Histori njerëzore, libra që duhet t’i lexoni të paktën një herë

4 Shkurt, 2019 - 7:30 pm

Që e vogël librat më magjepsin. Sigurisht, nuk isha një lexuese e rregullt si sot, por e dija që atëherë se rrëfimet, historitë ishin thjesht të mahnitshme.

Mrekullohem se si një autor, nëpërmjet krijimeve të tij, më bën të ndihem: të trishtuar, të lumtur, të ekzaltuar, ankthioze… Ata mund të shkruajnë për një ngjarje që të kujton fëmijërinë, rininë, një dashuri të humbur… Të tjerë mund të shkruajnë mbi një botë që ti vetëm e ke ëndërruar, një botë fantastike. Të tjerë, me fjalët e tyre, që shpesh të duken kaq të njohura, të udhëheqin drejt rrugëve që nuk e dije se mund t’i merrje.

Një nga gjërat që më pëlqen më shumë nga një libër apo autor është mënyra se si më njeh me eksperienca të reja, perspektiva të reja, ngjarje parë nga një këndvështrim tjetër. Të gjitha këto janë përjetime që të rrisin në karakter. Nuk ka rëndësi mosha, të gjithë kanë nevojë për një udhërrëfyes dhe ndonjëherë të tillë na bëhen historitë që lexojmë. Vitet e fundit kam lexuar libra të mrekullueshëm që më kanë bërë ta shoh botën ndryshe.

Alkimisti – Paulo Coelho

Në këtë libër përshkruhet historia e një bariu të ri andaluzian, me emrin Santiago, i cili guxoi të udhëtonte nga vendlindja e tij, Spanja, për në Afrikën e Veriut në kërkim të një thesari të fshehur te Piramidat. Gjatë rrugës ai takoi një grua të re cigane, mjaft të bukur, një burrë që vetëquhej mbret dhe një alkimist, që nga pikëvështrimi i Santiagos e ndihmuan në kërkimin e thesarit.

Ajo që nisi si një aventurë djaloshare përfundoi me mësimin se thesari gjendej pikërisht në pragun e shtëpisë së tij.

Princi i vogël – Antoine de Saint-Exupery

Një pilot, avioni i të cilit bie në shkretëtirë, takon një princ të ri. Gjatë gjithë historisë, princi ndan eksperiencën e tij me pilotin. Ai ka udhëtuar ne gjashtë planete të ndryshme, secili ka lënë gjurmë të pashlyeshme te princi i vogël. Edhe pse një libër për fëmijë, do t’ju bëjë t’i gëzoheni rinisë dhe të besoni te vetja.

Gjuetari i balonave – Khaled Hosseini

Libri tregon për jetën e Amirit, një djalë nga Kabuli, shoku i ngushtë i të cilit është Hasani, djali i shërbëtorit të babait të tij. Ngjarja është e vendosur në një sfond të ngjarjeve të trazuara, që nga rënia e Mbretërisë së Afganistanit, lufta sovjetike në Afganistan, eksodi i refugjatëve në Pakistan dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngritja e regjimit të talibanëve.

Ku libër do t’ju bëjë  për të qarë. Ky libër do do t’ju zemërojë. Por gjithashtu do t’ju bëjë të kuptoni sesa të rëndësishme janë miqësitë.

Zëra nga Çernobili -Svetlana Alexievich

Më 26 prill 1986 ndodhi aksidenti më i rëndë në reaktorin bërthamor të Çernobilit. Ky libër është një kronikë e ngjarjeve të asaj kohe. Gazetarja Svetlana Alexievich intervistoi qindra njerëz të prekur nga tragjedia, të cilët ndanë historitë e tyre: histori tmerri, frike, zemërimi…

Elona Qose

Të ngjajshme