Hans Joackim Lanksch rrëfen për “Martin Camajn ende i pazbuluem”

1 Maj, 2018 - 9:40 am

Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem” i Hans Joackim Lanksch, bashkudhëtari i shkrimtarit në disa vite, përkthyesi i poezisë moderne, përçon dy përmasa: Me Camajn, për Camajn!, shkruan në “Panorama” Behar Gjoka.

Fatlumnia me qenë ish-student i Martinit, mik dhe bashkëbisedues, ia ra shorti me pa ngat, fare pranë, si pak të tjerë. Me qenë në shoqënim me vlimet dhe përmallimet njerëzore, që prej dashnie u ngujua në gegnishten, në copën e dheut që mori me vete, ka qenë një shans unik.

Me dasht me ditun për Martin Camajn njeri, shkrimtar dhe albanolog, për mjeshtrin e fjalës shqipe, ky libër, nëpërmjet faktesh dhe këndvështrimesh të befta, hedh dritë mbi aspektet jetësore dhe natyrën e shkrimit letrar dhe shkencor të Camajt. Po kaq, autori i librit ka ndjek pa ndërpremje fatin e krijimtarisë, si është pritur pas botimit të saj në Shqipëri, mënyrat se si është interpretuar dhe sërish me të drejtë sugjeron se, ende vepra e gjerë letrare dhe shkencore e Martin Camajt vijon të mbetet e pazbuleume në vatrat ligjërimore artistike dhe albanologjike.

Rrethana e marrëdhanieve, njerë- zore dhe intelektuale, projekton figurën e Martin Camajt, më përtej legjendarizimit dhe nihilizmit. Pa mëtuar një biografi, ndonëse përmes fakteve dhe kujtimeve, sjell në vë- mendje travëlimet dhe të mbërrimet ma qenësore të Camajt. Qartësimi i rrethanave të ikjes prej atdheut, që kishte ra në komunizëm, daljes në Mal të Zi, Prishtinë e Beograd, i shpërnguljes në Romë në vjetin 1956, i vendosjes në Mynih më 1961, japin udhështegtimet e shkrimtarit.

Faktologjia e shoqëruar me dëshmi kujtimesh dhe bisedash e zbulojnë Camajn të gdhendur në copën e udhës së bame bashkërisht. Udhëtimi kontekstual përkon me kohëzgjatjen dhe interesimet e përbashkëta, për letërsinë dhe gjuhën shqipe. Megjithëse, libri përfshin shkrime, kujtime dhe intervista, realizuar kohë mbas kohe, endet në shqiptimin e të dy anëve. Në përvijimin e linjave të portretizimit të Camajt, por edhe të argumenteve për praninë e vlerave, që sendërgjon vepra gjuhësore, letrare dhe shkencore e Martin Camajt.

Kjo atmosferë, e pranisë së papranishme, një term i U. Eco-s, që e simblimon fatin e Camajt, përcillet përmes titullit që rimerr idenë e Camajt për Kutelin, gjë që e përforcon fatin e mjeshtërve të letrave shqipe, që letnohen në gjallje dhe amshim. Bartja e titullit tregon ecjen në fashën e dritës që pati çelur Camaj, në gjurmim të vlerave letrare të mbetuna në hije. “Martin Camaj ende i pazbuluem”, dëshmi bashkëpërjetimit, është klithëm dhe thirrje për t’u ndalur ma vëmendshëm në tekstet e Camajt.

Larmia e qasjeve me shkrime, kujtime dhe intervista, të cilat paraqesin shestimet e autorit, për të hulumtuar në shtrirje kohore, mbi figurën dhe vlerat shkrimore të Camajt. Përcaktimi: Ai âsht njeni i ma të mëdhejve të letrave shqipe, një klasik i modernes. (2017: 9), shqipton thelbin e veprës si lajmëtim me shiju vatrat e shkrimit letrar. Në mesin e përfundimeve të Lanksch-it, të bën përshtypje theksimi i dikotomisë, kur thekson: “Dysia e të kenët më vete e me të tjerë ishte njiherësh karakteristikë për personin dhe veprën e Camajt. Ai ka kenë edhe shkrimtar, edhe shkencëtar. Si shkrimtar ka kenë edhe poet, edhe prozator…”, e cila skalit dimensionet dhe vlerën e veprës shkrimore, ndërkohë që studimet letrare iu sillen përqark. Njëra prej prurjeve në libër është toni argumentues, në lidhje me mënyrat si është trajtuar vepra nga ana e studimeve letrare dhe gjuhësore.

