“Hapësira negative” i Luljeta Lleshanakut botohet në Angli

8 Shkurt, 2018 - 10:54 am

Sapo ka dalë në treg, libri me poezi në gjuhën angleze “Hapësira negative” i poetes Luljeta Lleshanaku, botuar nga shtëpia botuese Bloodaxe në Mbretërinë e Bashkuar. Ky libër është një përmbledhje në anglisht e dy librave të botuar në origjinal nga shtëpia botuese OMBRA GVG: “Pothuajse dje” (2012), dhe “Homo Antarcticus” (2015).

Përkthyesja e librit në anglisht është Ani Gjika, e cila,për përkthimin e këtij libri, së fundmi është vlerësuar me çmimin e PEN-it anglez, dhe me një grant nga National Endowment for Arts në Shtetet e Bashkuara. Ndërkohë “Hapësira negative”, është njëri nga librat e rekomanduar nga Poetry Society në Angli. Ja se si shprehet në komentin e tij, poeti dhe përkthyesi George Szirtes: “Hapësira negative” e poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku, është libri i saj i dytë i botuar në Mbretërinë e Bashkuar, megjithëse New Directions në Shtetet e Bashkuara, e ka botuar që në vitin 2002.

E lindur në vitin 1968 dhe e vlerësuar si një poete kryesuese e brezit të saj, Lleshanaku është përkthyer fuqishëm nga Ani Gjika. Libri fillon me një poemë të gjatë që i referohet zbuluesit të Antarktidës Frenk Uajld, krahut të djathtë të Shakëlltonit.

Kjo poemë është plot forcë, dhe ofron një revokim të kursyer por të gjallë, pothuajse filmik, të jetës së Uild-it, që mund të shërbejë si një lloj analogjie e vetë jetës së autores. Prej këtu, autorja lëviz nëpër një varg karakteresh dramatikë, para se të rikthehet përsëri në vetën e parë. Syri i saj është kureshtar; shqisa e saj për të ndërtuar detajin, herë pas here të mahnit. Dhe ç’është më e rëndësishmja, ajo i paraqet lexuesit një version të besueshëm të botës… …

Kështu që janë thjesht gjërat në vetvete, ai grumbull mbresëlënës copërash, fragmentesh, ku lënda përzihet me idetë në mënyrën më të natyrshme të mundshme, me një shkathtësi numrash akrobatikë. Ajo nuk bën asgjë ekstravagante në aspektin teknik ose atë retorik. Ajo flet drejtpërdrejt: por vetëm se ky i folur direkt, është i mprehtë (ashtu siç është edhe përkthimi), dhe e vë gishtin drejt e në plagë. Ndërsa në prezantimin që botuesi i bën autores në kopertinë, ndër të tjera thuhet:
“Shumë nga poezitë nuk i referohen ndonjë vendi specifik ose kohe specifike. Ngjarjet intervenojnë midis tyre dhe ngjarje të reja marrin formë, ashtu si në poemën e saj të gjatë “Homo Antarcticus”, e cila ndjek fatin e një heroi, i cili, ndërsa ia doli të përshtatej për muaj me radhë me vdekjen nga uria në Antarktidën e ftohtë nën zero gradë, nuk mundi të përshtatej më pas me jetën në qytetërim. Kjo është njëra nga poezmat në libër që flet për presionin e shoqërisë moderne mbi individin. Brenga dhe vdekja, dashuria dhe dëshira, burgosjet dhe zhgënjimi, janë të gjitha tema që bëjnë jehonë në poezinë magjepsëse të Lleshanakut”.

“Hapësira negative” është libri i dhjetë i autores i botuar në gjuhë të tjera, pas: Haywire; New & Selected Poems (Bloodaxe Books, Londër, 2011), Fresco (New Directions, SHBA, 2002), Child of nature (New Directions, SHBA, 2010), Kinder der Natur (Edition Korrespondenzen, Austri, 2010), Dzieci natury ( Stowo / Terytoria Obraz, Poloni, 2011), Antipastorale (LietoColle, Itali 2006), Ponedjeljak u sedam dana (Versopolis edicija, Kroaci, 2015), Lunes en Siete Días(Olifante, Spanjë, 2017) dhe Pondelok v siedmich dӣoch (Občianske združenie VLNA, Sllovaki, 2017), shkruan GSH./ KultPlus.com

Të ngjajshme