Identiteti i humbur në romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur”

25 Maj, 2020 - 8:30 pm

Recension nga Shqipnora Dauti për romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur” të Rivdan Dibrës

Vepra “Në kërkim të fëmijës së humbur”, teorikisht cilësohet si roman, por praktikisht lexohet si përmbledhje me tregime. Vepra  përbëhet nga gjithsej 28 tregime, të shpalosura në një vijueshmëri ngjarjesh që rrekin jetën, përkatësisht fëmijërinë e autorit. Bota e perceptuar nga një këndvështrim ndryshe, i realizuar në mënyrë mjeshtërore arrin t’i ofrojë lexuesit një realitet të shprishur me rrethanat në të cilat zhvilloheshin secila ndodhi apo ngjarje.

Te romani i Dibrës narratori-personazh është fëmijë dhe quhet Ridvan, vetëm se në fund të secilit tregim shfaqet i rritur. Bashkudhëtarët e tij nëpër këtë vijë rrëfimore janë babai dhe Ili. Njëri e mëson me ashpërsinë e zbatuar në emër të edukatës, ndërsa tjetri e “detyron” të rrezikojë për të zbuluar enigmat e jetës. Dibra, kujtimet e tij i fillon me dashurinë për librin, më saktësisht librin e parë për të rritur “Manastiri i Parmës” nga Stendal. Sado i vogël që ishte, entuziamin e kishte shumë të madh, ndërsa babai kishte drojën: “Do të luaj mendsh!”.

Bota e tij nuk kënaqej me përralla si çdo fëmijë tjetër, e nga kjo babai mbylli bibliotekën.

Përshkrimi i pastër i një fëmije me aq gjallëri në atë moshë minore, jepte edhe tablot e ndodhive të shumta që kishte kaluar, padyshim me iniciativë të shokut të tij, Ilit. Ndër to janë: vizita te shtëpia e shtrigave, shikimi i filmit të parë, kopjimi i çelësit të bibliotekës së babait, përgjimi te tualeti i vajzave etj. Ndërthurja rrëfimore e romanit lëviz rrjedhshëm duke u shëndrruar  nga përjetuesi dhe  dëshmitari i gjallë i të  gjitha ngjarjeve, në personazhin kryesor të romanit.

Me anë të kujtimeve  dhe përfundimeve të papritura shfaqen lidhjet  që e gërshetojnë.

Lidhja koherente mes ngjarjeve pasqyron një botë të humbur të autorit, një Ridi që jeton i shtypur, pa qenë i udhëzuar të vetëmësohet me hapat fëmijëror të jetës së tij. Preokupimet kundrejt moshës, ishin jashtë normales së një fëmije të zakonshëm. Këtë e shohim më së miri  tek entuaziami për të lexuar një vepër voluminoze dhe duke i vënë vetes një urdhër  leximi me pesëdhjetë faqe në ditë. Sfidat që i dilnin përballë nuk e tundonin shpirtin e tij kërkues. Konceptin e humbur jetësor e rikthen në të kaluarën me anë të reminishencës. Autori ngre lart dyshimet pse jeta e tij vazhdoi në këtë mënyrë, madje duke i ndërlidhur ngjarjet  me ato të kohës së sotme, duke i dhënë kuptim më të fuqishëm. Fëmijëria nuk ishte më fatlumja. Autori  sa qëndron në fëmijëri, kthehet  në kohën që është i rritur. Një raport misterioz njeri-gjarpër që, s’dihej se çfarë baze dhe burimi kishte, e jep tregimi “Dervishi dhe gjarpri”.  Pasioni i femrës ishte çështje ngërthyese e shpirtit, autori e quan gjarpër, që po se pate njëherë në gji, nuk ia di kuptimin jetës.

Tregimi “Lakuriqët e natës”, në kuptim të parë del lufta e fëmijëve kundër gjitarëve të lashtë që gjahun e bëjnë natën. Në postmodernizëm,  janë femrat që “gjahun” e zhvillojnë nëpër errësirë, m’u si lakuriqët.  Në kuadër të kësaj tematike hyn edhe tregimi “Shtëpia e shtrigave”. Kush ishin ato, që të vegjëlit e rrugicës kishin frikë dhe kishin dëgjuar mendime të ndryshme për to, kurse të rriturit i urrenin. Kurioziteti për të zbuluar çdo enigmë që i dilte para, Ili gjithnjë e tërheq Ridin, për ta parë realitetin e tyre. Me guxim të fortë kapërcejnë murin. Ato shtriga ishin femrat më të bukura të lagjes. E këtu qëndron habia e një fëmije. Pse ato quhen shtriga kur nuri i tyre ishte përrallor? Quhen shtriga sepse bëjnë dashuri pa qenë të martuara – tha Ili.

Nëpërmjet ngjarjeve jemi më afër konceptit fëmijëror, madje disa edhe mund të na kujtojnë fëmijërinë tonë. E veçanta e romanit qëndron për faktin sepse secili tregim ka një lidhje mes së kaluarës dhe së tashmes, jep një shpjegim çfarë e shtyu dhe çfarë e ndërlidh kujtimin me raportet e kohës se sotme. Një pikë interesante që tregon autori padyshim që është edhe lakmia për gjërat e tjetrit: fatin, lumturinë, pasurinë, gruan apo shtëpinë. Përmes tregimit “Arrat e Fanit”, qëndron lakmia për arrat e komshisë, por duke harruar gjithë ato begati që gjendeshin në bahçen e tij. Sa më lakmitar, aq më i pangopur është njeriu.

