“Jam 77 vjeç dhe e di që nëse virusi më kapë, do vdes, por ndërkohë shoh sa shumë kam dhe them: Zot, përse më duhen më tepër se dy pjata?”

10 Gusht, 2020 - 8:20 pm

Nga Isabel Allende

Mbi pandeminë dhe frikën

Meqenëse Paula (vajza ime) vdiq 27 vjet më parë, unë kam humbur frikën e vdekjes. Para së gjithash, sepse e pashë të vdiste në krahët e mi dhe e kuptova që vdekja është si lindja, është një tranzicion, një prag dhe kam humbur frikën e saj personalisht.

Tani, nëse virusi më kap, unë i përkas popullatës më të rrezikuar, të moshuarve, unë jam 77 vjeç dhe e di që nëse e marr, do të vdes. Kështu që mundësia e vdekjes është shumë e qartë për mua tani, e shoh atë me kuriozitet dhe pa frikë.

Ajo që më ka mësuar pandemia është të kuptoj se sa pak më duhen. Nuk kam nevojë për të blerë, nuk kam nevojë për më shumë rroba, nuk kam nevojë të shkoj diku apo të udhëtoj.

Tani mendoj se kam shumë. Shikoj përreth në shtëpi dhe pyes veten përse më duhen të gjitha këto. Pse më duhen më shumë se dy pjata?

Njëherazi po zbuloj se kush janë miq të vërtetë dhe njerëzit me të cilët dua vërtet të jem.

Virusi po na mëson përparësitë dhe na tregon me dhunën e vdekjes një realitet që nuk kemi dashur ta shohim; realitetin e pabarazisë së skajshme. Disa e kalojnë pandeminë në një jaht në Karaibe, miliona vdesin nga uria deri në vdekje.

Ai gjithashtu na mësoi që ne jemi një familje. Dmth ajo që ndodh me një qenie njerëzore në Wuhan, ndodh me planetin, ndodh për të gjithë ne.

Nuk ka më asnjë ide të tillë fisnore që ne jemi të ndarë dhe se ne mund të mbrojmë grupin ku bëjmë pjesë ndërsa pjesa tjetër e njerëzve nuk na intereson. Nuk ka mure, nuk ka mure që mund të veçojnë njerëzit.

Krijuesit, artistët, shkencëtarët, të gjithë të rinjtë, shumë gra, po e konsiderojnë këtë një normë të re. Ata ndoshta nuk duan të kthehen në atë që ishte normale, por ata po pyesin veten se çfarë bote duam.

Kjo është pyetja më e rëndësishme tani. Kjo ëndërr e një bote tjetër: ne duhet të shkojmë atje.

Dhe unë reflektoj: në një moment të caktuar kuptova se njeriu hyn në botë për të humbur gjithçka. Sa më gjatë të jetoni, aq më shumë humbni.

Në radhë të parë, ju po humbni prindërit tuaj, ndonjëherë njerëz shumë të dashur përreth jush, kafshët shtëpiake, vendet  madje edhe fakultetet tuaja.

Ne nuk mund të jetojmë në frikë, sepse kjo na bën të imagjinojmë gjëra që nuk ndodhin dhe vuajmë dy herë më shumë. Ndaj duhet të pushojmë pak, të përpiqemi të shijojmë atë që kemi dhe të jetojmë të tashmen. Dita.al /KultPlus.com

the writer Isabel Allende during the presentation of her book LARGO PETALO DE MAR (long petalo de mar) at the house in America de Madrid. Spain May 27, 2019 (Photo by Oscar Gonzalez/NurPhoto)

Të ngjajshme