Ilir Ikonomi, autori që spikati shpirtin e Fan Nolit: Ai duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston, jo të kthehet në Shqipëri

30 Dhjetor, 2023 - 7:00 pm

Era Berisha

“Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë.” Është një nga thëniet më të famshme që na vjen nga poeti, diplomati, publicisti dhe shqipëruesi, Theofan Stilian Noli i njohur ndryshe me emrin Fan Noli, dhe një e tillë na lidhë pikërisht me penën e autorit Ilir Ikonomi, i cili të vërtetat e prapaskenave të jetës e veprimtarisë së Nolit, na i ka plasaritur përpara syve nëpërmjet librit biografik të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”, shkruan KultPlus.

Noli, figura më e debatuar politike dhe historike është rijetësuar me botimin e vëllimit të parë të librit “Apostulli” në një formë të atillë që nuk e kemi lexuar deri më tani. Ky fundvit e ka gjetur autorin Ikonomi në një atmosferë plot magji, aty ku faqet e libri të tij, të bëjnë të digjesh nëpërmjet rreshtave, të frymosh me to, e të kuptosh rëndësinë e figurës së Nolit si kurrë më parë.

Biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra shkrime të botuara kudo në botë, por është pikërisht kjo figurë gjigande që e ka ngacmuar autorin Ikonomi për t’i përvjelë mëngët e për t’iu përveshur punës për ta sjellë në dritë ‘Apostulli’, suksesin e të cilit as ai vetë nuk mund ta shijonte aq shumë, për shkak të frikës nga përgjegjësia përpara lexuesit si dhe kohës së pamjaftueshme për të vazhduar me shkrimin e vëllimit të dytë të librit që konsiderohet si sfida e tij e radhës, ngaqë nuk dëshiron t’i zhgënjejë lexuesit besnik të tij.

Për të shkruar për figurën shumëdimensionale të Nolit, nuk do të ishin të mjaftueshme as të gjitha letrat në botë, por veprimtaria e tij në fushën politike, diplomatike, klerike, poetike, publicistike dhe shqipëruese, së fundmi është përmbledhur në 430 faqe në librin “Apostulli”. Autori Ikonomi studioi mbi 40 mijë faqe në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe.

Vendimin për të shkruar jetën e Nolit e mori me shumë ngurrim, pasi që Noli është një figurë mjaft e respektuar mes shqiptarëve, prandaj droja e tij ka qenë se mos portreti që mund të jepte, të ishte i paplotë. Noli si një figurë e komplikuar ka lëvruar shumë fusha dhe detyra e Ikonomit ishte të lexonte gjithçka që ishte shkruar, përpara se ta shkruante vetë. Kjo qe një sfidë e madhe që po e merrte përsipër prandaj edhe ngurroi për një kohë të gjatë. I thoshte vetes: “Le të mos jetë libri im më i miri në këtë fushë, por të paktën të shtoj edhe unë diçka të re në studimet për Nolin.” Dhe kështu nisi gjithçka.

‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar e vizionar. Materialet që autori Ikonomi ka siguruar për Fan Nolin, janë më shumë se një libër, andaj edhe është paraparë të ndahet në dy vëllime. Sipas tij, për Nolin mund të flitet shumë. Vëllimi i parë, edhe pse ka 430 faqe, mund të kishte shumë më tepër, aq shumë gjurmë ka lënë Noli mes shqiptarëve të Amerikës në vitet 1906-1920, periudhë kjo që autori ka trajtuar deri më tani.

Konsiderohet se çështja qëndron tek sintetizimi i një numri të pranueshëm faqesh me gjithë këtë material. Ndonjëherë autorit i është dashur të heq edhe faqe të tëra për hir të konçizitetit. Ai thotë se çdo njeri që i hyn një pune të tillë duhet të ketë parasysh se do të ketë edhe humbje, por që rëndësi ka që gjithsecili të tregohet modest me punën e vetë.

“Nëse e kuptojmë që jemi zgjatur shumë diku, nuk duhet të ngurrojmë të përdorim gërshërën.”

Pa dhënë ndonjë gjykim apo vlerësim mbi figurën e Nolit, autori Ikonomi tashmë ka bërë të qartë se ka sjellë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit, pa dhënë ndonjë qasje udhëzuese për lexuesin. Ka larguar shumë enigma mbi figurën e Nolit, por aty gjejmë edhe fakte që jepen për herë të parë.

“Është e vërtetë se nuk përpiqem t’i bëj moral lexuesit, t’i tregoj se çfarë duhet të mendojë për Nolin. Mënyra apo teknika ime e të shkruarit në fakt e ndihmon lexuesin të gjykojë vetë, pa ndihmën e autorit. Ka shumë fakte në librin tim që jepen për herë të parë. Por më shumë se kjo, unë i vë rëndësi lidhjes së fakteve në një kontekst të vetëm dhe jo paraqitjes së tyre si kuriozitete, të shkëputura nga tabloja e përgjithshme”, thotë ai.

Në vëllimin e dytë ai po ashtu do të ndjek të njëjtën qasje dhe do të ketë fakte të tjera të panjohura, por gjithmonë me synimin për të dhënë një portret sa më të plotë e të saktë të Nolit, sepse qëllimi është që lexuesi të kuptojë sa më mirë se cila ishte kjo figurë dhe çfarë vendi kishte në sfondin më të gjerë të kohës ku veproi.

Ilir Ikonomi tashmë është patentuar për figura të mëdha, dhe para librit për Nolin, ka publikuar libra për Esat Pashë Toptanin, Faik Konicën, Ismail Qemalin, figura këto që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit shqiptar. Vërehet se autori Ikonomi aspak nuk frikësohet nga figurat e mëdha, përkundrazi, ai na e sjell një magji fjalësh që përkon mes rreshtave nëpër librat e tij.

“Të zbulosh jetën e emrave të mëdhenj të historisë për mua është diçka sublime. Frika qëndron te vëllimi i madh i punës që duhet për t’i studiuar këto figura. Më pëlqen të flas për njerëzit në emër të kombit, ata njerëz që vepruan në periudhat më kritike të formimit të shtetit shqiptar. Mund të kisha zgjedhur personazhe lokale, por ndiej se kemi shumë figura kryesore, për të cilat nuk është folur sa duhet, prandaj mendoj se ia vlen të zbulojmë ato më parë. Figurat e rëndësishme janë të ngarkuara me histori të rëndësishme. Duke shpjeguar ato, ne në fakt shpjegojmë historinë e vendit tonë”, ka thënë Ikonomi.

Nga ana tjetër, ai mendon se sa më shumë biografi të tilla të kemi, aq më mirë është dhe aq më shumë horizont i hapim lexuesit. Ai merr shembullin se qysh në Amerikë ka qindra, ndoshta mijëra libra për Xhorxh Uashingtonin, presidenti i parë i vendit që luftoi për pavarësinë nga Anglia, apo për Abraham Linkolnin, presidenti që e udhëhoqi Amerikën përgjatë një lufte të tmerrshme civile, prandaj konsideron që secili autor paraqet pikëpamjen e tij të veçantë, jep vështrimin e tij dhe kjo për të, është diçka e mirë.

“Mendoj se ne ende nuk kemi sa duhet biografi të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.”

Në ndërkohë në këto publikime, nuk gjejmë asnjë figurë grua të rëndësishme të historisë apo kulturës shqiptare, mirëpo për këtë, autori Ikonomi është shprehur se për të nuk ka rëndësi gjinia, teksa na ka lënë të shpresojmë që ndoshta në të ardhmen do të trajtoj një grua, natyrisht nëse gjen material interesant për një personazh të tillë. Ai nuk la pa përmendur gratë që kanë qenë me rëndësi në historinë tonë, si: Motrat Qiriazi apo Dora D’Istria.

Ne u kthyem prapë tek biseda rreth librit për Fan Nolin që u promovua fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në Prishtinë. Autori Ikonomi na tregoi se disa miq do të organizojnë përpara Krishtlindjeve një promovim të ‘Apostullit’ në Nju Jork dhe aty do ta ketë rastin të flas për librin dhe për procesin e shkrimit të tij. Por, promovimet për autorin mbeten në një farë mënyre, thjeshtë të kota.

“Nuk jam shumë i dhënë pas promovimeve. Thellë në vetvete mendoj se nëse një libër është i shkruar mirë, nuk ka nevojë për promovim. Të tjerë nuk mendojnë kështu. Me kalimin e kohës, vetvetiu një libër reziston dhe pëlqehet, ose shuhet në pafundësinë e botimeve. Kam patur propozime për ta promovuar Apostullin edhe në dy shtete të tjera amerikane. Promovimet shpesh kthehen në qoka dhe lavdërime të tepruara për autorin, çka për mua është gati e padurueshme, prandaj edhe u rri larg atyre. Do të doja të dëgjoja sa më shumë kritika. Disa që e kanë lexuar Apostullin më kanë bërë vërejtje, të cilat unë i marr shumë seriozisht. Gjithsesi, dëshira ime është që gjatë promovimeve lexuesit të thonë hapur atë që mendojnë, sepse kështu më ndihmojnë. Kur ndaj një libri shprehen kritika, kjo absolutisht nuk ia ul librit vlerat. Mendoj se kur lexuesit kritikojnë, kjo tregon se ata e kanë lexuar librin me vëmendje dhe kjo më gëzon”, shprehet Ikonomi.

Fan Noli konsiderohet aset i popullit shqiptar, por si një vulë të madhe mbi figurën e tij, e mban mërgata shqiptare në Amerikë. Së fundmi është iniciuar që eshtrat e Fan Nolit të sillen nga Amerika në Shqipëri (Tiranë) dhe autori Ikonomi këtë iniciativë nuk e ka pritur aspak mirë.

 “Nuk më duket ide e mirë që eshtrat të kthehen në Shqipëri. Nuk kam dëgjuar që Noli ta ketë patur një dëshirë të tillë. Ai jetoi rreth 44 vjet në Amerikë, ku realizoi veprën e tij më të madhe, Kishën Shqipe. Kjo kishë e ka lidhur atë përjetësisht me Amerikën. Të mos harrojmë se në Amerikë Fan Noli gjeti lirinë e besimit dhe të shprehjes, të cilat i përdori për të realizuar këtë ëndërr të tij. Në Amerikë ai punoi për të kulturuar bashkatdhetarët dhe për t’i edukuar me frymën e lirisë dhe të çlirimit. Në Amerikë ai realizoi disa nga punët e tij më të mëdha. Në Shqipëri Noli qëndroi pak vjet dhe pati shumë zhgënjime. Qysh në vitin 1920, kur u përpoq të hyjë atje, qeveria nuk e lejoi dhe ai u detyrua të kthehej në Itali. Për ta mbajtur larg, qeveria e emëroi si përfaqësues në Gjenevë. Një vit më vonë, kur do të kthehej nga Gjeneva në Tiranë, ministrat gjenin lloj-lloj arsyesh që ai të mos vinte”, ka thënë ai.

Sipas tij, Noli u përpoq të bëjë reforma në Shqipëri, por dështoi. Qeveria që formoi në vitin 1924 rezultoi e brishtë dhe u rrëzua për një sërë shkaqesh, andaj edhe mund të imagjinohet se çfarë zhgënjimi duhet të ketë pasur.

“Kur në Shqipëri u vendos komunizmi, Noli fillimisht bashkëpunoi me Hoxhën. Më vonë, komunizmi vrau dhe burgosi disa nga shokët më të afërt të Nolit, Bahri Omarin, Andon Frashërin dhe të tjerë. Megjithëse e ftuan të kthehej, ai nuk pranoi, sepse e kuptoi se me çfarë regjimi gjakatar kishte të bënte. Krerët e kishës ortodokse autoqefale në Shqipëri, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, dy figura kombëtare që u përndoqën nga komunizmi, edhe sot e kësaj dite nuk kanë varre të denja si klerikë që u përpoqën aq shumë për Shqipërinë. Shumë njerëz në Shqipëri duan që ta kenë Nolin afër, që të mund ta nderojnë. Kjo është një dëshirë e sinqertë dhe plotësisht e kuptueshme. Por druaj se do të ketë të tjerë që do të sjellin pengesa dhe do të krijohen probleme të panevojshme. Mendoj se Noli duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston.”

Në anën tjetër, autori Ilir Ikonomi ka qenë shumë i guximshëm edhe në një qasje tjetër. Ka sjellë disa fakte se Fan Noli mund të ishte ateist, dhe se petkun e priftit e përdori për qëllim kombëtare, duke shprushë kështu në një gacë të nxehtë. Mirëpo, ai na tregon se nuk thotë domosdo se Noli ishte ateist, por ka njerëz që mendojnë ashtu.

