Imagjinata dhe realja në romanin “Tutori” të Mimoza Ahmetit

10 Prill, 2019 - 9:40 pm

Shkruan: Blerina Gashi

Romani “Tutori” i Mimoza Ahmetit është një roman me temë dashurie  që gërsheton realen me fiksionalen, realja përdoret nga autorja vetëm sa për të treguar mjeshtrinë e saj se si arrin ta shkrijë atë me fiksionalen  për të thënë diçka më shumë se sa ajo që ofron teksti në shikim të parë,  duke i vënë në raport me njëra-tjetrën për të prodhuar vlerë artistike. Ajo me këtë roman e vendos në qendër të vëmendjes gruan, dhe e paraqet  më të rëndësishme se gjithçka.

Qysh në titull të romanit autorja na paralajmëron që kemi të bëjmë me një individ i cili do të jetë udhërrëfyes  ndikues për personazhin kyç, mirëpo pa lënë hapësirë të kuptohet që kemi të bëjmë me fantazmë  apo krijesë imagjinative, por që ai udhërrëfyes do të imponojë lirinë e mendimit   që në veprimet dhe sjelljet e personazhit kyç do të sjellë pasoja.

Përmes rrëfimit të një ngjarjeje të tillë autorja na tregon për dëshirën e madhe të njeriut që ka ai të gjejë shpëtim te dashuria duke e anashkaluar atë që ndodh përreth tij. Ngjarjen imagjinative të cilën e krijon autorja në mënyrë asociative të mendimeve të ndryshme të saj e lidh me gjendjen shpirtërore të cilën  e kalon ajo,  dhe vetëm përmes imagjinatës  mundohet t’i ikë realitetit që jeton dhe të krijojë një ambient që asaj i sjell lumturi e rehati.

Romani mund të lexohet dhe mund të quhet si një roman dashurie, ku përmes kësaj  dashurie tentohet krijimi i dashurisë ideale, mirëpo para se të konsiderohet një roman i tillë dashurie ndërmjet dy personave, mund të konsiderohet si një roman dashurie, ku dashuria përdoret apo shfrytëzohet për t’i kaluar konditat e një ambienti  real që mundohet të anashkalohet e injorohet. Secila nga pjesët e romanit e reflekton gjendjen emocionale të personazhit kryesor.

Autorja krijon një filozofi krijimtare, ku personazhi thellohet në mendime të fuqishme imagjinimi. Ajo ndërton një imagjinatë rrëfimtare, ku përveç rrëfimit inkuadron edhe dialogët imagjinativ për të plotësuar gjendjen e boshllëkut që mbizotëron në realitet, këto dialoge krijohen sipas trillimeve të autores e cila i shfrytëzon  për të thënë atë që e dëshiron. Ky roman ka një rrjedh të rrëfimit që gërshetohet mirë me qëllimin  ideor të autores dhe  që reflekton më pas me fiksionin  dhe imagjinatën e  saj.

Romani “Tutori” ka një strukturë interesante që e bën të dallojë nga shumë romane të letërsisë shqipe. Rrëfimi fillon në “in media res” apo siç njihet rrëfim në qendër të vëmendjes. Teknika e rrëfimit që përdor autorja nuk është aq e lehtë, ajo ndërton dy rrëfime paralele, duke e ngacmuar lexuesin për përmbajtjen e strukturën e romanit dhe duke e përzier realitetin me fiksioin që ndërton. Ajo kalon sa në përjetimin imagjnativ, sa në atë real duke krijuar një miks rrëfimi.

Mimoza Ahmeti ndërton një dashuri platonike ndërmjet dy personave të dashuruar, dashuria e tillë përdoret si mjet për të, për t’i bërë ballë një ambienti të papërshtatshëm për jetesë.

Klima e absurdit arrihet të vërehet qysh në hyrje të romanit dhe më pas gjatë paraqitjes së problemit kyç që do të shtjellohet vazhdimisht. Absurdi si element i veçantë inkuadrohet në romanin “Tutori” për të prezantuar idenë që problemet  nuk mund të kalohen  pa u përballur me atë që ekziston vërtet.

Autorja arrin që me mjeshtrinë e saj  narrative  të marrë gjithë vëmendjen e lexuesit dhe ta pushtojë mendjen e tij për t’i lënë hapësirë atij të gjejë lidhjen ndërmjet fiksionit që ajo krijon dhe gjithë gjendjes reale, që  më pas e gërsheton në një linjë të vetme. Ajo arrin të krijojë te lexuesi ndjenjen që po lexon një roman dashurie ku fantastikja është e përjashtuar dhe ku ndeshemi vetëm me realen, mirëpo kur ndeshemi me situata të palakmueshme që janë afër absurdit dhe kthehemi në gjendje normale, atëherë e kuptojmë që është vështirë të besohet jeta të cilën e krijon personazhi real me atë fiksional dhe më pas të besohet në ekzistencen e një jete të tillë. Absurde mund të konsiderohet edhe pranimi i personazhit për të gjetur shpëtimin vetëm në botën fiksionale pa tentuar të jetë pjesë e botës reale.

Kur njeriu e përdor imagjinatën dhe vendos t’i përkushtohet pikërisht asaj për të arritur diçka që s’mund ta krijojë në realitet, i shmanget reales,  mirëpo  autorja me vetëdije e ndërton një raport real-imagjinatë për ta bërë sa më reale gjithë ngjarjen e saj fiksionle dhe të ngacmojë intelektin e lexuesit, ajo me të dashurin e saj krijon situata të pafavorshme për një lidhje dhe përdor grindjet e problemet e çifteve që ata kanë në jetë reale për të servuar gjthçka normale, e po ashtu nuk heziton as ta përjetojë zhgënjimin nga  dashuria e saj fiksionale vetëm që të duket e përjetohet si dashuri reale. Krijimi i një gjendjeje të tillë mund të konsiderohet si ndikim për të krijuar një prozë me elemente të absurdit. Këtu edhe ndeshemi me  psiken e autores dhe ndikimin e elementit social në gjithë psikologjinë e saj reale por edhe krijuese. Një gjendje e tillë halucionative arrin absurdin kur personazhi femër provon të konkretizojë imazhin e kijuar nga bota e saj trillluese.

Autorja krijon përvojat e veta sipas dëshirave dhe përfytyrimeve të veta. Ajo me vetëdije i servon lexuesit  një prozë të lehtë në shikim të parë, por që realisht leximi i saj provokon mendjen e çdo lexuesi model. Autorja po ashtu luan edhe me faktin që provon të duket naive duke mos tentuar ta ndajë botën reale me atë imagjinare, por që e gjithë kjo vije si pasojë e krijimit  të vetëdijshëm të marrëdhënieve të tilla për t’i ikur rrethanave të ndryshme duke shkrirë këto dy botë në një të vetme.

 Imagjinata e autores mund të themi që mund të konsiderohet si një “imagjinatë plastike” sepse ajo frymëzohet nga vëzhgimi i pamjes së botës që përcepton.

Imagjinata e saj thyen konditat e  ambientit që e rrethon ngjarjen dhe udhëton me mendje nëpër vende të ndryshme për t’i përmbushur gjithë idealet e saj në lidhje me faktin që preferon t’i ikë ambientit që e rrethon.

 Problemi i cili paraqitet me një imagjinatë kaq të thellë rezulton me gjendjen emocionale duke ardhur në përfundim që a ka kuptim gjithçka që e rrethon dhe sa është e kuptimshme jeta e saj në rrethana të tilla, por përmes gjithçka kemi lexuar deri tani kuptojmë që nëse do të ishte gjithçka në rregull me personazhin narrator ajo nuk do të kishte krijuar raporte të tilla imagjinative me një person të vizatuar sipas imagjinatës së saj, dhe kështu drejpërdrejt lidhemi me gjendjen psikologjike dhe emocionale të saj që ajo e përjeton, çka na tregon shumë për atë që ajo kalon si individ. Mund të themi që përmes shfrytëzimit të një përvoje individuale ka arritur të paraqes një qëllim të saj  për të ndëshkuar idenë e një jete e cila imponohet nga rrethana të ndryshme e sidomos politike, të cilat shkaktojnë probleme të ndryshme që lidhen me individin në përgjithësi.

Duket që jeta të cilën e përjeton në imagjinatë është më e dashur për të sepse në momenti kur njërin tutor ajo e largon nga vetja duke e inkuadruar pikërisht me ambientin dhe rrethanat nga të cilat tenton të largohet, ajo nuk heziton ta krijojë  tutorin tjetër, por tash me një karakter e pamje plotësisht ndryshe, duke e pranuar që është e varur nga jeta, dashuria, problemet të cilat i krijon vetë sipas botës së saj fiksionale.

Të ngjajshme