Hysa: Një përkthyes të mirë e bën kultura e gjerë dhe kureshtja për të mësuar sa më shumë

1 Janar, 2020 - 3:00 pm

Bujar Meholli

Me të marrë një libër të përkthyer nga Mimoza Hysa nuk mund ta lëshosh nga duart gjer në faqet e fundit. Gjuha e pastër shqipe që përdorë dhe leksiku i pasur, e bëjnë atë padyshim njërën nga përkthyeset më të mira shqiptare, e cila është fituese e disa çmimeve të rëndësishme në fushën e përkthimeve letrare.

Ajo përveçse përkthyese, është studiuese dhe shkrimtare e afirmuar. Mimoza ka lindur në Tiranë ku dhe ka mbaruar studimet për gjuhë dhe letërsi italiane me tezën mbi poezinë e Montales.

Po bëhen 28 vjet gjatë së cilave ajo ka sjellë në shqip shumë vepra të njohura nga autorë të shquar evropianë e botërorë.

Në këtë intervistë për KultPlus, Mimoza shpalos shumë gjëra me interes për lexuesit, që nga përpjekjet e para për të përkthyer, sukseset, kontakti me Tabucch-in,  modelet që ka ndjekur, autorët e preferuar, e deri tek planet e ardhme të saj…

KultPlus: Si filloi karriera juaj në fushën e përkthimeve letrare?

Përkthimi ka nisur paralelisht me mësimin e gjuhës së huaj, pra jo në rendin e duhur, pas përvetësimit të mirë të gjuhës së huaj. Jetonim në një kohë kur kishte pak përkthime nga gjuhët e huaja dhe jo shkrimtarët që do të dëshironim të lexonim, kështu që kishim ngut për të kapur kohën dhe përkthimi ishte mënyra për t’u bërë të ditur miqve dhe shokëve autorë dhe libra që vështirë të kapërcenin filtrin e censurës. Natyrisht nuk ishin përkthime për botim dhe kjo e lehtësonte nevojën për përsosmëri, ishte etja për të lexuar çfarë na ishte ndaluar.

KultPlus: E mbani mend se cili ka qenë teksti i parë që e keni përkthyer?

Mbaj mend tekstin që kam marrë më seriozisht për të përkthyer, dhe që nis me vargun: “Silvia, a të kujtohet…”. Ka qenë poezia “Silvias” e Leopardit, një poet filozof i trishtimit që më shkonte për shtat (“për mendje” do të thosha më mirë) në kohën e adoleshencës sime. Poezinë e përktheva në vitin e dytë të shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja dhe shkova t’ia tregoja historianit dhe përkthyesit Injac Zamputti, biri i së cilit ishte mësuesi im i gjuhës italiane. Profesori i nderuar më përgëzoi për dëshirën dhe vullnetin dhe diskutoi me mua për rreth një orë për variantet e përkthimit. Ishte leksioni i parë i mirëfilltë për përkthimin që më bëri të kuptoj sa rrugë të gjatë kisha për të bërë.

KultPlus: Është më i vështirë përkthimi i një vëllimi poetik apo i një romani?

Çdo përkthim për të qenë një përkthim i mirë është i vështirë, por përkthimi i poezisë shkon në skajin e pamundësisë. Debati sesa humbet poezia në përkthim ka qenë dhe mbetet i hapur. Është i njohur një eksperiment i Eugenio Montale-s, i cili edhe pse kishte qenë vetë përkthyes i soneteve të Shekspirit, të poezisë së Blake-t, Yeats-it, Eliot-it e me radhë, dyshonte në mundësinë e përkthimit të arrirë të poezisë së tij. Për këtë arsye, pak vite para se të vdiste, më 1978, i kërkoi studiueses Maria Korti të realizonte një eksperiment interesant: përkthimin zinxhir të poezisë “Stanca të reja” nga vëllimi “Rastet” në dhjetë gjuhë, sipas parimit të lojës “Telefoni i prishur”. Vetëm përkthyesi i parë i gjuhës arabe ishte në dijeni të autorit, ndërsa përkthyesit e tjerë punuan në mungesë të çdo reference dhe konteksti ndihmues. Rezultatet e eksperimentit u botuan vetëm më 1999, në mungesë të autorit. Ajo që vërtet kishte humbur në përkthimin “symbyllazi” ishte pikërisht thelbi i poezisë së tij. Duke ia njohur poezisë së tij grackat tinëzare, sfumaturat stilistike të holla, përkimet e largëta përhumbëse, Montale i kishte parashikuar keqkuptimet që mund të sillte përkthimi “lakuriq”, pa njohjen paraprake të poezisë dhe autorit, dhe pa një proces përgatitor në kulturën pritëse. Po edhe kur të gjitha këto kushte paraprake plotësohen përsëri është e vështirë të përkthehet muzikaliteti i poezisë dhe figuracioni letrar. Shkalla e vështirësisë ndryshon edhe nga stili i poetit. Meqë përmenda dy nga poetët e mi të parapëlqyer: Leopardi e Montale nga letërsia italiane, do të thosha se humbet më shumë poezia e Montales në përkthim sesa ajo e Leopardit. Po humbje ka, gjithsesi.

KultPlus: Çfarë e bën një përkthyes që të cilësohet i mirë?

Përkthyesit nuk janë në garë për titullin e më të mirit, se nuk mund të ketë një ndarje të tillë. Po natyrisht mund të dallohet një përkthim i mirë nga një përkthim jo i mirë. Një përkthyes të mirë e bën kultura e përgjithshme që ka, kureshtja për të mësuar sa më shumë, leximet e shumëllojshme, vullneti dhe ngulmimi për të bërë më të mirën, e padyshim talenti.

KultPlus: Mendoni se gjuhës shqipe ende i mungon përkthimi i shumë prej veprave të mëdha botërore?

Do të thosha se është bërë një punë e madhe në këto tridhjetë vite në Shqipëri për të fituar kohën e humbur në përkthimin e kryeveprave të shekullit të kaluar e sidomos në përkthimin e letërsisë bashkëkohore. Tashmë një pjesë e mirë e kryeveprave botërore janë përkthyer. Megjithatë është e pamundur të jemi në një hap me gjuhët “e mëdha”,  në kuptimin e numrit të banorëve që e flasin atë gjuhë. Ka ende shumë vepra të autorëve nobelistë, apo të emrave të njohur të letërsisë botërore të pa përkthyera. Po kështu kemi mangësi në përkthime nga gjuhë që njihen pak si gjuhët e vendeve aziatike, të Evropës veriore apo të Afrikës. Është e natyrshme për një vend të vogël, me një gjuhë të rrallë, e për më tepër që ka kaluar një periudhë të gjatë veçimi me përkthime me pikatore.

KultPlus: Keni pasur ndonjë përkthyes që e keni ndjekur si model?

Kam adhuruar profesorin tim të lëndës së përkthimit, Shpëtim Çuçkën, për gjuhën e pasur, sintaksën e përkryer dhe zgjidhjet “pa firo” në përkthimet e tij. Me kalimin e kohës kupton se modelet as nuk kopjohen e as nuk tejkalohen: thjesht ti ke një rrugë tënden për të ndjekur që nuk ngjason me rrugën e askujt tjetër.  

KultPlus: Mund ta përmendni ndonjë vepër nga ato që i keni sjellë në shqip, që e konsideroni si më të veçantë?

Kam pasur fatin t’i përzgjedh vetë veprat që kam përkthyer gjë që do të thotë se më kanë pëlqyer dhe i kam vlerësuar të rëndësishme për lexuesin shqiptar. Po do të veçoja tregimet e magjishme të Buzzati-t për fantazinë dhe gjetjet befasuese, romanet e Tabucchi-t për stilin dhe mesazhet e thella, rrëfimet e mahnitshme e të pazakonta të Baricco-s apo poezitë e ngërthyera me ide dhe vizione të Montales. Kam adhuruar mënyrën sesi Mazzantini krijon strukturën e rrëfimit dhe sesi ruan befasinë për lexuesin, apo sesi Mazzucco ndërton figurat e personazheve femra, krejt të pazakonta e të pangjashme me personazhet femra të krijuara nga shkrimtarët meshkuj. Jam argëtuar pa masë duke përkthyer romanet e Domenico Strarnone-s dhe më ka mbetur në mendje mënyra sesi përdorë regjistrin bisedimor në rrëfim për të shprehur ide të mëdha me gjuhë të thjeshtë e të shkathët. Kam udhëtuar duke zbuluar vende e njerëz, duke kuptuar më mirë veten dhe tjetrin përmes përkthimit të Claudio Magris-it. Çdo përkthim ka qenë një shkollë e kënaqësi më vete.

KultPlus: Keni në plan ndonjë krijim tuajin?

