Integra: Anëtarët e ASHAK-ut janë njerëzit më të paguar në regjion

20 Nëntor, 2019 - 2:15 pm

Bujar Meholli

Raporti “Instituti i vetizoluar (vlerësim i shoqërisë civile për institutin albanologjik të Prishtinës)”, u prezantua para medieve në ambientet e hotelit “Sirius”, ku nëpërmjet 20 gjetjeve u shpërfaqën ngecjet dhe u dhanë rekomandimet për këto gjetje, shkruan KultPlus.

Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe Instituti Albanologjik janë dy institucione relevante të shoqërisë tonë. Por, përgjatë viteve në këto dy institucione ka pasur mjaft probleme, me të cilat ato përballen sot e kësaj dite.

Organizata “Integra” që mëton mëkëmbjen dhe zhvillimin e Kosovës dhe të rajonit, prezantoi këtë raport 1-vjeçar të autorit Shkëlzen Gashi që hyn në kuadër të projektit “Rishikim i shoqërisë civile dhe dialog publik për institucionet e heshtura të Kosovës të financuara nga fondet publike”, projekt ky që ka për qëllim të reflektojë mbi punën e institucioneve specifike publike të Kosovës.

Botuesi i raportit Kushtrim Koliqi në fjalën hyrëse foli në pika të shkurtra për projektin, të cilin e cilësoi si shumë të rëndësishëm.

“Para se të fillojmë të iniciojmë projekte të tilla, në diskutim e sipër me shoqëritë civile e kemi parë se shumë institucione funksionojnë si ishull, nuk i japin askujt llogari, nuk dihet shumë për to, aktiviteti i tyre është shumë i izoluar”, tha Koliqi në fillim.

“Kur kemi nisur t’i listojmë këto institucione ka dalë një numër i madh i tyre që marrin para publike por nuk dihet shumë për to, nuk dihet as llogaridhënia e as çka bëhet realisht në to. Ne kemi bërë një vlerësim të tillë për Akadaminë e Shkencave të Kosovës pastaj kemi vazhduar me Institutin Albanologjik. Projekti si i tillë, synon të iniciojë dialog më të gjerë në publik rreth këtyre institucioneve të cilat besojmë që nuk bëjnë mjaftueshëm për të qenë të hapur ndaj publikut për punën e tyre”, ka thënë Koliqi.

Tutje, ai u shpreh se qëllimi i këtij projekti është që të rishikojë dhe vlerësojë punën e institucioneve publike të Kosovës të cilat financohen prej parasë publike.

“Konkretisht, ne merremi me strukturën e brendshme, funksionimin, publikimet dhe rezultatet e këtyre institucioneve. Në fund japim rekomandime se si këto institucione përmirësojnë performancën e tyre, gjithmonë në linjë të transparencës dhe llogaridhënies”, përfundoi Koliqi.

Para gazetarëve autori i këtij raporti që specifikisht merret me këto dy institucione relevante, Shkëlzen Gashi, e prezantoi atë në tërësi. Si i tillë, raporti përmban 20 gjetje që janë bërë pas hulumtimeve dhe intervistave me personat relevantë përgjatë periudhës 1-vjeçare.

Duke treguar ngecjet e këtyre institucioneve, u dhanë gjithashtu rekomandimet që do ta përmirësonin përformancën.

“Anëtarët e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës janë njerëzit më të paguar në regjion. Ata marrin paga nga 1250 përkatësisht 1500 euro për dallim prej kolegëve të tyre që i marrin trefish më pak. Gjendja bëhet edhe më rëndë sepse ata nuk punojnë shumë”, tha ai në fillim të prezantimit.

“Nëpër tryezat, simpoziumet e konferencat që organizohen nuk e kemi të pranishme as gjuhën angleze dhe as serbe, që janë gjuhë zyrtare. Megjithëse me buxhet mbi gjysmë milioni eruo, janë vetëm dy projekte të mëdha që Akademia i realizojë, vepra shkencore e Rexhep Qosjes dhe vepra shkencore e Anton Çettës që s’ka përfunduar ende”, potencoi ai.

“Rekomandimi është ky, duhet të sqarohet cila është vlera shkencore e veprës së Qosjes dhe Çettës dhe pse nuk janë të vlefshme veprat e të tjerëve, pse është e nevojshme të botohen veprat e këtyre dy ish-punonjësve të Institutit. Qosjen jemi mësuar ta konsiderojmë si baba të kombit, sepse ka dhënë kontribut të madh në çështjen kombëtare dhe përpjekjen e shqiptarëve për pavarësi por duhet të sqarohet se çfarë ka shkencore te kjo vepër, poashtu Anton Çetta me pajtimin e gjaqeve tek shqiptarët në një periudhë të rëndë. Cila është vlera shkencore e këtyre dy personaliteteve të rëndësishme, që janë më shumë politike sesa shkencore” erdhi në konkludim Gashi.

Në vazhdim të paraqitjes së gjetjeve në kuadër të këtij raporti, Gashi foli për projektet shkencore ku hyjnë librat dhe revistat, të cilat sipas tij kanë mjaft probleme sepse nuk botohen në të gjitha gjuhët zyrtare, pra në gjuhën angleze dhe serbe, e po bëhet ekskluzivisht botimi i autorëve shqiptarë dhe në të njëjtën gjuhë, në shqip.

Po ashtu u përmend mos përditësimi i faqeve zyrtare të institucioneve dhe mos shfaqja e CV-ve të punëtorëve të tyre.

Botimi i raportit është realizuar me përkrahjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). /KultPlus.com

Të ngjajshme