Guba

16 Nëntor, 2021 - 1:30 pm

Ibrahim Berisha

Baba Ali i lan borxht e veta, më thotë kunata Hatë duke shikuar hijen e gurtë të vjehrrit. Ai, i ngjitur për bari, ndoshta ende pret kafenë e sabahut, atje nën kumbull. E marr, ia çoj. E djeg diç përbrenda; ndoshta, pse nuk mund të na çlirojë nga vuajtja. Më shikon me brengë.

Do të rrish, ta rrisësh djalin, më pyet.

Merr kafenë, e do të ftohet, ia humb fillin e fjalëve.

Sytë i lëshojnë xixa.

Ditën që bëhet një vit, do të shkoj, i them.

Edhe më shumë e lëshon zemra; më ka lëshuar idikati, thotë.

Do t’ju blej televizor, frigorifer, të gjitha do t’ua blej, vetëm rri e rrite Dinin, mos e fik hisen e Halimit; zjarrin e Halimit.

Zjarrin e fikët vetë, qëmoti, dua t’i them. Nuk i flas asgjë, po i flet urrejtja ime: Jo baba Ali, kurrë!

Me të dy duart, ndrydh zemën.

Kthehem në dhomë, shikoj veten në pasqyrë. Nuk e njoh; ka muaj që nuk jam shikuar në pasqyrë. Flokët e mi, dikur të zeza e të butë. I prek. Janë bërë tela të ndryshkur, vendevende ngjyrë bakri.

Vjen si jargë kërmilli, më afrohet.

Nëse shkon nuk e ruan djalin, asgjë nuk të jap. Ta dish.

Nuk dua asgjë. Mjaft mora, i them. Dërrmen e mora, më sheh.

Mezi merr frymë, largohet, si jargë kërmilli.

Gufën që e vesh, thuase nuk është imja. Imja është gufa, por trupi më është fishkur, ajo më bie si e huaj. Dini ende fle. E prek me dorë lehtë si pendël, si nuk zgjohet. Sikur ai nuk do të zgjohet kurrë. Nuk fle deri vonë. Ka frikë, do ta lë. Më thotë çdo natë, para gjumi: Kur të shkosh nanë, më zgjo nga gjumi.Të gjithë më thonë, ti do të më lësh. Natën trembet; sytë e tij të butë dikur, bojëkafe si të Halimit, janë bërë të kuq, të turbull. Jo, i them, pa ty askund. Më afrohet me tërë forcën; do të hyjë nën lëkurë, ma merr dorën dhe e vë nën kokë. Kështu nuk të lë të ikësh, thotë. Kurban i djalit të bëhem!

Oj nëna e Dinit, dil se një urith!

Këlthitja e urithit shuhet preras. Nga njerëz si baba Ali janë bërë urithët. Nga njerëz që të tjerëve u gërryejnë dheun nën këmbë. Janë futur në dhe, të mos i  shoh askush. Edhe sytë u janë stërkeqë. Ja, sytë e babës Ali dhe të këtij urithi, janë një. Nuk duken.

Ruaje Dinin, më lutë.

Mos më lut fare, dua t’i them. Nuk i them asgjë.

Kjo shtëpi është e gubavtë, më thotë kunata. Ai në oborr është guba; të gjithë ne jemi gubë.

Falet tri herë në ditë.

Jep sadakë çdo të premte.

Ka tre muaj është bërë jargavel; qanë.

Do të shkoj haxhi në Mekë.

Nesër do të shkoj te doktori, thotë. Më merren mendtë. Nëse nuk kthehem, nuk arrin të përfundojë fjalët.

Në pjergull bie një tufë zogjsh. Merr një gur dhe i gjuan. Trembni, thërret.

Dua ta zgjoj tim bir, por nuk kam forcë. Krahët më janë skuqur; e tëra ndihem e këputur.

Dua ta zgjoj Dinin që është bërë vetëm asht.

Nga torishta i qesin pesë dele të ngordhura.

Hunda, veshët, fytyra e rrjepur e babës Ali; mbulohen me vijat si ferrëkuqe. Delet e morën gubën nga baba Ali, gjynah, më thotë kunata.

Të shkoj nuk mundem. Qëkur e mori vesh se nëpër trupin e shtëpisë sonë lëviz guba, ai nën setrën e zezë, mban një këmishë gjarpri. Kot e mban, nuk mund të na ruajë asgjë; as këmisha e gjarpërit nën këmishën e babës Ali.

Kthen me hapa e shikim të mjerë. Afrohet. Një e dridhur më rrënqeth trupin. Zogjtë fluturojnë nga dega e pjergullës. Retë shkunden. Një erë e lehtë çohet e mua më bie balli mes për mes.

Ai bëhet gati ta falë drekën.

Nesër është e premte, mendon për sadakë.

Çdo të premte jep sadakë.

Pas Bajramit të Madh do të shkojë në haxh.

Ndizet, zjarmohet aq sa lëshon avull. Më urren se unë përgjithëmonë, e di, do të ikë nga kjo shtëpi. Të më bjerë nuk guxon./ KultPlus.com

Të ngjajshme