“Gërsheti i prerë” i Majlinda Bregasit botohet në Bullgari – një roman ballkanik me përmasa evropiane

15 Korrik, 2025 - 11:45 am



Romani “Gërsheti i prerë” i autores shqiptare Majlinda Bregasi është botuar së fundmi në gjuhën bullgare nga shtëpia botuese prestigjioze Isis Izida në Sofje. Në kopertinën e librit, romani cilësohet si “Një roman ballkanik me përmasa europiane”, duke theksuar rëndësinë dhe thellësinë e tij përtej kufijve kombëtarë. 

Përkthimi në gjuhën bullgare është realizuar nga profesoresha Ekaterina Tarpomanova, të cilës autorja i ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin dhe punën e shkëlqyer që ka bërë në sjelljen e veprës në një kontekst të ri gjuhësor dhe kulturor. Gjithashtu, Bregasi ka falënderuar edhe botuesin Plamen Totev, i cili ka kuruar me kujdes të veçantë çdo detaj të botimit.

Kjo është vepra e dytë e Bregasit që botohet nga Isis Izida, pas romanit të mëparshëm “Ikje”, duke treguar kështu një vazhdimësi të suksesshme të bashkëpunimit mes autores shqiptare dhe kësaj shtëpie botuese të njohur në Bullgari.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, autorja ka shprehë emocionin e saj për botimin dhe lidhjen e veçantë me vendin fqinj: “Bulgaria, të dua! Së shpejti do të vij në Sofje për të takuar miq, lexues dhe për të shijuar bukuritë tuaja!”

“Gërsheti i prerë” është një roman që trajton me ndjeshmëri dhe forcë përjetimet e grave shqiptare gjatë diktaturës komuniste, një vepër që ka marrë vlerësime të shumta për fuqinë e rrëfimit dhe rëndësinë që ka në kujtesën kolektive të rajonit ballkanik. Botimi i tij në Bullgari forcon më tej praninë e letërsisë shqipe në hapësirën letrare europiane dhe dëshmon për vlerat universale të një rrëfimi të rrënjosur në histori, por thellësisht njerëzor. / KultPlus.com 

Të ngjajshme