“Jeta ime”, testamenti shpirtëror i Nënë Terezës

19 Shtator, 2019 - 11:30 am

“Mundohem ta dua Zotin me gjithë vetveten”

“Jam lëshuar plotësisht në duart e tij, me gjithë të metat e mia e mungesat e mia.

Ai më pranoi si nusen e vet, me ngrohtësi e dashuri të pakufishme.

Tashmë, për gjithë jetën, jam fati i Krishtit të Kryqëzuar.

Pranova të përfaqësoj të varfrit e mbarë botës: të padëshiruarit, të padashurit, të lënët pas dore, të keqtrajtuarit, të verbrit, të gërbulurit, të alkoolizuarit, të përjashtuarit nga radhët e shoqërisë, të gjithë ata që e kanë harruar ngrohtësinë e dashurisë njerëzore e takimin e njeriut me njeriun.

Jam thellësisht e bindur se e keqja më e madhe dhe vuajtja më e thellë burojnë nga braktisja e njeriut, që nuk duhet, që përbuzet, lihet pas dore, nuk vlen asgjë për askënd.

Nga ana ime mundohem t’u jap të varfërve, për dashuri, atë që të pasurit mund ta blejnë me para.

Unë nuk do ta kisha prekur kurrë me dorë një të gërbulur, edhe sikur të më paguanin një miliard dollarë. Ndërsa e bëj me kënaqësi për dashuri të Zotit.

Kur vërej si trajtohen të varfrit, e kuptoj më mirë trishtimin e Krishtit, që nuk pranohet nga të vetët.

Kush nuk i përfill të varfrit, vijon të mos e përfillë Krishtin.
Të varfrit na nderojnë, duke na lejuar t’u shërbejmë ditë natë, pa ndjerë kurrë lodhje.

Ushqimi shpirtëror që më mban në këmbë, është Mesha Shenjte.
Pa të nuk do të mund të vijoja rrugën që zgjodha as një ditë, madje as një orë.

Në Meshë Jezusi na paraqitet nën trajtën e bukës, ndërsa në lagjet e mjerimit e shikojmë dhe e prekim në trupat e gjymtuar, në fëmijët e braktisur.

Shpesh herë, kur mendoj sa pak jemi në gjendje të bëjmë, më pushton një trishtim i thellë.

Ajo që bëjmë, është vetëm një pikë uji në një oqean të pacak. Tepër e vogël, me një ndikim gati të pandjeshëm mbi pafundësinë e vuajtjeve njerëzore.

Por në se secili nga ne do t’i shërbejë Krishtit, atje ku e thërret, Eukaristia e të varfrit do të bëhen një dashuri e vetme!”. / KultPlus.com

Nëna Terezë

Të ngjajshme