‘Ikja e çiftit Agolli na e varfëroi qytetin’

26 Shkurt, 2019 - 9:30 pm

Shkruan: Alfred Peza

Kur rreth një muaj më parë, në ekranin e celularit mu shfaq emri i Sadije Agollit, hezitova një sekondë për ta hapur. Pas vdekjes së Dritëroit e merja herë pas here, derisa besova se kishte nisur që të mësohej me mungesën.


Por kur bisedova një ditë me Elonën, më konfirmoi të kundërtën. Atëherë mendova se kisha të drejtë që kisha krijuar idenë se ishin një çift i lidhur aq pazgjidhshmërisht, sa prej shumë vitesh ishin bërë “vëlla e motër siamezë”. Jo vetëm që kishin marë tiparet, të mirat dhe huqet e njër- tjetrit, por edhe frymën me sa duket, e mernin për njëri tjetrin.


Pasi e ngrita celularin, Sadija e vërtetoi ngurimin tim, pasi mu “ankua” miqësisht siç dinte veç ajo, për “harresën”. Duke më vlerësuar veçanërisht, kur më kërkoi që të shkruaja kujtimet për Dritëroin, si pjesë të projektit të saj më të ri, me miqtë e tij. 
Rrallë qëllon të takosh një grua që jeton për bashkëshortin, me përkushtimin e një nëne dhe “engjëllit” të tij mbrojtës. Ikja brenda dy vjetësh nga Ai, tregoi se dashuria e tyre si nëpër filmat e neorealizmit italian, kishte në ADN-në e saj, pafundësinë e të gjitha ngjyrave shqiptare. 
Ikja e çiftit Agolli, na e varfëroi qytetin. Breza të tërë shqiptarësh u rritën e jetuan me librat dhe bisedat, për historinë e jetës së tyre të jashtëzakonshme. Lamtumirë Sadije! 

Të ngjajshme