Ibrahim Kadriu shpërblehet me çmimin “Pena e artë” në Suedi

5 Prill, 2019 - 2:10 pm

Ditë më parë, në Suedi, në qytetin Boras, u mbajt Festivali Ndërkombëtar i Poezisë, i teti me radhë, “Sofra poetike Boras 2019”, organizuar nga Qendra Kulturore Shqiptare e Borasit.

Ishte ky një event i rëndësishëm me pjesëmarrjen e shumë poetëve, me ç’rast u prezantua edhe “Antologjia poetike” e autorëve pjesëmarrës. Në këtë manifestim laureat i takimit ishte Ibrahim Kadriu, të cilit iu nda “Pena e artë” për gjashtëdhjetë vjetorin e krijimtarisë së pandërprerë letrare, transmeton Koha.net.

Manifestimi letrar vazhdoi edhe në Nordshoping, ku u bë prezantimi i Ulmar Kvikut, me rastin e botimit të librit të tij “Më shumë heroizma sesa grurë”, që çmohet si kryevepër në mesin e veprave të tjera që ky autor (tash në moshën e shtyrë) ka botuar. Ulmar Kvik, siç dihet, për gjysmë shekulli ka qenë i lidhur shpirtërisht me popullin shqiptar.

Në kuadër të këtij manifestimi në Goteborg u organizua takimi me publik, ku u fol për zhvillimin e letërsisë shqipe pas tranzicionit, si në Shqipëri (foli Prof. dr. Zyhdi Dërvishi) dhe në Kosovë (foli Ibrahim Kadriu), ku edhe u përurua libri poetik i Ibrahim Kadriut, me titull “Udhëkryqet”, përkthyer nga Hamit Gurguri dhe redaktuar nga poetja Anna Mattsson, e cila njëherësh është edhe anëtare e Bordit të PEN-it suedez. Para të pranishmëve, të cilët edhe bënë pyetje të shumta, Anna Mattsson i lexoi poezitë e Ibrahim Kadriut në gjuhën suedeze, ndërkaq autori i lexoi shqip.

Të ngjajshme