займ на карту онлайн потребительский кредит

Helena Kadare: Gruaja gjeneron brenda vetes më shumë forcë, më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim

21 Shtator, 2020 - 10:59 am

“Më duhet t’ju them qysh në fillim se asnjëherë nuk e kam parë letërsinë si një fushë beteje mes burrave e grave, për t’u dalë për zot të drejtave të këtyre të fundit nëpërmjet shkrimit. S’kam milituar dhe s’jam renditur ndonjëherë në kampin e grave feministe. Ndoshta ngaqë më mungon fryma militante, e domosdoshme për rastin në fjalë. Apo ngaqë nuk kam në veten time asnjë fibër prej lideri (lidereje?) të kësaj fushe, gjë e domosdoshme për ta mbajtur lart këtë flamur. Por është e vërtetë gjithashtu se kam shkruar me dashuri për gratë. Kjo vjen, besoj, ngaqë njoh, siç kujtoj, natyrën dhe ndjenjat e tyre, duke qenë vetë një grua. Ndërkaq, nuk mund të thuhet se personazhi grua në librat e mi është pozicionuar si një kundërvënie apo ndeshje ndaj së keqes, të personifikuar rëndom në figurën e burrave. Përkundrazi, më është dukur më natyrale gjetja e një rruge dhe e një mundësie bashkëpunimi mes të dyve, për ta bërë më cilësore e më të pranueshme jetën e përbashkët. Në qoftë se simpatia ime ka anuar, disa herë në mënyrë të dukshme, nga gruaja, kjo anësi mund të ketë një shpjegim të vetëm: në sytë e mi, gruaja, flas për atë që e meriton plotësisht këtë emër, më është dukur më sipërore, më e aftë se burrat, në përballjet e saj me jetën e përditshme, për nga kuraja dhe pasioni me të cilin i bën gjërat, nga qëndrueshmëria dhe intuita e saj. Kam mendimin se nga natyra, gruaja gjeneron brenda vetes më shumë forcë, më shumë ndjeshmëri dhe përkushtim në mbrojtje të familjes së saj dhe të kauzave të tjera. Kam dëgjuar nganjëherë të thuhet, jo pa një grimë ironie, se dashuria është historia e jetës së gruas dhe një episod në jetën e burrave. Nuk më duket kështu. Ka plot raste kur kjo thënie mund të përsëritet në të njëjtin kontekst anasjelltas, pra të jetë edhe për burrat kështu. Nëse më lejohet të jap mendimin tim për dashurinë dhe për raportin e një çifti në përgjithësi, them se dashuria, në rastet më të mira, nuk është të parët e njëri-tjetrit sy në sy, siç përfytyrohet nganjëherë, por e të dyve bashkë në të njëjtin drejtim. Dhe për të ardhur te gjysma tjetër e pyetjes suaj, mendoj se tablotë e personazheve femra, të njohura dhe të adhuruara nga gjithë lexuesit e botës, nuk kanë ardhur në letërsi falë penës së grave shkrimtare, por, madje do thosha shumë më tepër, nga pena të shkrimtarëve burra, që e kanë pasuruar letërsinë botërore me personazhe të jashtëzakonshme grash, modelet e të cilave vazhdojnë të frymëzojnë e të magjepsin gjenerata të tëra të njerëzimit”.

  • Helena Kadare

Shkrimtarja Helena Kadare sot feston ditëlindjen, përmes këtij shkrimi iurojmë jetë të gjatë e plot krijmtari! / KultPlus.com

Të ngjajshme