Jasunari Kavabata, nobelisti mbresëlënës

19 Mars, 2021 - 1:30 pm

Jasunari Kavabata qe shkrimtari i parë japonez që u laureua me çmimin Nobel në vitin 1968 për romanin e tij “Vendi i dëborës”. Për të deshifruar universin mental dhe romanesk të jashtëzakonshëm të Kavabatës është e domosdoshme t’i referohemi viteve të para të ekzistencës, të shënuara nga një vetmi e thellë, prej fëmijërisë deri në momentin tragjik kur shkrimtari vendosi t’i japë fund jetës.

Në veprën e tij realja dhe arealja ndeshen, shkapërderdhja e imazheve alternohet me bardhësitë dhe palëvizshmëritë. Punët e Kavabatës janë thurje të brimuara, të papërfunduara, që lënë lexuesin pa frymë para misterit të interpretimit. Soditja e natyrës, rënia e një gështenje, lulëzimi i një kumbulle, fluturimi i zogut, janë arratisje drejt një bote tjetër, ku bukuria e pashpjegueshme është ndoshta ajo e të vdekurve të rikthyer për një çast në botën e të gjallëve.

Jasunari Kavabata, biri i një mjeku të kulturuar, lindi në vitin 1899 në Osaka. Pas vdekjes së hershme të prindërve dhe motrës së vetme, ai u rrit nga gjyshi i verbër. Studioi në Universitetin Imperial të Tokios. Qe një nga themeluesit e organit Bungei Jidai, mediumi i një lëvizjeje të re në literaturën moderne japoneze. Debutimin e tij si shkrimtar e bëri me “Balerini Izu”, në 1927. Pas disa veprave të shquara, romani “Vendi i dëborës” i siguroi pozicionin si një nga shkrimtarët më në zë në Japoni. U bë anëtar i Akademisë së Arteve të Japonisë në vitin 1953.  Shkroi edhe shumë vepra të tjera, ndër të cilat “Liqeni”, “Qyteti i vjetër”, “Gjëmimi i malit”, “Bukuroshet e fjetura” etj.

Novela “Bukuroshet e fjetura” të Jasunari Kavabatës është një nga veprat e tij më të bukura. Në brendi të saj trajton kryesisht marrëdhëniet mes moshës së rinisë dhe pleqërisë, seksin, vdekjen, jetën dhe kujtimet. Shpeshherë Kavabata shkruan me metafora, duke dhënë shkas për reflektim shumë më parë pasi të shfletojmë edhe faqen e fundit të librit, për më tepër personazhet kryesorë në krijimtarinë e tij janë individë kompleksë në kërkim të pastërtisë. Kavabata e vë theksin kryesisht mbi aftësinë e mendjes njerëzore për të nxjerrë në pah marrëdhënien  e një individi me botën ekzistenciale.

Pasqyrimi i gabimeve të së shkuarës tek personazhi zakonisht ndodhin në prag të vdekjes. Për më tepër, këtyre personazheve u pikon dëshpërimisht në zemër për atë shans të pamundur për rininë e të rinjtë, madje edhe për një moment të shkurtër, për të rivitalizuar një ekzistencë më të dëlirë. Tek “Bukuroshet e fjetura”, personazhi kryesor, Eguti, fle pranë vajzave të reja që janë të droguara, të cilat përfaqësojnë bukurinë e jetës, si një mundësi për të reflektuar mbi gratë që ai ka njohur gjatë gjithë jetës së tij, duke përfshirë edhe gruan dhe vajzat e tij. Gjumi   parashikon  Egutin me një kalim në vdekjen e tij të afërt.

Si gjithmonë, stili i shkrimit të Kavabatës përmban tone lirike, filozofike, që sugjeron misteret e panjohura të jetës.

Sido që të jetë, një fakt mbetet i sigurt: Kavabata vërtetoi mundësinë e ndjeshmërisë së pastër të flasë në veprat që lëkunden me bukurinë. A ishte kjo bukuri hyjnore apo e ligë? Sekreti i mbartur në varr nga shkrimtari, nuk do të zbulohet kurrë. Dy vjet pas vetëvrasjes së Mishimas, që e konsideronte si mjeshtrin e tij, Kavabata kreu edhe vetë vetëvrasje. Vdiq në vitin 1972. / Konica / KultPlus.com

Të ngjajshme