Personazhi sa luan ( tregimi “Balonat”), sa mëson (Mësimi i notit, biçikletës, loja e shahut), sa shkel rregullat ( Shenjat e mëkatit). Tek mësimi i notit, kemi zhvillim të personanzhit, tek mësimi i biçikletës, autori tregon hapur për ngecjen e vozitjes së makinës. Sado që e mbulon me arsyetime të ndryshme si: frika nga aksidentet, dëshira për të ecur këmbë, pamundësia për të blerë makinë; nuk e mbulojnë boshllëkun që i ati nuk ia mësoi gjërat si dikur.

Si fëmijë, ishte nxënës i mirë i babait, që e falënderon për mësimet (not, biçikletë) që i kishte dhënë, madje të gjitha vështirësitë pos tij, askujt nuk ia besonte.  Sado që dëshironte të mësonte gjithçka që e rrethonte, ai dinte të ishte edhe rebelues. Në tregimin “Në kamp”, nuk arriti të përshtatej me mjedisin e ri dhe me rregullat që përmbante. Ai kishte shkuar si nxënës i dalluar, por  nuk ndihej i tillë në atë kamp veror. As nuk shoqërohej me fëmijë.

Përvoja e tij sa duket tërheqëse, po aq edhe e palumtur dhe dramatike, jo që ai s’ka qenë i prirë të jetojë siç duhet, por kryekëput për shkak të rrethanave dhe marrëdhënieve që kanë mbizotëruar brenda familjes, por njëherazi edhe brenda shoqërisë në përgjithësi. E tek sot, përpiqet të gjurmojë balancin jetësor dhe të gjejë shkak/pasojën e asaj jete të çrregulluar. Fazat e tij kanë qenë të dhimbshme duke i dhënë një rritje të panatyrshme. Obligimet ndaj shtëpisë, leximi i librit tinëzisht, shtypja nga shoqëria, mospërkrahja për avansimin intelektual të tij, pasivitetit ndaj çdo pune, frika për t’i shkelur rregullat familjare dhe ato të jetës, përplasin botën me realitetin që jetonte. Pjekja e parakohshme lidhet me zhvendosjen nga bota përkatëse me një zhvillim të mbrapshtë të personalitetit të fëmijës.

Pra, pos që kemi ndeshje kohore, kemi edhe lidhshmëri të rrjedhës së ngjarjeve mes kohëve të ndryshme. Sa herë që devijonte rrugën e tij, shihte pasojat që i kanoseshin. Tregimi “Ferrmacat”, e shpjegon më së miri, duke paraqitur shpërfilljen e parave përtej të zakonshmeve. Ngjarjet e rrëfyera brenda vetes ngërthejnë një botë të lidhur me përjetime të vërteta. Fëmijëri  e  përshkruar në mënyrë besnike.

Një ndër mikrotemat që përbën tema e madhe e romanit, është edhe aftësia e tij e botës krijuese, duke u shpallur si njëri ndër tre fituesit e parë në revistën “Pioneri”. Në tregimin “Tri vjersha me nga tri strofa”, janë e gjithë pasqyra shpirtërore e hapave të parë drejt rrugës së artit krijues. Si fëmijë meritoi shumë, e mori pak. Nuk e pa entuziazmin e babait, kur i biri ishte shpallur fitues dhe u shqua si shkrimtar, madje ai edhe u nënvlerësua: “ Vetë i ke bërë këto? Në rregulll… A e ke mbushur shportën me fiqa?”. Ja, deri ku shkon përkrahja e tij, sado që kishte një lidhshmëri me të atin. 

Sado që na duket e pabesueshme për gjërat që bën si fëmijë i mitur, aq më shumë na befasojnë detyrat që e ngarkojnë prindërit rreth punëve të shtëpisë. Thënë shkurt ka qenë fëmijë i shfytëzuar duke arrirë një pjekje të parakohshme.

Tek në tregimin “Me dorën e majtë”, dha jetën e kohës komuniste, Në këtë tregim nëpërmjet fëmijës majtak ironizohet diktatura majtiste, që kërkonte nga fëmija të shkruante me dorë të djathtë. Në fund të secilit tregim, janë dhënë edhe arsyet të cilat e kanë shpënë autorin deri tek ato kujtime fëmijërie. Ndikimet e tij lidheshin me faktorët e brendshëm  shpirtëror dhe ata të jashtëm njerëzor. Ndodh një përplasje midis dy kohëve të largëta, një reminishencë interesante midis asaj sesi e kishte zbuluar të vërtetën atëherë dhe sesi e zbulon atë tani. Ndodhia reale e periudhës së kaluar, transformohet në ndodhi artistike të shkruar. Zhvendosja ndodh me aktivizim dhe shkarkim të kujtesës, që poashtu ka një shtysë, një reagim për të nxjerrë në pah gjurmët e pashlyera në qenien e tij te brishtë.  Kështu shkrimtari  shpalos portretin dhe identitetin fëmijëror brenda kohës dhe hapësirës ekzistenciale, duke e ngritur aq më lart edhe identitetin e tij artistik përpara lexuesit. Kërkon identitetin e tij të humbur e të papranishën në kohën e duhur.

(Punimi është paraqitur në lëndën Letërsi aktuale shqipe, studimet master, Dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë) /KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme