“Italia, vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes”

23 Tetor, 2019 - 1:31 pm

Bujar Meholli

Në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, po mbahet dita e dytë e konferencës shkencore “Studimet Albanistike në Itali”, shkruan KultPlus.

Akademik Rexhep Ismajli dhe këshilli organizues kanë ftuar emra të njohur të studimeve albanologjike për t’i paraqitur kumtesat e tyre duke e bërë konferencë dy ditëshe mjaft të pasur.

Sot, në ditën e dytë të konferencës shkencore “Studimet albanistike në Itali” u paraqitën referues nga Kosova dhe nga Shqipëria.

Victor Friedman, Persida Asllani dhe Teuta Abrashi ishin panelistë, kurse në foltore dolën studiues e profesorë si Bardh Rugova, Aljula Jubani, e Valbona Sinanaj ku u paraqitën me kumtesat e tyre.

Punimi i profesor Rugovës kishte të bënte me studiuesin italian Stefano Morales dhe përpjekjet e tij për parashikueshmërinë si pjesë e studimeve për këtë problem dhe theksin e shqipes.

 “Theksi i shqipes është në fondin e fjalës, plus zanoret: e, a, o, as dhe u. Te prapashtesa “as” mund të kemi paqartësi, theksoi ai.

“Prapashtesa “as” e cila nuk merr theks, dhe trajta “pas” kur është insistim, mund të kemi “gjilanas” dhe “ananas””, shpjegoi profesor Rugova duke iu referuar shembujve nga studiuesë të njohur.

“Studimet për gjuhën dhe kulturën shqiptare janë zhvilluar në qendra të mëdha si në Universitetin e Romës, Palermos, Napolit”, tha mes tjerash profesoresha nga Universiteti i Tiranës Aljula Jubani.

Italia është vendi me më së shumti qendra studimi të shqipes, katedra universitare që kanë nxjerr kuadro, profesorë e studiues si dhe janë realizuar projekte të rëndësishme studimi. Konferenca për studimet albanistike në Itali ka shumë interes për kulturën, letërsinë arbëreshe si dhe rezultatet e shumë studiuesve italianë të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Tutje gjatë ditës, do të ketë kontribute tjera në fusha të ndryshme albanologjike dhe albanistike, referenca, kumtesa dhe diskutime. /KultPlus.com

Të ngjajshme