Jacques Chirac i shkruante Kadaresë: Franca do të ndërhyjë nëse nuk bindet Millosheviqi

26 Shtator, 2019 - 6:03 pm

Jacques Chirac, presidenti francez i cili ndërroi jetë sot në moshën 86-vjeçare, ishte kryeministër ose president i Francës në ditët e vështira për Kosovën nga regjimi serb i Millosheviqit dhe ai mbajti anën e drejtë.

Ai i shkruante në letrën kthyer shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, në shtatorin e vitit 1998 se Franca nuk e përjashtonte ndërhyrjen ushtarake të NATO-s nëse Slobodan Milosheviqi nuk do t’i bindej Perëndimit që do ta bombardonte më 1999 regjimin e kasapit të Ballkanit, rikujton “Koha Ditore”.

Këtë e ka zbuluar Kadare në librin, “Mbi krimin në Ballkan: Letërkëmbim i zymtë”, botuar nga “Onufri” më 2011.

Kadareja i shkruante më 2001 letër presidentit francez si “postier” i angazhuar nga poeti i burgosur atëherë, Besim Zymberi, i cili i kishte dërguar letër dorëshkrim shkrimtarit shqiptar që jeton në Paris. Zymberi, nga burgu i Mitrovicës së Sremit, i kërkonte Kadaresë t’i jepte zë thirrjes së të burgosurve politikë që po mbaheshin në burgjet serbe edhe dy vjet pas përfundimit të luftës.

“Unë, një i burgosur shqiptar në një kamp përqendrimi serb, ju kërkoj të hidhni dritë mbi një vuajtje për të cilën institucionet ndërkombëtare nuk kanë dijeni”, i shkruante poeti Zymberi “të dashurit shkrimtar” në vjeshtën e vonshme të vitit 2001. Ai dhe qindra shqiptarë ende po vuanin nëpër burgjet serbe për shkak të veprimtarisë së tyre politike.

Këtë fjali do t’i integronte Kadareja në letrën që do t’ia dërgonte më 12 dhjetor 2001 presidentit Chirac për rritjen e presionit ndaj autoriteteve serbe për lirimin e të burgosurve politikë.

“Ne, të burgosurit shqiptarë të Kosovës, jemi hebrenjtë e fundit të mbajtur në kampet hitleriane të Milosheviqit, madje edhe pas rënies së tij… Dhe bota vazhdon të jetë e verbër”, shkruhej në fund të letrës së poetit Zymberi.

Kadareja i citonte fjalë për fjalë dy paragrafët e Zymberit në letrën drejtuar Chiracut, me të cilin kishte këmbyer edhe më parë letra për çështjen e Kosovës dhe për të burgosurit politikë. Chiracu i kishte premtuar në letrën e shtatorit 1998 se Franca nuk e përjashtonte bombardimin ajror të Serbisë.

“Ma ka drejtuar publikisht këtë dëshmi, si shkrimtar, duke më kërkuar me ngulm t’ia bëj të ditur opinionit evropian, si dhe atij botëror”, shkruhet në letrën e Kadaresë.

Të ngjajshme