“Në fund të fundit ne nuk mund të dimë se çfarë mendon njeriu thellë në shpirt për çështjet e fesë. Të testosh spiritualitetin e dikujt do të ishte një sprovë e kotë. Sigurisht, Noli e përdori kishën shqipe për të çuar përpara idetë e tij kombëtare. Kjo nuk duhet të na habisë. Në historinë tonë kemi patur dhe kemi shumë klerikë që kanë punuar për çështjen kombëtare dhe të qenit fetar nuk do të thotë se nuk mund të luftosh për ide liberale dhe kombëtare. Noli e shfrytëzoi kishën shqipe më së miri për këtë qëllim. Meqenëse kisha e tij ishte në gjuhën shqipe, ajo mbështolli rreth vetes jo vetëm ortodoksët kombëtarë, por edhe myslimanët. Kemi shumë shembuj që e tregojnë këtë”, tregon Ikonomi.

Ndërkohë, nëpërmjet të gjitha figurave që Ikonomi ka publikuar deri më tani, ka edhe një distancë të mirë kohore, nga e cila autori ka mundur ta ftohë kokën nga raporti në raport, nga materiali në material, duke i lënë vetes një mundësi për t’i kthjellur ndoshta edhe vetë mendimet e veta.

“Sigurisht, largësia në kohë e ndihmon shumë historianin dhe biografin. Kjo largësi ndihmon që të shikosh më qartë në histori. Ajo të ndihmon ta vlerësosh një figurë në mënyrë më të ftohtë, sepse nuk i ke emocionet e momentit, ato janë zhdukur. Koha bën të vetën. Ajo fshin shumë gjëra dhe lë të paprekura kontributet e mëdha. Ky është avantazhi i kohës. Gjithashtu, koha krijon arkivin e saj, ku studiuesi mund të zhytet dhe të kërkojë. Këtë kam bërë unë me figurat që kam trajtuar”, thotë ai.

Autorit Ikonomi i kemi drejtuar edhe një pyetje hipotetike, se me cilën figurë të ditëve të sotme do të donte të kishte një distancë të tillë kohore. Sipas tij, ai do ta krijonte një distancë me të gjitha figurat, për shkak se asnjë nga ne realisht nuk e dimë se si koha do t’i trajtojë ato. “Mbase dikush që sot ne e vlerësojmë negativisht, mundet që pas shumë dekadash, të na rezultojë ndryshe.”

Ikonomi tutje thotë se do të ketë udhëheqës me të cilët historia nuk do të merret shumë, të tjerë do të harrohen plotësisht. “Zakonisht, koha favorizon udhëheqësit që luftojnë për vendin e tyre, që punojnë për mirëqenien e popullit, pavarësisht nga ulje-ngritjet politike. Noli punoi shumë për Shqipërinë, por ai shquhet edhe për diçka që jo të gjithë e kanë patur. Ai shkroi shumë vepra dhe shkroi vepra me cilësi të lartë.”

Libri “Apostulli” i cili paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në ‘Best Seller’ në Panairin e Librit i cili u mbajt në Tiranë. Autori i librit shkruan në një zhanër shumë unik të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, duke sjellë një kahje të ndryshme historiografike, me atë se çka jemi mësuar, pra ndryshe nga qasja komuniste. Ikonomi na ka mësuar se mendimi ndryshe, nuk është diçka prej së cilës duhet të kemi frikë, të ikim. Përkundrazi, të mendosh ndryshe, do të thotë që kemi arrit për të kuptuar diçka jashtë masës dhe se mendimi kritik të bën të dalësh nga rrethi i ngushtë, i cekët i shoqërisë.

Krejt për fund, autori Ikonomi na tregoi se nëse gjithçka shkon mirë, vëllimi i dytë i “Fan Noli – Apostulli” do ta gjejë dritën e botimit kah fundi i vitit 2024, por që për këtë ai duhet të punoj shumë, të kërkoj nëpër arkiva dhe të verifikoj mirë ato që shkruan.

Burrështetasin, intelektualin e shquar, poetin dhe përkthyesin e pashoq, poliglotin dhe dijetarin e përmasave botërore, zërin e zëshëm të interesave shqiptare, klerikun e pasionuar siç është Fan Noli, do të mund ta njohim edhe më mirë së shpejti, natyrisht nëpërmjet penës së veçantë të Ilir Ikonomit, që jo shumëkush mund ta posedojë. / KultPlus.com

Të ngjajshme