Hapet Këndi Arkivor në ambientet e bibliotekës ‘Marlin Barleti’ në Shkodër

2 Korrik, 2021 - 9:33 pm

Nga sot të gjithë të apasionuarit dhe të interesuarit shkodran, për dokumentet që ruan dhe administron arkivi i shtetit nuk është më e nevojshme të paraqiten në sallën e studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave në Tiranë.

Këndi Arkivor është hapur në një nga sallat e Bibliotekës “Marlin Barleti” falë mbështetjes së Bashkisë Shkodër dhe Bibliotekës së qytetit.

Në çeljen e këtij Këndi Arkivor ishin kryetarja e Bashkisë Shkodër Voltana Ademi, drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA, Dr. Endrit Musaj dhe drejtori i Bibliotekës, Maxhid Cungu.

Gjatë këtij përurimi u bë dhe një demonstrim i këtij shërbimi nga specialisti i DPA, Myrteza Sharra.

Drejtori i Drejtorisë së Inspektimit në DPA Dr. Endrit Musaj tha se “ky kënd vlen vetëm për qëllime studimore, për dokumente të një karakteri tjerë me natyrë biografike apo pronësie, DPA këtë shërbim e ofron nëpërmjet Postës Shqiptare, ku çdo kërkesë merr përgjigje nëpërmjet këtij shërbimi”.

Në fjalën e saj kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi u shpreh se “në këtë projekt bashkia e Shkodrës ka marrë pjesë duke ofruar infrastrukturën e domosdoshme që lidhen me pajisjet kompjuterike, shërbimin e internetit dhe personelin që do të vihet në dispozicion, pikërisht për t’i shërbyer të gjithë atyre studiuesve që mund të jenë studentë, pedagogë e të tjerë, të cilët do të vijnë dhe do të asistohen për mënyrën se si mund të operojnë me këtë sistem”.

Procedurat, forma dhe të gjitha rregullat e këtij Këndi Arkivor funksionojnë njësoj si në Sallën e Studimit në Tiranë.

Ky kënd ka si qëllim për të qenë sa më pranë studentëve, akademikëve po dhe publikut të gjerë për të bërë kërkime në këtë hapësirë studimore.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave me këtë iniciativë të saj ka si qëllim shtrirjen e Këndeve Arkivore në sa më shumë vende brenda dhe jashtë vendit, që kërkimi dhe hulumtimi mbi dokumente të jetë për të gjithë njësoj. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme