhe e internuara është vetëm një hije, një hije e kthyer në kujtesë të gjallë përmes kureshtjes së shkrimtarit, për besueshmërisë e së cilës nuk ka asnjë garanci, edhe nëse ajo insiston në mënyrë demonstrative për vërtetësinë e saj.

Ky roman është një libër i vogël, i hidhur. Por si mendim peshon rëndë dhe ç’është e vërteta edhe sepse na mbanë larg nga idealizmat e ballafaqimit me të kaluarën. Nuk ka kujtim pa interes, na mëson kjo vepër. Dhe nuk ka moral pa siguri të rreme. “Mbylle gojën, kufomë!“ i thirret fantazmës, të cilën Rudian Stefa e lë të paraqitet në dramën e tij mizerable kundër rregullave të teatrit socialist. Fjalia mund të qëndronte si moto për këtë libër. Sepse natyrisht këtu kufomat flasin, në kundërshtim me mitin antik të fantazmave memece. Ato madje vazhdojnë të flasin brenda njeriut. Andaj si të mos doje t’i dëgjosh ato, fantazmat që flasin, për arsyen elementare se do të doje të mësoje se si jetohet me vdekjen? (Botoi Süddeutsche Zeitung, nr. 196, 26/27.08.2917, Letërsi evropiane, fq.20)./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme