займ на карту онлайн потребительский кредит

Isaac Newtoni dhe dorëshkrimet që zbardhin recetën e tij kundër murtajës

3 Qershor, 2020 - 9:05 am

Nuk është edhe aq i keq sa sugjerimi për të injektuar dezinfektues. Parashkrimi i Isaac Newtonit në shekullin e 17-të për murtajën – që përziente pluhur të vjellash me të vjella bretkose për të krijuar “tableta” që largonin dergjën – është zbardhur tani.

Dy faqe të pabotuara nga shënimet e Newtonit në librin mbi murtajën nga Jan Baptist van Helmont më 1667, “De Peste”, do të vihen në ankand këtë javë. Newton ishte student në “Trinity College”, Cambridge, kur universiteti u mbyll gjatë murtajës bubonike, e cila vrau 100 mijë njerëz në Londër në vitet 1665 dhe 1667.

Kur dijetari u rikthye në Cambridge më 1667, ai nisi të thellohej në veprën e Van Helmontit. Analiza e Newtonit për “De Pesten” është deklarata më substanciale që ka bërë për murtajën, thotë Bonhams, sipas të cilit letrat ishin “me rëndësi kryesore për korpusin e veprave të Newtonit, ashtu sikundër edhe thellësisht kuptimplote për kontekstin e sotëm”. Specialisti i shtëpisë së ankandeve për libra, Darren Sutherland, ka thënë: “Shënimet kalimthi të Newtonit përfaqësojnë shkrimet e vetme të rëndësishme mbi këtë çështje nga mendja më e madhe shkencore në botë. Një përkujtues i tejkohshëm, mbase, se nuk ka asgjë të re nën diell”.

Shënimet përfshijnë rastin e një burri që kur preku “letra të infektuara menjëherë ndjeu një dhembje si një gjilpërë shpuese, dhe mori një ulcerë ngjitëse në gishtin tregues e vdiq brenda dy ditësh”, dhe observimi i tij që “vendet e prekura nga murtaja duhet të shmangen”.

Sidoqoftë, disa prej kurave potenciale të Newtonit janë të paqasshme për t’u përdorur sot. Ai shkruante se “më së miri është një bretkosë e varur nga këmbët në një oxhak për tri ditë radhazi, që të paktën ka vjellë dhé me insekte të ndryshme, një si dyllë të verdhë, dhe pas kësaj ka ngordhur. Duke gërshetuar të vjellat e pluhurosura me sekretimin dhe serumin në tableta largohet sëmundja dhe nxirret jashtë helmi”.

Van Helmon, një mjek i njohur, ishte mjek praktikant në Antwerp kur qyteti u pllakos nga murtaja më 1605.

Pavarësisht namit të Newtonit, letrat asnjëherë më parë s’janë përfshirë në përmbledhjet e veprave. Kur vdiq Newtoni më 1727, arkiva e tij e madhe iu la të mbesës së tij, Catherine Conduitt. Ajo i mbeti familjes deri më 1872, kur pasardhësi i tij, Isaac Newton Wallop, i dhuroi shkrimet e tij për “Trinity College”. Cambridge i mbajti vetëm shkrimet shkencore dhe ato matematikore dhe i ktheu prapa shkrimet e tij kundërthënëse në alkimi, teologji e filozofi. Këto letra, përfshirë shënimet e Newtonit te Van Helmonti, iu shitën më 1936 koleksionuesve privatë, mes të cilëve edhe John Maynard Keynesit.

“Nuk ka pasur kurrë interes të madh në shkrimet e ‘tjera’ të tij deri tash vonë”, ka thënë Sutherland. “Vërtet është një rast i njeriut të duhur, në kohën e duhur – me kurat e tij për të larguar virusin që po shkaktonte pandemi”.

Faqet do të nxirren në ankand nga Bonhamsi për një vlerë të përafërt prej 80 deri në 120 mijë dollarësh si pjesë e shitjes online “Essential Genius: Ten Important Manuscripts”, që zgjet deri më 10 qershor. Ankandi përfshin edhe një draft me autografe të vargjeve të fundit të poemës së fundit të Walt Whitmanit “A Thought of Columbus”. / KultPlus.com

Të ngjajshme