Herman Hese: Vetmia është pavarësi

13 Maj, 2022 - 12:34 pm

Përgjatë shtegtimit të jetës së tij, Herman Hese ka qenë pareshtur në kërkim të vetvetes, çka e dëshmon jo vetëm krijimtaria letrare, por edhe jeta që bëri. Një nga romancierët e rrallë gjermanë, që lanë gjurmë në shekullin e të 20-të.

Çmimi “Nobel” i letërsisë në vitin 1946, poeti, kritiku, eseisti, shkrimtari, i njohur për theksin në zhvillimin shpirtëror të individit, temat e veprës së Heses reflektohen kryesisht në jetën e tij. Apostull i një kërkimi për veten, i një kërkimi të papranueshëm, që e shtyn të shkëputë gjithfarëlloj lidhjesh, të sfidojë institucionet më të nderuara – traditën, fenë, familjen – për të afirmuar të vetmin ligj që vlen: atë të individit dhe të drejtën për të realizuar dëshirën vetjake. Individi si vlerë përfundimtare. Popullor në kohën e tij në Gjermani, ndikimi i Heses u përhap në mbarë botën gjatë lëvizjes kundërkulturore të viteve 1960, aq sa tashmë është një nga autorët evropianë më të përkthyer të shekullit të 20-të. Deri në vdekjen e tij, më 9 gusht 1962, e kishte për zemër t’iu përgjigjej të gjitha mesazheve që merrte nga e gjithë bota./Konica.al/Të shkruara me dorën e vet ose, drejt fundit, duke ia diktuar përgjigjet Ninon, gruas së tretë, korrespodenca konsiderohet se përfaqëson një vëllim, një të tretën e veprës. Hese e konsideronte si detyrën të tijën, pasi për shumë lexues, ai përfaqësonte një lloj ndërgjegjeje morale që duhej t’i drejtoheshin për këshilla. Ndër titujt e mëdhenj që na la, citojmë “Ujku i stepës”, “Siddharta”, “Endacaku Knulp”, etj.

“Vetmia është pavarësi: e kisha dëshiruar dhe e kisha fituar për shumë vite. Ishte e ftohtë, po e vërtetë, por ishte gjithashtu e heshtur, mrekullisht e heshtur dhe e madhe sa hapësira e ftohtë dhe e qetë në të cilën rrotullohen yjet. 

Shumica e njerëzve, pra e gjithë grigja, nuk e kanë shijuar kurrë vetminë. Po, ata shkëputen një herë nga babai dhe nëna, por vetëm për t’u strukur pranë një gruaje dhe për t’u qetësuar sa më shpejt, në një ngrohtësi dhe lidhje të re. Asnjëherë të jenë vetëm, asnjëherë të flasin me veten”.

Në romanet e Herman Heses, ashtu si në jetë, vetëzbulimi eci në një shtegth të ngushtë, midis njohurive të thella dhe solipsizmit. Është i famshëm si “autori i krizës”, në romanet e tij ai i nënshtrohet vetanalizës për të gjetur identitetin. Pa dyshim, edukimi i autorit pati një ndikim të madh, si në farkëtimin e personalitetit, ashtu edhe në stilin letrar. Nobelisti jetoi nëpër krizat e jashtëzakonshme politike të Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, duke i mbijetuar vështirësive të mëdha personale dhe izolimit social. Ndërsa bota ishte në kaos dhe jeta individuale ishte e kërcënuar nga ideologji të ashpra konfliktuale, ishte pothuajse e pamundur për çdo individ, që të ndiqte një jetë kuptimplote drejt realizimit të vetes.

“Kushdo që dëshiron muzikë në vend të zhurmës, gëzim në vend të kënaqësisë, shpirt në vend të arit, punë krijuese në vend të biznesit, pasion në vend të budallallëkut, nuk gjen vend në këtë botën tonë të vogël”./Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme