Instituti Parlamentar promovoi botimin ‘Dritëro Agolli – 10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000’

16 Tetor, 2022 - 3:03 pm

Instituti Parlamentar ka organizuar në mjediset e Kryesisë Kuvendit promovimin e botimit “Dritëro Agolli – 10 vjet oratori dhe gazetari politike, 1990–2000”.

Në këtë takim ishin të pranishëm ish-kryetari i Kuvendit, Namik Dokle, deputetët Anila Denaj, Flutura Açka dhe Petro Koçi, vajza e Dritëro Agollit,  Elona Agolli, nxënës dhe mësues të shkollës jopublike “Dritëro”.

Në fjalën e saj, Anila Denaj, anëtare e bordit të Institutit Parlamentar, vlerësoi figurën e Dritëro Agollit në shfaqjen e tij shumëdimensionale, e cila përbën një bazë dhe themel për përvojat e politikanëve të rinj.

Me mjaft interes u mirëprit fjala e ish-kryetarit të Kuvendit, Namik Dokle, i cili është dhe autori i parathënies së këtij botimi të titulluar “Vargmali Dritëro”.

Ai tha se e ka titulluar kështu këtë parathënie duke u nisur nga fakti që Dritëroi ishte mal në politikë, mal në publicistikë, mal në letërsi etj., duke formuar kështu një vargmal intelektual.

Ai ka veçuar se figura e të paharruarit Dritëro gjithherë do të shfaqet me madhështi.

“Ku qëndronte madhështia e tij e përhershme? Mendimi i parë që më vjen ndër mend për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje është ajo çka thoshte Tolstoi se e madhërishmja qëndron te thjeshtësia. Dritëroi ishte i thjeshtë nga flokët te thonjtë, siç ka shkruar për veten dikur, duke e krahasuar me një plis të fortë, që, edhe pse shkoi kudo në Europë apo brodhi nëpër Azi, mbeti gjithnjë devolli. Në çdo vepër, artikull, poezi, intervistë, diskutim parlamentar, në çdo fjalë e në çdo shkronjë ai mbeti përherë i njëjti, besnik i vetvetes, i dashuruar pas njeriut dhe njerëzimit, i shqetësuar dhe i pagjumë për rrokullisjet dhe përplasjet e kësaj bote dhe të kësaj Shqipërisë sonë të vogël. Ai ishte një poet i trishtuar, prozator ironik, gazetar i revoltuar dhe politikan rebel, që nuk futej as në grazhdin dhe as në kularin e partive apo të politikës në tërësi. Edhe botimi i këtij libri është një gur më shumë, që brezat e sotëm dhe të ardhshëm ta njohin në plotmëri Dritëroin tonë, Dritëroin e të gjithë shqiptarëve”, – shkruan Dokle në këtë parathënie, duke u përqendruar mes të tjerave në marrëdhëniet që politikani Dritëro Agolli kishte me deputetët e të gjitha forcave politike në sallën e parlamentit.

Ai gëzonte respektin e të gjithëve, sepse ishte gjithmonë konsekuent në qëndrimet e tij, që koha i vlerësonte si të drejta, edhe pse dilte kundër rrymës.

Me mjaft interes janë pritur pjesëzat e krijimtarisë së Agollit të shkruara gjatë zhvillimit të seancave plenare të viteve 1992–1993, të cilat Dokle i ruan në arkivin e tij prej shumë vitesh. Majde ai ruan si relikt edhe një stilograf të dhuruar nga Agolli.

Me emocione ka përshëndetur edhe shkrimtarja Flutura Açka, kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Ajo ka rrëfyer për takimin e parë me Dritëro Agollin, dhurimin e një vëllimi të saj me poezi, por edhe mbështetjen që ai i ka dhënë në rrugën e formimit të saj si shkrimtare.

Mes emocioneve Elona Agolli ka përcjellë në fjalën e saj mendime të babait, shkrimtarit Dritëro Agolli, të cilat kanë vlerë për çdo kohë.

Nxënës të shkollës jopublike “Dritëro” sollën në sallën e leximit të bibliotekës së Kuvendit emocione të vargjeve dhe aforizmave të përfshira në këtë vëllim.

Duke falënderuar të pranishmit për bashkëbisedimin e zhvilluar, drejtuesja e Shërbimit të Botimeve dhe Bibliotekës Parlamentare, Lidra Bushati, e ka cilësuar këtë aktivitet si siparin e një serie aktivitetesh që Instituti Parlamentar dhe ky Shërbim do të realizojnë në të ardhmen.

Gjithashtu ajo falënderoi familjen Agolli për bashkëpunimin në realizmin e këtij botimi./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme