Humbja e kohës

1 Prill, 2020 - 3:30 pm

Tregim nga Ibrahim Berisha

Në orën 15.10, më mori në celular.

Heq dorë ndryshe, sot do të vriteni si qeni, tha shkurt. E kuptoni, nuk mund të fshiheni askund.

Kisha për të shkruar për mungesën e autobusëve lokalë në Prishtinë. Redaktori priste raportin. Mendoja ta shtroja shkurt problemin për qytetarët që sjell mungesa e trafikut publik në kryeqytet.

Thirrja më tronditi. Heq dorë, heq dorë, përsërita i papërqendruar.

Dje kisha botuar edhe një analizë, ku theksoja mungesën e numrave të celularit që shiteshin e stërshiteshin kontrabandë me çmime shumë të larta.

Eja, po dalim për kafe në “Stampa”, më tha Lumja, redaktorja e showbizit.

Nuk vonohem, i thashë.

Po shkojmë të gjithë, tha Artani, menaxheri i marketingut. Ata janë jashtë. Të presim, mos u vono.

E prisja. Midis shqetësimit të trishtë, më mori përsëri, mbas pesë minutave: Heq dorë, ndryshe do të të vras brenda ditës, kërcënoi.

Ndërkohë unë po mundohesha të zgjedhja ndonjë fjali të veçantë mirëkuptimi. Nuk priti as ta pyesja: kush je? Këputi linjën.

Do të vriteni, tha më herët, tashti: do të vras.

Kisha përpara letrën e banorëve të tri fshatrave të Shalës, të cilët për mungesë mjeku në ambulanca, duhej të udhëtonin në Mitrovicë. Këtë e bëjmë edhe për sëmundjet më pak të rrezikshme, shkruanin. Gjithçka sot është e rrezikshme, mendova me buzagaz të ngrirë dhe po në atë ndërkohë, cingëroi përsëri celulari.

Heq dorë, ndryshe do të vrasë brenda ditës, tha ai me zë të shpejtë, ndërsa unë po ngrihesha nga vendi ta pyesja se nga çfarë duhej të heqja dorë. Ju lutem, më trego, nga çka të heq dorë? Ra linja.

Futa celularin në xhep, mendova ta mbyll, por prisja thirrjen e gruas, e cila tashti sigurisht qe duke përgatitur ushqimet, pasi për darkë do të vinte mysafir, familja Kera nga lagjja Çair e Shkupi, tek e cila qëndruam tre muaj gjatë luftës. Njoftimi për mysafirët më detyronte të mos fikja celularin.

Ishte ora 15.32 minuta, kur zëri i njohur thirri përsëri: Heq dorë o i shkretë, ke vetëm pak çaste për të vendosur. Tha vetëm kaq.

Unë provova në një mënyrë të paprovuar deri atë kohë frikën që më humbi drejtpeshimin jo vetëm të të ecurit, por edhe të të menduarit.

Një herë sot, pastaj pak nga pak, vetëm një orë, pastaj vetëm pak çaste, kaq e tmerrshme, fola dhe godita tavolinën me grusht.

E braktisa karrigen time, duke u tundur dhe në majë të gishtërinjve bëra nga dritarja të shoh mos dukej njeri i dyshimtë përpara ndërtesës së redaksisë. Nuk kishte të dyshuar afër mureve të mbretëruara nga sipërfaqja e çimentosur. Nuk kishte njeri që ndalej përballë dhe priste për të kryer aktin. Anash sallonit të odulimit,”Bukuria”, qëndronte e vetme një grua, ndërsa afër saj, të shtrirë pushonin tre qenë endacakë.

Mund të jetë edhe grua, mendova. Kjo mund të jetë, kur po i thosha pa dilemë vetes: Kjo duhet të jetë, ajo iku, sa i erdhi tax-i. Shikon kot, mendova. Ai mund të jetë fshehur aty ku nuk e sheh njeri.

Celulari cingëroi dhe në mëdyshje e hapa.

Unë heq dorë, i thashë, sa linja u hap. Nga të gjitha heq dorë, më kupton.

Jo, tha ai, tashti është shumë vonë. Vendimi i vonuar nuk ka vlerë.

Dera u hap dhe dy plumba më goditën njëri në dorën e majtë dhe tjetri në këmbën e djathtë. Në ulësen e tundur nga dridhja, ranë pluskat e ngrohta dhe të holla të gjakut.

Ai vuri gishtin vertikalisht përpara gojës, nënkuptohej se nuk guxoja të thosha asgjë. Të rrija i qetë.

Nuk nxora as klithmë, as ofshamë.

Pendim i vonuar, por të shpëtoi, tha një burrë trupgjatë, me revolen në dorë. Do ta dish kush jam, pyeti.

Jo, i thashë. Faleminderit shumë. Humba kohë. Nuk përfilla paralajmërimin.

Ditën e mirë, tha.

Faleminderit, i thashë. Por ai nuk e ktheu kokën mbas. / KultPlus.com

Të ngjajshme