Sapo kam botuar romanin “Bijat e gjeneralit”, një histori e unit të dyzuar, mes së mirës dhe së keqes, mes liberales dhe konservatores, mes rrugës së shtruar nga të tjerët dhe asaj të shtyrë prej zemrës, mes zilisë dhe urrejtjes, mes kërkimit të ethshëm për dashuri dhe atij për lavdi. Është historia e gjithsecilit pavarësisht kohës dhe vendit, e luftës për të pranuar veten me të gjitha veset dhe virtytet. Janë dy faqe të së njëjtës medalje, dy identitete të ndryshme që shkrihen në një njeri. Ndërkohë kam në dorë dhe një vëllim me tregime. Tregimi është gjinia ime e parapëlqyer se i përngjan rrufesë në qiell të pastër: një krismë tensioni që në pak faqe mund të pikturojë një botë të tërë, të japë ide të mëdha apo dhe thjesht një kënaqësi estetike të rrallë që të godet e të mbetet në mendje. Punoj paralelisht me përkthime dhe shkrime.

KultPlus: Cilët janë autorët (shqiptarë dhe të huaj) tuaj të preferuar?

Janë shumë klasikë që më kanë formuar, janë shumë emra që kanë lënë gjurmë në periudha të ndryshme të rritjes sime. Parapëlqimet ndryshojnë me moshën, kohën dhe formimin, por disa prej tyre i lexoj gjithnjë e i mbaj me vete si romanet e shkrimtarëve kaq të ndryshëm me njëri-tjetrin si: Kafka, Coetzee, Jelinek, Houellebecq, Cortazar, Magris, apo poezitë e Pavese-s, Amichai-t, Ricos. Kohët e fundit po lexoj me shumë kureshtje tregimet e një autoreje të re argjentinase: Samanta Schweblin, si dhe veprat e nobelistes së fundit polake Olga Tokarczuk. Ka kaq shumë letërsi të mirë sa të duhet vetëm kohë në dispozicion për ta shijuar.

KultPlus: Si shikohet nga prizmi juaj letërsia e sotme shqipe?

Vështirë të jepet një përgjigje e shkurtër për një temë kaq të gjerë që kërkon trajtesë të thellë, por, me pak fjalë, mund të them se ka prurje për t’u vlerësuar në letërsinë e sotme shqipe, ka autorë që meritojnë vëmendje. Gjuha është pengesë për përhapjen e letërsisë shqipe jashtë vendit, jo thjesht për t’u njohur nga lexuesi i huaj, por për të pasur më shumë lexues, meqenëse jemi vend i vogël dhe, për rrjedhojë, numri i lexuesve është i pakët. Në mendimin tim, arritja kryesore e letërsisë së sotme shqipe është fakti që, si rrallë herë gjatë historisë së saj, letërsia shqipe ndodhet në të njëjtën fazë zhvillimi me letërsinë botërore dhe komunikon denjësisht me të. Është me rëndësi të theksohet se letërsia shqipe tashmë nuk lëvrohet vetëm brenda kufijve, por ka emra të rëndësishëm edhe në vende të ndryshme të botës, gjë që i kanë falur më shumë frymëmarrje dhe diapazon.

KultPlus: Po një përkthyes i ri ç’duhet të ketë parasysh kur t’i hyjë kësaj pune?

Së pari të jetë i durueshëm dhe më vullnet se një përkthyes i mirë bëhet pas një pune të gjatë dhe ngulmuese. Shumë lexime çfarëdo, por edhe udhëtime fizike apo virtuale për të njohur botën. Përpos njohjes së thellë të gjuhës së huaj, duhet të ketë aftësinë e lëvrimit të përsosur të gjuhës shqipe. Pasion për punën dhe dashuri për librat në përgjithësi dhe letërsinë në veçanti. Përkthyes të mirë të bën kultura e gjerë e sidomos kureshtja dhe dëshirë për të mësuar gjithë jetën.

KultPlus: Si lindi ideja që t’i sillni për publikun shqiptar veprat e Antonio Tabucchi-t?

