3 Shtator, 2025 - 11:30 am
Nga 6 deri më 12 tetor 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” hap dyert për edicionin e njëzet e dytë të Javës së Bibliotekës në Kosovë, me temën: Biblioteka mes traditës dhe inovacionit.
Kjo ngjarje tashmë tradicionale, e kthen librin, kulturën dhe bibliotekën në qendër të vëmendjes publike.
Këtë vit, aktiviteti vjen me një koncept të ri, duke vënë theksin te roli i bibliotekës si urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore dhe zhvillimeve moderne. Përmes programit ndërkombëtar, ngjarja sjell përfaqësues të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Bullgarisë, Turqisë, Maqedonisë së Veriut si dhe prezantimin e veçantë të bibliotekës personale të profesorit Karl Kaser, transmeton KultPlus.
Java e Bibliotekës do të ofrojë një mori aktivitetesh të hapura për publikun si:
Sesione shkencore dhe panele diskutimi, ku ekspertë të fushës do të trajtojnë sfidat dhe perspektivat e bibliotekave sot.
Aktivitete edukative dhe kulturore, që synojnë përfshirjen e brezit të ri në dashurinë për librin.
Ekspozita tematike, ku vizitorët do të mund të njihen me koleksione të rralla dhe materiale të veçanta.
Punëtori dhe vizita në shërbimet e Bibliotekës, duke u ofruar qytetarëve mundësinë për të parë nga afër funksionimin dhe rolin e saj në jetën akademike dhe kulturore.
Shfaqje filmash, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, që sjellin një dimension artistik dhe reflektues në këtë ngjarje.
Java e Bibliotekës 2025 nuk është vetëm një festë e librit, por edhe një përpjekje për të riafirmuar rëndësinë e bibliotekave si institucione jetike të dijes dhe kulturës. Në një epokë ku informacioni është gjithnjë e më shumë i digjitalizuar, këto aktivitete kujtojnë se biblioteka nuk është vetëm vend i ruajtjes së librave, por edhe një hapësirë inovacioni, bashkëpunimi dhe formimi për brezat e rinj.
Java e Bibliotekës në Kosovë nga data 6 deri më 12 tetor, ju pret me një program të pasur dhe inspirues, për të festuar librin, kulturën dhe rolin e përhershëm të bibliotekave në shoqërinë tonë./KultPlus.com