Hapet panairi i librit në 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit

10 Qershor, 2021 - 1:50 pm

Për nder të 143 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, sot është hapur panairi i librit në këtë komunë. Prizreni është bërë nikoqir i shumë shtëpive botuese nga vendi e rajoni, të cilët po i’u ofrojnë qytetarëve një numër të madh të librave.

Për të bërë hapjen e këtij panairi ishte edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, i cili tha se përkrahja për librin duhet të rritet.

“Ne e kemi edhe komponentën e librit brenda ministrisë, përkrahja për librin duhet të rritet edhe në formë të mbështetjes së botimit, përkthimit edhe në promovimin e autorëve që shkruajnë shqip, po në të njëjtën kohë edhe në kuptim të nxitjes së lexueshmërisë së përgjithshme në shoqërinë tonë. Këto janë veprime të mira, janë veprime të domosdoshme, por duhet të kemi më shumë se kaq dhe do të bëjmë më shumë se kaq edhe si ministri edhe si komuna të Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se një panair i tillë do të bëhet tradicional.

“Më vjen mirë që pas një periudhe bukur të gjatë të masave të pandemisë ku shumë aktivitete kanë qenë të ndaluara, sot po e fillojmë me një aktivitet shumë domethënës në 143 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pra me 10 qershor hapjen e panairit të Librit, i cili besoj duhet të jetë tradicional. Ne kemi edhe panaire të tjera të librit, por veçantia e këtij panairi është se po kemi botues nga të gjitha trojet shqiptare, faktikisht kemi nga Shqipëria, Mali i Zi, nga Maqedonia dhe normal nga Kosova e Prizreni”, tha ai.

Mbi 100 tituj në këtë panair po i ofron shtëpia botuese “Pena”, ku pronari i saj Mensur Bytyçi, tha se e kanë mirëpritur një organizim të tillë nga Komuna e Prizrenit.

“Kurrë nuk është mjaftë shitja e librit, leximi i librit, dija, kurrë nuk është mjaftë. Sa më shumë që organizohen kësi lloje panairesh ku mund të shiten vlera, figurativisht po e them mundësitë janë vlera, se vlerë më të madhe se dija nuk ka. Nëse dëshiron një komb me zhvillu duhet me lexu, duhet të ofrojmë botime për fëmijë, për familjet. Prandaj është shumë i mirëseardhur, uroj që mos ta harrojmë këtë traditë”, tha ai.

Për të shënuar 143 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, komuna ka organizuar aktivitete të shumta, ku gjatë ditës do të bëhet edhe hapja e ekspozitës “Si u vra Kodi etik i Hipokratit”. / rtv21.tv / KultPlus.com

Të ngjajshme