Hermann Hesse, shkrimtari-filozof që krijimtarinë e tij e zhvilloi drejt njohjes së vetvetes

9 Gusht, 2022 - 10:54 am

Hermann Hesse lindi më 2 korrik të vitit 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime.

Hermann Hesse ishte djali i një pastori [prifti] dhe nipi i një misionari kalvinist. Ky ambient familjar ndikoi në formimin e personalitetit të tij. U dërgua të studionte për teologji, por mësimet fetare i braktisi shpejt! Punoi si mekanik dhe librar në Tübingen. Në botëkuptimin e tij moral e filozofik ishte natyralist, mistik, buddhist, aktivist faustian, por gjithmonë intimërisht fetar. Lufta e Parë Botërore i shkaktoi një krizë të rëndë shpirtërore. Doli haptas publikisht kundër dallgës së barbarive që përshkoi Evropën dhe madje arriti ta ndiente veten fajtor për të këqijat e kohës. Edhe më vonë, nga vetë formimi i tij shpirtëror, ishte që në fillim kundër nazizmit dhe adhuronte kulturën angleze. 

Hermann Hesse është poet e prozator me prodhimtari me vlera artistike të larta e sasi të jashtëzakonshme. Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike e politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milion ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu njërin nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921 u bë qytetar zviceran dhe 1946 iu dha çmimi Nobel në letërsi.

Një ndër romanet më të njohura të Hesses është “Siddhartha”, botuar në vitin 1922, i cili rrëfen udhëtimin drejt njohjes së vetvetes të personazhit kryesor Siddhartës në periudhën kur jetonte Gautama Buddha. Shumica e romaneve të Heses kanë pikërisht fokusin këtu, tek njohja e vetvetes. Ndaj, Hese konsiderohet si shkrimtar-filozof që përkushtohet gjatë gjithë krijimtarisë së tij në këtë aspekt. / KultPlus.com

Të ngjajshme