Si përkthyese nga gjuha italiane kam qenë gjithnjë e vëmendshme për të zbuluar dhe sjellë në shqip autorë italianë të pa përkthyer më parë. Tabucchi-n për çudi e zbulova në një mënyrë të tërthortë: po lexoja një vepër të Pessoa-s të përkthyer nga Tabucchi në gjuhën italiane. Më pas lexova për përkujdesjen e  një shkrimtari si Tabucchi për të bërë të njohur veprën e Pessoa-s në Itali. Kështu u njoha dhe me Tabucchi-n si autor. “Dëshmon Pereira” është vepra e parë që i kam lexuar dhe vendosa të bindja botuesit për t’i blerë të drejtat dhe për ta sjellë në shqip. Gjatë procesit të përkthimit u vura në kontakt me autorin: e kam bërë me të gjithë autorët e gjallë që kam përkthyer. Intervista që i mora Tabucchi-t ka qenë e vetmja e këtij autori në gjuhën shqipe, ku ai vlerësonte punën e përkthyesit. Për Tabucchi-n “Të përkthesh do të thotë të kuptosh thellësisht një autor dhe të jesh bashkëpunëtor me të. Por mbi të gjitha, përkthimi, u shpreh ai, është një transportues i mrekullueshëm: pa përkthimin shkrimtari do të mbetej i burgosur në vendin e tij, qoftë ky i madh apo i vogël. Edhe një vend i madh kur të mban të burgosur është vend i vogël, sepse burgjet janë të vogla edhe kur janë të mëdha.”    

KultPlus: E shihni si arritje të madhe tuajën përkthimin e romanit “Dëshmon Pereira”?

Është padyshim një nga romanet më të mira që kam përkthyer dhe për më tepër një nga romanet më të dobishëm për lexuesin shqiptar. Romani ngre një pyetje të rëndësishme: cili është roli i intelektualëve në një shoqëri totalitare? A duhet intelektualët të angazhohen në politikëbërje, në problemet madhore të një vendi? Apo duhet të japin kontributin duke bërë atë që dinë të bëjnë më mirë në fushën e tyre? Pyetja është mëdyshje e madhe që shoqëron çdo mendimtar të suksesshëm në vendin e tij, sidomos në periudha të errëta kur cenohet liria e individit. Më ndjek shpesh pyetja që Pereira, gazetar dhe njeri i letrave në roman, i bën vetes kur njihet me Monteiro Rosin dhe të dashurën e tij, dy të rinj të angazhuar në luftë kundër regjimit totalitar të Salazar-it në Portugali: Po sikur këta të rinj të kenë të drejtë dhe unë ta kem gabim? Do të thotë që kam çuar dëm një jetë.

KultPlus: Sa ju merr kohë procesi i përkthimit dhe a e shihni atë, përkthimin, si rikrijim?

Koha varet nga vështirësia e librit që do të përkthej. Për përkthimin e vëllimit poetik “Rastet” të Montale-s me 182 faqe m’u deshën plot tri vjet, ndërkohë që kisha mbi dhjetë vjet që mundohesha ta njihja dhe kuptoja poezinë e tij. Kur mësova se përkthyesit në anglisht të po së njëjtës vepër i ishin dashur tetë vjet u ndjeva e lehtësuar, ndërkohë që për përkthimin e romanit “Lidhëse” të Domenico Starnone-s me po të njëjtin numër faqesh më janë dashur më pak se dy muaj.  

Ndërsa për mënyrën sesi e shikoj përkthimin do të përmendja shprehjen që përdori Claudio Magris kur erdhi në Tiranë për të promovuar përkthimin e veprës “Udhëtim pa mbarim”: “Viaggio infinito” është shkruar prej meje, ndërsa “Udhëtim pa mbarim” është shkruar nga unë dhe Mimoza Hysa. Përkthyesi është jo thjesht lexuesi, kritiku më i mirë i një vepre që përkthen, por edhe shkruesi i asaj vepre në gjuhën e tij. Sado i mirë dhe i talentuar të jetë autori i veprës, është meritë e përkthyesit nëse ajo vepër lexohet po me të njëjtën endje në gjuhën tjetër.

KultPlus: Cilat janë planet tuaja, a do të ketë lexuesi shqiptar së shpejti në duar ndonjë vepër të përkthyer nga ju?

Për planet dihet shprehja që nëse Zoti do të na dëgjonte, do të qeshte me ne. Po ndërkohë mund të them se unë kam gjithnjë disa punë paralelisht: po përkthej një roman të Melania Mazzucco-s dhe kam një tjetër roman të Claudio Magris-it në radhën e punës. Pastaj sapo më jepet paksa rasti të arratisem larg njerëzve e të vjedh pak kohë për vete, shkruaj…uroj shumë që ky vit të jetë i begatë në “kohë për vete”: të më japë mundësinë të përfundoj një vëllim me tregime të nisur prej kohësh.  /KultPlus.com

Të ngjajshme