Gërshetimi i historicitetit me literaritetin në romanin “Dushkaja”

19 Prill, 2019 - 9:30 pm

Shkruan: Maura Nuhiu

Në procesin krijimtar të Jusuf Buxhovit së fundmi vjen romani “Dushkaja”, prozë e cila tematizon krizën e intelektualit shqiptar, e shpërfaqur në vepër gjatë një loje tradicionale shqiptare, cicmicit, lojë e cila luhet thuajse si imagjinatë e jo si realitet.

Romani nis me rrëfimin e narratorit të gjithëdijshëm, ai përshkruan atelienë e Piktorit me gjashtëdhjetë vjet krijimtari, përkatësisht krizat e çastet e vetmisë së intelektualit shqiptar në punën e tij krijuese.

Piktorit i imponohet biseda me një Zë, i cili i shfaqet atij papritur e nuk i ndahet deri në fund të librit. Ky Zë propozon të luajnë cicmic, ose thënë më mirë urdhëron, ngase vjen si propozim pa mundësi refuzimi, Piktorit i duhet ta pranojë lojën, por lojën si dhunë, si frikë e jo si kënaqësi.

Mënyra pothuajse e dhunshme me të cilën Zëri e detyron Piktorin të inkuadrohet në lojë figuron malltretimin e intelektualit shqiptar nën presionin e aparaturës shtetërore.

Loja e imponuar fillon nga ora tetë e mbrëmjes e vazhdon deri në agim, duke shpërfaqur në këtë mënyrë një realitet të ndodhur, ku krijuesit e mëdhenjë jo rrallë herë janë gjetur në të tilla situata të malltretimeve si fizike ashtu edhe psiqike.

Gjatë lojës Piktori e Zëri flasin e diskutojnë vazhdimisht, me pikëvështrim në çështjen e krijimit letrar artistik e shqetësimit krijues. Mendimet e larta të Piktorit e dija e tij padyshim që janë arsyeja e një përndjekjeje të tillë çfarë i bëhet atij.

Në fund të punimeve të tij ai vendoste një A, e këtë e bënte sipas botëkuptimit të tij se “…e gjitha lidhej me atë se krijuesi përherë ndodhej në fillim, edhe kur përfundonte ndonjë vepër, ngjashëm me atë shkronjën e parë të alfabetit me të cilën fillonte çdo gjë, por që shumëçka mund të mbetej në rrugë…Prandaj, ajo A në fund, ishte aty për me ia ba me dije se edhe me tutje mbetej në nismë. Se asgjë nuk merrte fund. Por, e gjitha ishte pjesë e një fillimi të përhershëm me të cilën krijuesi mbetej në qarkun e krijimit dhe të dëshpërimit madje… Krijimi nuk ka fund dhe nuk duhet të ketë, tha…” 1

Piktori lojën e sheh si luftë, luftë me Zërin, gurët e hedhur në dërrasën e cicmicit në këndvështrimin e tij dalin si luftëtar, në ftontin e luftës. E gurët e hedhur prej tij vendosen fushqishëm, si për të treguar triumfin e tij, edhe përkundër presionit të vazhdueshëm se loja duhet të luhet me çdo kusht.

Kur dihet formimi i Jusuf Buxhovit edhe si historian pos si letrar, shohim se ai shfrytëzon letërsinë si medium për figurimin e historisë, qasje kjo e shumicës së veprave të tij në zhanrin e prozës, intenca themelore e të cilit është qëndresa e njeriut shqiptar në këto troje.

Luftërat e vazhdueshme për liri, ndërrimi i përhershëm i ushtrive, vrojtuar nga shtëpia e tij në

‘Dushkajën e harruar të mbushur me ferra e murriza’ përbën një memorie që lë vuajtje në psiken e shpirtin e Piktorit.

Piktori nuk dorëzohet, ai mposht orët e gjata të natës në lojën e mundimshme e ia del ta shohë dritën e ditën e re, figurë kjo për triumfin e tij, e dhënë me alegori për triumfin e njeriut shqiptar edhe përkundër thyerjeve, dhunës e luftës.

Buxhovi kërkon lirinë njerëzore, lirinë shqiptare sepse Dushkaja është vend ku krimi e pasojtat e pasluftës e kanë ngulfatur atë nga e keqja.

Ky libër pasqyron situatën psikologjike të një vendi me fokusim në personazhin e Piktorit, vend i cili gjendet në kohë të vështirë të presionit individual e kolektiv, një vend ku krimi mbizotëron gjithandej nga të ashtuquajturit çlirimtarë.

“Nuk dua me qenë general, tha Piktori… Nuk dua…

Lufta e do gjeneralin, tha Zëri…

Ruana zot nga gjeneralët e pasluftës, tha Piktori me sa zë kishte!…

Këtu kemi të bëjmë me gjeneralët e luftës, për ata që e drejtojnë atë, tha Zëri.

Piktori edhe më tutje po mbllaçiste fjalët kundër gjeneralëve të pasluftës dhe komandantëve të vetëshpallur të kthyer në zullumqarë, që u shkojnë pas dhe vazhdojnë ta rrënojnë lirinë në emër “të meritave të luftës”2

Gërshetimi i historicitetit me literaritetin e bën këtë tekst të prekë më thellë në vetëdijen e lexuesit, natyrisht të lexuesit model, ngase kërkimi i kuptimit të parë në këtë tekst nuk na shpie askund, sepse autori shftytëzon alegorinë për t’i ikur kuptimit sipërfaqësor.

Elementi historik është i një rëndësie të veçantë për faktin se na jep pamjen e periudhave të kaluara historike dhe jep një lidhje të historiografisë me anën shpirtërore.

Ky roman duket se ka një lidhje motivore me romanin “Vdekja me vjen prej syve të tillë” të Rexhep Qosjes, ngaqë në të dy veprat figurohet kriza e intelektualit shqiptar nën presionin e aparaturës shtetërore.

Element me rëndësi është edhe ndërfutja e njërës prej pikturave më të njohura të piktorit shqiptar, Ibrahim Kodra, në kopertinën e librit./ KultPlus.com

Të ngjajshme