‘Jemi popull i vafër…fukarallëk maskarallëk’

1 Dhjetor, 2018 - 9:35 am

Çapajev Gjokutaj / Facebook

Çdo fund nëntori bëhet sherr. Palët grinden për ditën e çlirimit. S’kish si të ndodhte ndryshe edhe sivjet. Madje sherri erdhi më i sertë, i paketuar avdallçe në dilemën ‘ditë feste apo ditë zie?’. Ngjan sikur vitet ikin e sherri, në vend të papset, ndizet edhe më.

Është turp kombëtar që treçerek shekulli pas mbarimit të luftës, të jemi të ndarë e të përçarë për vlerat e saj, madje edhe për datën e çlirimit.

Kjo sherrnajë 25 vjeçare të kujton thënien se popujt që grinden për të shkuarën, vonojnë të ardhmen e mund të thyejnë edhe qafën, si gjithë ata që ecin me kokën kthyer prapa.

Duket sikur grindja dhe sherret bëhen për luftën, për ide e për ideale. Në fakt nuk janë veçse propagandë bajate në favor të parisë së sotme.

Kemi çerek shekulli që, laj thaj, qeverisemi nga e njëjta pari, ndarë në dy parti. Të dyja e kanë provuar e riprovuar veten edhe në pushtet edhe në opozitë. U ka dalë kallaji dhe sa vete e më pak u ngjit fjala.

Me që kapso alternativat që ofrojnë janë thuajse të njëjta e nuk para bindin njeri, vënë në funksion politika të markës ‘ndarje e përçarje’. Në këtë arsenal bën pjesë edhe ndarja e moçme ‘partizanë – ballistë’. Të mashtrojnë kë mund të mashtrojnë e të mobilizojnë sa mund të mobilizojnë.

Politikat e mbështetura mbi urrejtjen dhe përçarjen, sado arkaike e donkishoteske të ngjajnë, rezultojnë thellësisht të dëmshme, sidomos kur i vendos në kontekstin shqiptar.

Jemi popull i sakatuar, ndarë e shpërndarë në 6 shtete. Emigracioni i sotëm, kaq masiv dhe i stërzgjatur, po na mpak e po na plak.

Si të mos mjaftonin këto fatkeqësi kapitale, aktivizohen e hidhen në skenë edhe ndarje e përçarje turlisoj: veriorë vs jugorë, vendalinj vs çeçenë, myslimanë vs të krishterë, pasardhës ballistësh vs pasardhës partizanësh etj. etj.

Shumicën e herëve këto ndarje nuk janë as politike, as fetare, as kulturore, as krahinore. Janë thjesht kamuflazhe për të mbuluar interesa puro materiale.

Jemi popull i vafër dhe të mirat që prodhojmë nuk mjaftojnë për të gjithë. Ndaj të ndërsyer, herë hapur e herë tinëzisht, nga paria përdorim këto kamuflazhe për të demonizuar e përjashtuar grupin tjetër dhe gjithçka ta ndajmë brenda tarafit a partisë.

Kështu, të ndarë e të përçarë, përjashtojmë sa mundim, e bëjmë kombin shumë më të vogël seç është. Harrojmë mësimin që vjen nga përvoja e vendeve të zhvilluara: çelësi i suksesit të një populli nuk është përjashtimi, por gjithëpërfshirja e maturuar në instrumenta të tillë si starti i barabartë, meritokracia, konkurenca, kujdesi social etj.

Por ne, të ndërkryer nga varfëria e nga makutëria dhe të cytur tinëzisht nga paria, krekosemi si kacagjela në mbrojtje të veriorëve a jugorëve, partizanëve a ballistëve, gati për t’i nxjerrë sytë shoshoqit e për ta bërë bashkësinë tonë të vogël edhe më të vogël e më të pafuqishme.

Këtë e dinte dhe i pari, ndaj tha: fukarallëk maskarallëk.

Më falni, harrova të thoshja që festa e çlirimit është ditë kur kujtojmë e lartësojmë luftën dhe sakrificat që bëri një popull i tërë. Ta quash ditë zie, dhe ta bësh këtë vetëm për një grusht votash në zgjedhjet e ardhshme lokale, është maskarallëk e shkuar maskarallëkut.

( Nga cikli ‘Katakombet e kombit’ )

Të ngjajshme