Shpesh, në faqet e librit, krahas kundërshtisë, ndesh formulime që të japin dorë për të depërtuar prapa magjisë shkrimore të Martin Camajt. Për vlerat e poezisë, shprehet: “Gjuha poetike e Camajt merr hir të shtuem dhe nji element hermetik me përdorimin e leksemave të rralla nga thesari i letërsisë së vjetër shqipe dhe nga idioma shqipe e arbëreshëve t’Italisë”. (2017: 11), që zbulon kodet e ligjërimit të Camajt, por edhe burimet e poetikës së poetit.

Toni polemizues vjen në pohimin: “Martin Camaj nuk ishte shkrimtar i tipit “mërgimtar””. (2017: 25), që nuk lë asnjë mëdyshje, se vepra e shkrimtarit nuk ka lidhje me përpjekjen për ta rreshtuar te mërgata. Me sqimë dhe ironi vjen edhe situata: “Thania se poezia e Martin Camajt asht idilike dhe ruraliste, duket qesharake sapo lexojmë poezitë e tij”(2017: 37), e cila shoqërohet me sjelljen e poezive, që nuk kanë lidhje me keqkuptimin. Theksimi logjik i natyrës së poezisë: “Martin Camaj nuk ngec në botën e kulturës blegtorale malësore, por lëvron botën e psikës njerëzore, temat psikologjike dhe filozofike që s’kanë me ba me nji si poezi ambientale”(2017: 38). Po kaq interes zgjon pohimi: “As në poezi e as në prozë nuk ka shfaqë ndonji orientim që mundet të quhet “katolik” pa lëre që do të kishte përfshi ndonji tematikë katolike”(2017: 42), që thekson pamundësinë për ta keqpërdorur, nëpër qarkëzimet fetare.

Një nga momentet që ka tërhequr interesin e autorit ka qenë gjuha, ku përvijohet vetëdija unike e shkrimit: “…gjuha ka kenë jo vetëm hallka në mes artit letrar dhe shkencës gjuhësore, por edhe hallka ndërlidhëse me vendlindjen”(2017: 48), që pasohet nga argumenti: “Po të bahej asi përkthimi, do të ishte nji zhveshje, një zvetënim sikur këndoheshin kangë popullore shqiptare…”(2017: 70). Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, një dialogim me shkrimtarin, kohën e dyzuar, e sidomos me larushinë shkrimore, që tashmë është e shpalosur në tekste, ka vlera të shumëfishta:

Së pari: Për gërshetimin e të dhënave jetëshkrimore me etapat e shkrimit letrar të Camajt, duke argumentuar tiparet moderne, vatrat që e mundësojnë poetikën e autorit.

Së dyti: Të shkrimit të librit në dy prani, ku fillimisht ka gjalluar në median e shkruar. Fakti që libri ka mbërritur te lexuesi në bazë të parimit kronologjik, të shtrirë në vite, si dhe në formën e përmbledhjes së shkrimeve, kujtimeve dhe intervistave, pra në formën përfundimtare, dëshmon kontributin e vyer për mënyrën se si është trajtuar në kohë.

Së treti: Të përzgjedhjes së poezive, mbi dhjetë të tilla, të cilat përcjellin vatra antologjike, që shenjëzon poetin e veçantë dhe magjinë e poezive. Libri “Martin Camaj ende i pazbuluem”, shkruar me një shqipe të shlirët, që të përkujton gegnishten tingullore të Camajt, kryen funksionin e kodeksit për të shijuar artin e shkrimtarit. Vlerat e bashkëlidhuna të jetës dhe veprës, të verifikimit dhe mungesës së receptimit të shenjave estetike, mishëruar në faqet e librit, tashmë pjesë e fondit të librave të rëndësishëm, shkruara gjatë kësaj periudhe, që ka në qendër figurën, krijimtarinë shumë përmasore të Martin Camajt./ KultPlus.com

Të ngjajshme